E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nagip Mahfuz është te pragu

Së shpejti, lexuesi shqiptar do të ketë në dorë një prej romaneve më të njohura të shkrimtarit të vetëm arab që është nderuar me çmimin "Nobel", egjiptianit Nagip Mahfuz. Fjala është për romanin "Tallja e fatit", që po përkthehet nga Haki Shtalbi. Përkthimi do të bëhet nga gjuha origjinale, njoftohet nga shtëpia botuese "Ora". Ajo ka marrë përsipër botimin e veprës, duke blerë të drejtën "The American University in Cairo Press", që është administratori zyrtar i të gjitha të drejtave botërore të shkrimtarit të famshëm. Nagib Mahfuz është botuar e vazhdon të botohet në mbi tridhjetë gjuhë të botës. Ai është pranuar botërisht si mjeshtri më i madh i fjalës së shkruar arabe në kohët moderne, e njëherësh një nga romancierët më të shquar të shekullit të njëzetë. Nagip Mahfuz nuk hyn për herë të parë në Shqipëri, por kësaj here ndryshe dhe me seriozitetin dhe skrupulozitetin që meriton vepra e tij. Në vite, janë bërë përkthime sporadike e të copëzuara nga ky mjeshtër e tërësisht pirateske e amatoreske. Në këtë drejtim, sipas njoftimit të shtëpisë botuese "Ora", ajo, në përputhje me marrëveshjen që ka me "The American University in Cairo Press", do të kërkojë nga organet e caktuara shtetërore zbatimin e ligjit për pronësinë intelektuale, nxjerrjen e tyre menjëherë nga qarkullimi". Në qendër të romanit "Tallja e fatit" është faraoni Keops, në kulmin e lavdisë së tij. Ai vendos të ndërtojë në breg të Nilit piramidën madhështore, që do të jetë varri i tij i përjetësisë. Një shenjtor e njofton se asnjëri prej fëmijëve të tij nuk do të ngjitet në fronin mbretëror dhe se trashëgimtari i zgjedhur nga fati do të jetë Xhedefi, i cili do t‘i japë fund dinastisë së tij. Kur Nagib Mahfuz e shkroi këtë roman në vitin 1939 në moshën 27-vjeçare, trilli letrar nuk zinte në letërsinë arabe veçse një vend të papërfillshëm. Ky roman i parë, që i përket gjinisë letrare me frymëzim popullor, është pasuar më vonë me rreth 40 të tjerë, duke e bërë atë romancierin më të famshëm të botës arabe. "Mahfuzi sundoi në të gjallë e do të vazhdojë të sundojë në përjetësi mbi letrat dhe kulturën arabe, si një faraon i kohëve moderne", thotë kritika. Ai arriti që në të gjallë apogjeun e lavdisë, duke marrë në vitin 1988 edhe shpërblimin më të lartë si shkrimtar, çmimin "Nobel".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›