E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa e lire eshte jeta ne Shqiperi!

Pse ka kaq shumë vdekje në Shqipëri? Vdesin njerëzia në Otranto, dhe madje në afërsi të Bregdetit! Vdesin nëpër malet e Pindit. Vdesin përditë nëpër rrugët e Shqipërisë. Vdesin në liqenin e Farkës, plagosen e vdesin në mënyrë masive në Vorë, vetëm 20 kilometra larg Tiranës. Statistikat zyrtare të shtetit shqiptar raportojnë një herë në tre muaj se sa "është fuqizuar" leku në krahasim me dollarin dhe euron, sa është zbutur koeficienti i papunësisë dhe ai i inflacionit, sa janë rritur investimet e huaja dhe sa telefonë celularë për frymë të popullsisë ka në vend. Por sa janë ata që lindin e vdesin, sidomos sa janë ata që vdesin dhe pastaj ata që vdesin pa shkak, askush nuk jep ndonjë statistikë, qoftë dhe të përafërt. Kjo, jo sepse është e pamundur të gjendet kjo shifër, por sepse vdekja është gjëja më e lirë në Shqipëri.

Në mendësinë tradicionale shqiptare dhe të shumicës së popujve me ndërgjegje besimtare, vdekja përfytyrohet si diçka fatale, që lidhet me "atë që është shkruar atje lart". Por në Shqipërinë e sotme, vdekja më së shumti s‘të vjen si fatalitet i epërm, por si "dhuratë" e nënçmimit të jetës. Në minierën e Bulqizës, në nivelin e 16-të, çdo javë vdekja merr me vete njerëz që mundimi i jetës i çon jo fatalisht, por vullnetarisht, drejt moskthimit. Askush nuk thotë MOS!".

Në rrethinat e Durrësit dhe në qytezën e Bajzës në Shkodër njerëzit bashkëjetojnë me vdekjen helmatisëse prej dy dekadash. Atje rrojnë dhe lindin fëmijë, me kryet mbi kimikate vdekjeprurëse, që edhe për arsye pune e shërbimi nuk mund t‘u afrohesh pa profilaksi. Askush nuk thotë MOS!".

Në këmbë të Dajtit, bashkë me ndërtesat nëntokësore strategjike të vendkomandës së përgjithshme ushtarake, gjenden dhe një shumicë tunelesh me përmasa të paimagjinueshme, të mbushura me rezerva armatimi konvencional. Atje qyteti po i ngjitet qetë-qetë lartësisë dhe pallate luksoze po ndërtohen mbi depozitat e barutit. Askush nuk thotë MOS!

Në brezin kufitar që ndan dy Malësitë e Gjakovës, askush s‘e di ende se cila sipërfaqe ka mbetur e paçminuar, dhe njerëzit provojnë t‘i kalojnë vdekjes përsipër. Askush nuk thotë MOS!

Një vit e gjysmë më parë, qeverisësit e Shqipërisë morën një paralajmërim të sertë me shpërthimin e depove të armatimit në rrethinat e Tepelenës. U fol ca ditë për ndihmë e solidaritet, plasja e armatimit vazhdoi me ditë, kurrë nuk u raportua dhe nuk dha hesap kush se çfarë kishte ndodhur, kurrë nuk tha kush MOS! Vetëm në Shqipëri nuk ka më tabela me shënimin "Ndal, rrezik! Zonë ushtarake!".

Pushteti i vdekjes së mbjellë nga dora e njeriut sa vjen e rritet. E thënë më thjesht: këtu gjithçka mund të ekzistojë, vetëm profilaksia e vdekjes, parandalimi i vdekjes, nuk ekziston as si veprim politik, as si përparësi administrative. Është dhe më keq. Jo që s‘ka profilaksi të vdekjes, por edhe kur ajo vjen për shkaqe natyrore, askush nuk thotë MOS, domethënë mos paguaj, mos e bli vaksinën, mos i merr ilaçet më të shtrenjtë, sepse t‘i rimburson ligji, mos i jep para rojës për të hyrë brenda, mos e paguaj sanitaren, sepse merr rrogë nga shteti. Prandaj vdekja në Shqipëri është e gjithëpushtetshme. Ajo bën kërdinë në ditë feste, në ditë ringjalljeje, në ditë përtëritjeje, pas dasmës, pas darkës festive, pas kremtimeve familjare a shtetërore. Vetëm marsi i këtij viti, marsi aq shumë i lëvduar në poezitë lirike, marsi që fëmijët e presin ende me verore në duar, marsi që njeriu e lëvdon se sjell rilindjen shpirtërore dhe natyrore, pa mbërritur në gjysmën e vet, mbolli dy herë hatanë në rrethinat e Tiranës, me ujë e me zjarr, me flakë e tym, me tmerr të papërshkruar.

Por tmerr mbi tmerret është kur, deri në fund të ditës së shpërthimit të depove të Gërdecit, askush s‘doli të njoftojë jo sa shtylla u rrëzuan, jo sa të larta janë flakët mbi shtëpitë e banorëve vendës, jo sa autovetura janë kthyer rrugës apo sa ka qenë furia e një tipi predhe në krahasim me një tip tjetër, jo çfarë krimi ka mbjellë nën tokë regjimi i vdekur e i varrosur i E.Hoxhës, por gjërat më të thjeshta: Ku shkuan banorët vendës? A e kanë gjetur njëri-tjetrin? Sa rezultojnë të humbur e sa pa adresë? Sa janë në male e sa te të afërmit? Sa janë në spitale e sa kurohen në shtëpi? Sa e presin fatin e tyre brenda shtëpive ku kanë pritur ngjarjet kryesore të jetës? E kujt i duhen pamjet e frikshme, të cilat fëmijëve u këshillohet të mos i shohin? Tmerri nuk është ajo çka shohim, por ajo çka nuk shohim dhe askush nuk na e thotë. Pse heshtet? Kemi nevojë të dimë si bashkëqytetarë të një kombi zotërinj!

Jemi të ndërgjegjshëm dhe jo të sëmurë mendorë që na bën dëm paniku. Duam informacion! Duam të dimë kush janë njerëzit që janë bërë hi! Ku është bilanci i fundit! Sepse e gjitha kjo është thjesht respekt për vendin, ajo që do bëni dhe pastaj respekt për ne që duam të jetojmë këtu. Dikur në takimin e intelektualëve të gushtit, në vitin 1990, ish-kardiologu i njohur dhe tani Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i kërkoi Presidentit Ramiz Alia informacion mbi ngjarjen famëkeqe të Kavajës. Gjatë studimit të këtyre fletëve të procesverbalit të atij takimi, vura re me kujdes se si do të shkonte biseda më tej. Dhe Presidenti Alia u përgjigj ftohtë se situata tani është nën kontroll dhe s‘është nevoja të jepen më tej shpjegime. Atëherë kardiologu i njohur u ngrit dhe tha: "Jo, zoti President, jo vetëm ne, por edhe populli ka nevojë të informohet mbi këtë ngjarje, sepse në kokë kështu atyre u lihet të hamendësohen skenare të çuditshme dhe këtë ne, por së pari ju, nuk duhet ta lejoni të agravohet më tej". Dhe mjeku me emër kish të drejtë, sepse populli shqiptar nuk ish më bagëti si më parë. Sipas tij, ai kish filluar të ndërgjegjësohej. Mos harrojmë janë ngjarjet e fundviteve ‘80, dhe muri Berlinit kish filluar të ndjente dy dimra. Në Pragë, Bukuresht e Tiranë ishin ndjerë erëra të reja lirie. Dhe informacioni tani nuk kish më kufij telash me gjemba.

Njeriu filloi të bëhet qenie qytetare kur kuptoi se sjellja ndaj vdekjes, por dhe e vërteta për t‘i dalë hapur asaj, është një prej gjërave më të rëndësishme të respektit për qytetarin. Priami nuk i lutet aspak Akilit t‘ia falë jetën të birit, Hektorit, në qoftë e thënë të bjerë nën shpatën e tij, por i lutet të mos t‘ia sjellë trupin e tij të vdekur rreth e qark kështjellës së Trojës. Kodet etnozakonore të shqiptarëve gjithashtu e kanë rregulluar rreptësisht MOS-in dhe SOS-in e vdekjes.

Kujtohuni sa të trishtuar u ndjenë shqiptarët në gusht të vitit 1991, kur, pas eksodit masiv të bashkatdhetarëve të tyre përmes flotës luftarake e civile të vendit, vërshuan drejt Italisë dhe stadiumi i Barit u mbush plot e përplot me njerëz fatkeq, që prisnin dikë t‘u zgjaste dorën. Italia shpalli menjëherë "la situazione di emergenza civile" në të gjithë rajonin e Puglia-s. Atëherë shqiptarët u fyen, por në fakt pikërisht ajo situatë emergjence i shpëtoi, sepse Puglia përfitoi buxhet shtesë për të sistemuar të mërguarit dhe për t‘i shpëtuar nga dhëmbët e vdekjes.

Mediat e huaja raportuan me nxitim tinzar se një tragjedi e shkaktuar nga shpërthime të rënda municionesh, ka ndodhur në Shqipëri, në vendin i cili pret ftesën për t‘u anëtarësuar në NATO. E ç‘ka këtu për ta evidentuar këtë fakt?! Që thjesht po na e qajnë hallin si aktorë të përhershëm tragjedish apo për të zbutur efektin përbaltës që krijon kjo ngjarje te të gjithë ato vende aleate që së afërmi do të votojnë nëse Shqipëria është bërë gati të marrë një ftesë për t‘u anëtarësuar në NATO! E vështirë për të besuar të dytën, por pas kësaj edhe të parën.

Gjithë ditën e shtunë, rrjeti i "pushtetit të katërt" përcolli intensivisht te publiku pamje "live". Ajo që ndodhi të shtunën në të vërtetë nuk ishte një çështje informimi, një çështje radio-televizive, siç janë shfaqjet "e gjalla", qofshin këto të parapërgatitura, qofshin spontane. Ajo që ndodhi ishte çështje e MOS-it që autoritetet shtetërore nuk e thanë kurrë, MOS-it kundër rrezikut të vdekjes, kundër provokimit të fatkeqësisë, MOS-it kundër tokë sonë të dashur, që megjithëse e tëra e minuar, sipas specialistëve të fushës, e kemi zgjedhur jo me dëshirën tonë, të jemi banorë të saj, MOS-i edhe ndaj të qënit jetësor edhe ndaj një absurdi të tillë që me koshiencë pranojmë ende një realitet çmendurak. Ne ecim, vrapojmë, jetojmë ëndrra dhe aventura që pazgjidhshmërisht na rrisin për t‘u bërë më të mirë, më të këqij ose më të vërtetë. E secili nga ne zgjedh për vete atë që instinkti i vetëdijes i përçon, duke parandaluar me MOS situata të përjashtueshme nga përditshmëria e zakonshme, sepse sipas Frojd-it tek truri i njeriut ndodhet një qendër imune që kalon në filtër gjendje të tilla psikologjike, për të parandaluar ato që i sjellin dëm shoqërisë dhe prekin normat e të sjellurit normal të individit. E nisa këtë shpjegim për ta lidhur me atë MOS-in e madh që ne, banorët jetësor të kësaj toke nuk po e kemi më. Ose më mirë nuk po e ndjejmë fare. MOS-i shtetëror dhe ai etnografik e ai koshencial ndahen katërcipërisht nga njëri-tjetri, sepse njëri ka vetëdijen e bashkësisë, tjetri ka atë të fisit kurse tjetrin e udhëheq instinkti. Për fat të keq, në shumicën e gjuhëve të Perëndimit, fjala "fis" kthehet në tribu. E nuk ka vetëposhtërim më të madh se kur në një vend punët shkojnë si në një tribu.

"Një galeri artesh në periferi të Tiranës", është dokumentari që u transmetua në telerevistën "Exclusive" të "Top Channel" para dy vjetësh. Atje pata theksuar se Tirana është kryeqyteti ku dyqanet e luleve dhe veprat e artit janë rezervat i të vdekurve. Po, po, sepse shkoni po të doni në varrezat e Kombinatit dhe atje, fare pranë varrezave të Sharrës, gjeni pak kohë t‘u kushtoni të afërmve tuaj të vdekur dhe do të gjeni më shumë dyqane lulesh se në gjithë kryeqytetin dhe më shumë buste se gjithë Galeria Kombëtare e Arteve në sheshin e metropolit. Është një nekrofili e ngritur në piramidë, një sjellje e padenjë me vdekjen dhe e dini pse? Sepse te ne ka munguar që në krye të herës ai MOS-i, e tani jo vetëm shtetar, por edhe instiktiv. Thjesht e vetëm se nuk ka një traditë, një traditë të vërtetë shtetare ku unë si qytetare, të mos më kushtojë jeta më lirë se një qiri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›