Ultimatumi: Zgjedhje ose bojkot
Presidentët e gjashtë klubeve elitare kanë firmosur një peticion, ku kërkohet zgjidhja e menjëhershme e situatës në të cilën ndodhet futbolli shqiptar. Refik Halili (donator i Tiranës), Arben Laze (Elbasani), Albert Xhani (Partizani), Valter Fushaj (Vllaznia), Nexhat Bizhdili (Besa) dhe Xhavit Ismaili (Shkumbini) kanë përpiluar një deklaratë për shtyp, e cila i adresohej Federatës Shqiptare të Futbollit. Drejtuesit e këtyre skuadrave i kanë dhënë kreut të federatës, Armand Duka, 5 ditë kohë, në të kundërt kanë deklaruar se do ta bojkotojnë kampionatin. "Ne, klubet e futbollit të Superligës, jemi mbledhur sot (dje) për të paraqitur indinjatën tonë më të thellë për vendimin që organizmi më i lartë i futbollit, FIFA, ka marrë në datën 14 mars 2008, ku, ndër të tjera, është edhe ‘heqja e të drejtës së klubeve shqiptare për t‘u përfaqësuar në kompeticionet Evropiane‘", lexohej në deklaratën e firmosur nga gjashtë drejtuesit e skuadrave elitare. "Duke parë që ky vendim prek në mënyrë të drejtpërdrejtë investimin e të gjitha klubeve shqiptare, jemi mbledhur për të shprehur vendimet që ne si klube do të marrim në lidhje me situatën e krijuar. Mendojmë se FSHF-ja duhet të mbajë përgjegjësitë kryesore për arritjen deri në këtë pikë të marrëdhënieve me FIFA-n, sepse nëse do të ishte punuar seriozisht për të mbrojtur interesat e futbollit shqiptar dhe jo interesat personale, nuk do të ndodheshim përpara një vendimi të tillë. FSHF-ja nuk ka arritur që të sigurojë një organizim eficent për zhvillimin e futbollit në këto vitet e fundit". Drejtuesit e atyre që janë klubet kryesore në kampionatin elitar kanë përpiluar edhe katër kërkesa, të cilat vendosën t‘i kërkojnë në të mirë të futbollit. "I kërkojmë FSHF-së dhe presidentit të saj, që brenda një afati kohor prej pesë ditësh (pra deri në datën 21 mars), të zgjidhë konfliktin me MTKRS-në. Në të kundërt jemi të vendosur ta bojkotojmë kampionatin dhe të kërkojmë dorëheqjen e presidentit të Federatës (Armand Duka). Së fundmi, i kërkojmë shtetit më shumë mbështetje për futbollin, për t‘u përfunduar privatizimi i klubeve".
Edhe pse fillimisht nuk ka pranuar të flasë (duke këmbëngulur se çdo gjë pasqyrohej qartë në deklaratën për shtyp), donatori i Tiranës, Refik Halili, tha për "Shqip": "Duhet të dimë se çfarë do të ndodhë, në mënyrë që edhe ne ta dimë, që mos të shpenzojmë para. Janë lekë që i kemi fituar me djersë. Nëse do të vazhdonim të qëndronim të pezulluar, ato që shpenzojmë në një muaj me skuadrat tona më mirë i japim për bamirësi për ata njerëz që kanë më shumë nevojë, siç janë ata që përjetuan ngjarjen tragjike në Gërdec. Ne nuk kemi asgjë me presidentin e Federatës, kërkojmë vetëm që investimet tona mos të ikin dëm".