Nait Hasani: Sipas statutit, nuk duhej zgjeruar kryesia dhe KD

Kandidat për kryetar të Degës së PDK-së në Prizren, Nait Hasani, vlerëson se nuk ka pasur nevojë të shtohet numri i anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe Kryesisë. “Në këto rrethana nuk ka pasur nevojë për zgjerime. Është dashur të vlerësohet se a ka nevojë që të krijohen grupe punuse dhe jo zgjerim, sepse nuk ka pasur nevojë”, tha Hasani për “PrizrenPress”.
Ai nuk ka pranuar të komentojë më shumë vendimin e kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit për zgjerimin e numrit të Këshillit dhe Kryesisë së re .”Nuk kam çka të komentoj shumë. Këshilli i Degës ka vendos, edhe pse është në kundërshtim me statutin e partisë”, tha Hasani.
Këshilli Drejtues i Degës së PDK-së në Prizren, mbrëm ka shtyrë zgjedhjet për Kryesi dhe kryetar të ri. Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi ka kërkuar që numri i anëtarëve nga 71 të rritet në 101 anëtarë.
”Prizreni është një qytet i madh dhe ishte pajtim i të gjithëve që të shtohet numri i anëtarëve të Këshillit Drejtues ”, ka thënë Thaçi.
Burimet e “PrizrenPress-it”, ndërkaq tregojnë se kërkesa e Thaçit për rritjen e numërit është miratuar në heshtje nga anëtarët e Këshillit Drejtues. “Askush nuk është ngritur për ta kundërshtuar këtë propozim. Të gjithë kanë heshtur “.
Zgjedhjet në Degën e PDK-së në Prizren, nga viti i kaluar janë shtyrë disa herë, për shkak të kundërshtimeve që kanë lindur në mes të përkrahësve të dy kandidatëve për kryetar, Ramadan Mujës dhe Nait Hasanit.
Muja nuk e ka shpallur kandidaturën për kryetar të PDK-së në Prizren.” Nuk e di a do të kandidoj apo jo” , ka thën Muja për “PrizrenPress”. Ai në Kuvendin Zgjedhor të PDK-së, ka marrë rreth 30 vota më pak se sa kundërkandidati, Nait Hasani./Indeksonline/