Naftë pa taksa në bujqësi, mbështetje e drejtpërdrejtë për fermerët

Qeveria mbështet me fonde subvencionin e naftës në sektorin bujqësor për periudhën 2022-2024.
Për vitin që vjen, fondi në dispozicion të skemës naftë pa taksa në bujqësi, parashikohet të arrijë në 792 milionë lekë.
Subvencioni i naftës në bujqësi është një nga politikat më të mirëpritura nga komuniteti rural. Premtim i kahershëm i shumë qeverive, por i realizuar për herë të parë në fillim të këtë viti, kjo skemë siguroi mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerët që punojnë tokën, duke i lehtësuar ata nga kosto e karburantit, në përdorimin e mekanikës bujqësore.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, programoi fondet për subvencionin e naftës si masa e duhur që mbështet sektorin e bujqësisë të zgjerohet, të rrisë punësim dhe të mbjellat.
Aktualisht skema e subvencionit të naftës përcakton si përfitues të naftës falas fermerët e kulturave bujqësore, si: bimë arash, misër, fasule, luledielli, sojë, sorgum, grurë, tërshërë, thekër, duhan, panxhar, pambuk dhe bimë aromatike-mjekësore; drurët frutorë, perime etj.
Për kultivimin e 1 ha misër një fermer harxhon 190 l naftë, ku 56% e saj do të përfitohet me çmim 63,8 lekë/litër.
Aplikimi, për të përfituar nga skema e mbështetjes me naftë për bujqësinë bëhet online në portalin e-Albania, me vetëdeklarim.
Procesi i kontrollit në terren, pas shpërndarjes së naftës te subjektet përfituese, kryhet nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.