E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haklajt ndryshe

Kur përmenden Haklajt, kaleidoskopi i tranzicionit të çon drejt një kullë famë e gjëmëmadhe në Kërnajë të Tropojës, ku deri dje, të zotët e saj ngujoheshin për t‘u shpëtuar plumbave të hasmit, (që në fakt, nuk mundën t‘u shpëtojnë dot), e për shkak të natyrës së vrasjeve që lidhen me këtë sagë veriore, të jepet përshtypja e një përzierjeje të çuditshme të mafies (në variantin shqiptar) e kanunit. Por historia, ajo e largët e ajo e afërt, i ka regjistruar Haklajt e Tropojës e më gjerë të Malësisë së Gjakovës, me shenjën e atdhedashurisë e heroizmit, e sidomos me kontribute të veçanta në konsolidimin e shtetit shqiptar në periudhën zoriste. Do të bëhej ky refleksion dy ditë më parë kur në një ceremoni të zhvilluar në Lezhë, Rrustem Sadri Haklajt, do t‘i jepej statusi "Dëshmor i Atdheut". Ky burrë ka mbetur i vrarë më 15 maj të vitit 1937, duke qenë në krye të rezistencës së organizuar në Burgun e Kalasë së Gjirokastrës, për t‘u bërë ballë forcave të ashtuquajtura rebele, të kryesuara nga Ethem Toto, në atë që njihet në historiografi si Kryengritja e Delvinës. Në atë kohë, Rrustem Sadri Haklaj, mbante detyrën komandantit të Entit Ushtarak në Gjirokastër, e rezistencën e kryesonte së bashku me kapitenët Ded Jakova e Luigj Berisha.

Për vrasjen e tij dhe për figurën që përfaqësonte, gazeta "Drita" e datës 18 maj 1937, pra tri ditë pas vrasjes, do të shkruante: Gjatë kohës së shërbimit, i ndjeri si në detyrë dhe në pikëpamje sjelljeje dhe shoqnore, ka tregue një shembull me një shpirt ushtarak e kryesisht patriotik me plotë dashuri për Mbretin dhe Atdheun, ideale të nalta, të cilat i ka vërtetue me gjakun e tij në rastin e fillimit të kryengritjes tradhtore të datës 15 Maj 1937. Toger Rrustem Sadria në jetën e tij, për shkak ma të naltë, nuk ka arrijtë gradën Kapiten, por ka fitue një titull shumë ma të vlefshëm tue hye në parajs si "Trim" dhe për të asht goditë nji monument i paharrueshëm në librin e artë t‘Ushtrisë Mbretnore Shqiptare".

Me rastin e dhënies së statusit "Dëshmor i Atdheut", për Rrustem Sadri Haklajn, në ceremoni u bë dhe një histori e shkurtër e të gjithë Haklajve të Malësisë së Gjakovës, me akte të larta patriotizmi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›