E Diel, 1 Nëntor 2026

Naim Tërbunja në Pekin 2008 me flamurin suedez

Boksieri kosovar, Naim Tërbunja, i cili do të përfaqësojë Suedinë në Lojërat Olimpike Pekin 2008, ka thënë se pas këtij evenimenti ai do të mbrojë ngjyrat e vendlindjes së tij. Në një takim me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, Tërbunja është shprehur i bindur se në të ardhmen do të boksojë për përfaqësuesen kosovare. "Pas Lojërave Olimpike të Pekinit do të bëhem boksier profesionist dhe më pas jam i bindur se do të boksoj për Kosovën", tha Tërbunja për të përditshmen kosovare "Express". Ai ka falënderuar drejtuesit e KOK-ut për mikpritjen, ndërkohë që ka marrë si dhuratë edhe një orë dore. Edhe Hasani shpreson se një ditë boksieri do të ngjitet në ring me ngjyrat e flamurit kosovar. "Kemi kënaqësinë që në KOK të kemi të ftuar Naim Tërbunjën. E përgëzojmë atë për arritjen e normës olimpike, ndërsa urojmë që nga Pekini të kthehet me medalje, për të cilën gjë nuk kemi dyshim. Shpresojmë që një ditë ai të mbrojë ngjyrat e Kosovës", u shpreh Hasani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›