E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta, rriten shpenzimet e qeverisë

Nafta ka rritur edhe shpenzimet e qeverisë. Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka miratuar dje nen për nen projektbuxhetin suplementar, por me një ndryshim. 

Fabiola Çela

Deputetët e pozitës u kanë kërkuar përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, që të plotësojnë kërkesën e Kuvendit për një fond shtesë për shpenzimet operative. Një kërkesë e tillë ka ardhur pas rritjes së çmimit të naftës, në tregun vendas. Kjo kërkesë e deputeteve u pranua edhe nga përfaqësuesit e Ministrisë së Financave. Gjatë miratimit nen për nen të projektbuxhetit, asnjë prej deputetëve të opozitës nuk ishte i pranishëm.
Projektbuxheti
Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit qeveria ka vendosur që të rrisë fondin për shpenzimet operative. Zëvendësministri i Financave Sherefedin Shehu ka sqaruar dje, në detaje të gjithë projektbuxhetin suplementar të këtij viti. Sipas tij, buxheti shtesë kap vlerën e 20 miliardë lekëve. Një pjesë e këtyre parave do të shpenzohen për investime, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për të ulur borxhin e brendshëm. Konkretisht gati 14 miliardë lekë do të përdoren për investime, ku pjesa më e madhe e parave do të shkojnë për projektet e rrugëve. Ndërsa 6 miliardë lekë do të përdoren për të ulur deficitin buxhetor. Deri në fund të vitit deficiti buxhetor është parashikuar të ulet deri në nivelin e 5.1 për qind nga 7.9 për qind që është aktualisht. Një vendim i tillë është marrë pas kërkesës së bërë nga ndërkombëtarët. Si gjithmonë, Ministria e Transporteve ka marrë pjesën më të madhe të parave nga buxheti suplementar. "Mbi 90 për qind shpërndahen për Ministrinë e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, dhe brenda kësaj ministrie rreth 95 për qind e parave do të shpërndahen për programin e rrugëve nacionale", ka thënë Shehu. Veç kësaj janë edhe 2 miliardë lekë që do t'i shtohen fondeve për rrugë rurale, e cila i shpërndahet pushtetit vendor si pjesë e granteve konkurruese. Në këtë draft llogariten edhe rreth 1 miliard lekë rialokime të fondeve, që nuk janë përdorur nga Ministria e Shëndetësisë dhe sistemi gjyqësor dhe që do të kalojnë për investime në infrastrukturën rrugore. "Janë rreth 600 milionë lekë, të cilat nuk janë realizuar nga disa institucione dhe për më tepër nuk garantohet realizimi i tyre deri në fund të vitit. Në këtë rast, këto fonde i janë shtuar MPPTT dhe institucioneve të tjera. Këtu janë disa fonde që shtohen për shpenzimet operative kryesisht nga rritjet e kostove si rezultat i karburanteve apo arsyeve të tjera, si dhe disa shpenzime që kanë të bëjnë me modernizimin e institucioneve apo shërbimeve që ofrojnë, me informatizimin e tyre sidomos pjesa e mirëmbajtjes", ka theksuar Shehu.  Në buxhetin suplementar prej 20 miliardë lekësh nuk përfshihen të ardhurat e ARMO-s dhe privatizimeve të tjera, por vetëm të ardhurat e krijuara nga tatimet dhe doganat. Ky është i treti vit radhazi, që qeveria demokrate paraqet për miratim një buxhet suplementar në mes të vitit.

Treguesit makroekonomikë 2008

Inflacioni        4 për qind

Kursi i këmbimit    81.0 lek/usd

Kursi i këmbimit    122.0 lek/euro

PBB            1,078.3 miliardë lekë

Rritja reale e PBB    6.1 për qind

PBB për banor    340.4 mijë lekë

Investimet totale    36.5 për qind të PBB

Investime publike    8.9 për qind të PBB

Bilanci tregtar    -2301.1 milionë euro

Transfertat private    1063.0 milionë euro

Rezervat valutore    3.7 muaj importe

Çmimi i naftës

Çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare ka pësuar ulje në krahasim me pak ditë më parë. Një fuçi nafte kuotohet me 130 dollarë. Por pavarësisht se çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka pësuar ulje, ky ndryshim nuk është reflektuar në tregun vendas. Kjo pasi sipas importuesve nafta që shitet në treg është blerë gjatë periudhës, kur çmimi i arit të zi kishte arritur pikun. Në Shqipëri mbi 85 për qind e kërkesave të vendit për naftë plotësohet nga importi, dhe për rrjedhojë luhatjet e çmimit të arit të zi në tregjet ndërkombëtare reflektohen edhe në tregun vendas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›