Ekzekutivi, ftesë MTKRS-së për të zgjidhur problemet
FSHF-ja ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me titullarët e MTKRS-së për të zgjidhur problemet që çuan në pezullimin e Shqipërisë. Në mbledhjen e djeshme të Komitetit Ekzekutiv, është analizuar situata e krijuar dhe janë nxjerrë konkluzionet për atë që duhet bërë në vijim për të kthyer sa më shpejt vendin tonë në hartën e futbollit ndërkombëtar. "Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së e vlerëson situatën si mjaft shqetësuese. Ai i bën thirrje MTKRS-së, ministrit Ylli Pango, dhe të gjithë organizmave shtetërore, që të reflektojnë pas këtij vendimi dhe të tërhiqen, duke zbatuar rekomandimet e FIFA-s dhe UEFA-s. Duke e konsideruar si mjaft të rëndësishme këtë çështje, Komiteti Ekzekutiv, presidenti i FSHF-së konfirmojnë gatishmërinë e tyre për t‘u ulur dhe gjetur një zgjidhje, e cila nuk do të rëndojë mbi futbollin shqiptar. FSHF-ja është e bindur se zbatimi i vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, i cili ka pasoja edhe më të rënda prapavepruese, do të ndikojë në mënyrë të pariparueshme për futbollin shqiptar. Për këtë arsye, Komiteti Ekzekutiv, presidenti i FSHF-së, janë të gatshëm që të përdorin të gjithë autoritetin e tyre, që si edhe në të shkuarën, kërkojnë bashkëpunimin e organizmave shtetërore, në mënyrë që gjendja e rëndë të kapërcehet. Ata janë të gatshëm që në çdo kohë të marrin kontakt me ministrin Ylli Pango, për të sheshuar problemet dhe për të gjetur një zgjidhje të arsyeshme", shkruhet në deklaratën për shtyp të publikuar pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.