E Shtunë, 31 Tetor 2026

Najada Hamza: Vepra artistike, zbrazje e vetes



Ani Jaupaj

Kur e ndesh, qoftë rastësisht, një artist, fare pa patur ndërmënd t'i afrohesh, spikat tek ai detaje që e bëjnë të ndryshëm nga të tjerët. Një vështrim kuturu, ecje e çuditshme, tipare pra që i vishen fare natyrshëm mënyrës së të qenit një artist. Piktorja, Najada Hamza, nuk identifikohej me tiparet e mësipërme, ama, edhe nëse nuk të kish qëlluar ta shihje më parë, do ta kuptoje sakaq që ishte një e tillë. Të veshurit, të gërthiste qysh për së largu se kishte autorësinë e duarve të saj...Nga ato veshjet unike, që edhe më indiferenti, do ta toleronte cepin e syrit të devijonte më shumë se zakonisht. Ngjyrë, modele të ndërtuara sipas shijes së saj që e bënin të dukej bukur, brenda rehatisë që mund të të dhurojnë vetëm duart dhe fantazia jote. Tek të drejtonte në korridorin e ngushtë të Akademisë së Arteve, në pjesën e atelierit, ndihej po kaq shpejt të ndjerit mirë në atmosferën që ajo vetë ka ndërtuar. Veshjet me letër alumini, fijet e thurura në tehzgja, ndërtimet e çuditshme prej letre të vajosur ishin përqark ambientit të tyre të punës. Harroje për pak, prej përqendrimit në punë e prej impenjimit, që të gjithë aty ishin studentë. Pra, ndryshe nga ç'dukej, kishin fituar shkathtësinë e lëvizjeve që t'i jep koha...
Të dukej aty brenda, ardhur nga rutina e një përditshmërie pa shumë elementë të ngjashëm, sikur gjërat ndryshe, të perceptuara nga këta artistë të rinj me në krye profesorin e tyre, nisnin e merrnin fund aty. Ndërsa, përtej atyre mureve ku Najada punon e jeton përditë, njiheshe me ndijime, konceptime e punë të reja, krejt të ndryshme prej atyre që kishe parë pak më parë.
Një makinë e vjetër e viteve '70 e mbuluar e gjitha me barë, në kujtim të kohëve ku bari ishte ngado, kutiza të qelqta që vishnin fotografi të vjetra bardhë e zi, për të përcjellë ndjesitë rreth historisë që tregon, 7 evat që ndërthurin shtresëzime të ndryshme historike si nga pikëpamja formale a materiale...janë punë të sajat, pjesë e ekspozitës '28 maj' me të cilën Najada Hamza fitoi çmimin Kult në Artet Pamore.
Kurorëzimi i një pune me trofe, natyrisht që është ushqim i mirë për çdo artist. Në ndarjen e çmimeve , Najada Hamza, e gëzoi fitoren, ndër katër konkurrentë në artet pamore. Në ekspozitën "28 maji", janë të përfshira copëza nga e shkuara e përjetimet e saj...kujtimet e gjyshes tek gatuan, erërat e imazhet e asaj kohe, shtëpitë e vjetra, portretin e së bijës tek mendon ngjashmërinë me të atin e që nuk mund ta linin indiferente ndaj krijimit , ... Të gjitha këto Najada i ka thënë me gjuhën e saj të të shprehurit, atë që nënvetëdijshëm ka zgjedhur qysh në vizatimet e viteve të para të shkollës. Sot, prej vitesh drejtuese e Ateliesë së Tekstil-Modës në Akademinë e Arteve, pikvështrimet, raportet me të kaluarën, janë të tjera, prandaj edhe në kohë të ndryshme, shpërfaqen ndjesitë e dikurshme të ripërpunuara. Kur merr një çmim, duket sikur i gjithë mundi kurorëzohet më së miri, por në fakt çfarë ndodh me vijimësinë e të gjitha punëve, me efektin mbrapa...
Para se të marrësh një çmim, ti pranon të futesh në një garë. Përgjatë rrugës fitorja mendohet dhe dëshirohet, e kur e fiton këtë garë padyshim ndjehesh mjaft mirë!
Të them të drejtën mes artistëve, mes veprës së tyre, konceptit dhe qëndrimit, është vështirë të vendosësh standarde për t’i vlerësuar, për të përzgjedhur më të mirin! Të kuptuarit, të dashurit dhe të bërit art në të menduarit tim janë relative.
Efekti mbrapa, pra reflektimi im, ka ndodhur pas kryerjes së ekspozitës “28 maj”! Ajo çka ngjet në një ekspozitë, përballja me veten dhe të treguarit e historisë tënde të tjerëve, mbartin me vete një lloj zbrazje të paqtë, deri në lindje të cikleve të reja. Vepra tek unë vjen organikisht, vjen si provokim, vjen si nevojë e reflektim.
Si lind, te ju, një vepër nga çfarë ngacmimesh, për t’u kthyer më pas në përmasat e një ekspozite?
Shpesh, teksa mendoj në të përditshmen time, në rutinën dhe ecejaket e përditshme e gjej veten, nën imazhe kujtimesh, tek rrënjët, fëmijëria. Gjyshja ime më tregonte shpesh të njëjtën përrallë, flitej për princin Radovan e më pas unë e di përrallën veç me figura, ngjyrë, erë dhe shije. Nuk di ta flas e as ta shkruaj e aq më pak t’ia tregoj vajzës sime të vogël me fjalë. Njëfarësoj kjo është dhe struktura ime e krijimit.
Shpesh në përpjekjet e mia për të krijuar, rrekja për të kërkuar jashtë vetes më ka mbajtur peng, më ka krijuar mjaft iluzione, e së fundmi më ka tradhtuar. Një nga herët kur unë kam vendosur të rrëfej vërtetë është ekspozita “28 maj”. Vendosa të lidh pjesëza, ngjyra, aroma... Fillova të shkoj në një fill, një cikël veprash të krijuara në kohë të ndryshme e mendime të ndryshme, për ta ngritur ekspozitën, e cila në konceptin tim, falë instalimit dhe qëndrimit minimal do të ish një vepër e vetme, një trup i vetëm, ku forma dhe përmbajtja do të ishin bashkë.
Pse mori këtë emër ekspozita, pse shkëputët pikërisht këtë datë nga kalendari?
Ekspozita mori emrin e ditës kur u çel, pasi siç është dita e fëmijës kur lind, ajo ish dita e shfaqjes, dita e tregimit tim nga e përditshmja, ku ne shpesh ngatërrojmë ditët e datat. Unë vendosa që një ditë lehtësisht të harrueshme, një numër të zakonshëm ta shquaj, për të treguar që gjërat ngjasin në ditët e zakonshme, që jeta bëhet në ditë të zakonshme, që një vepër a kryevepër lind në ditë të zakonshme. Që një çmim mund të merret dhe për një ekspozitë që ka emrin e një dite muaji, dhe për subjekt më ka mua...
Një nga punët e ekspozitës, ka qenë pema gjenealogjike e familjes, së prejardhjes... Pse është përzgjedhur ajo?
Pema e familjes është një nga punët, një instalim që unë e desha dhe e pata të qartë që në fillim.
Po familja aktuale...çfarë fshihet brenda mureve të shtëpisë së dy artistëve?
Në fakt njëri nga ne ka mbetur artist vetëm së brendshmi...
Meqenëse i jeni rikthyer të shkuarës, kujtesën duhet ta keni mikeshë të mirë për të na treguar, se cilat kanë qenë rrethanat e para në të cilat keni menduar, apo ndjerë, se do të ndiqnit rrugën e arteve...
Nuk e kam menduar në një ditë, e as në shumë ditë! Kam vizatuar më mirë se të tjerët, falë një talenti të trashëguar nga cilësi të larta estetike të tim eti. Mësuesja ime e vizatimit në 8-vjeçare, thosh sa herë isha në lëndën e saj, që në klasë, unë dhe një shoku im ishim më të mirët. Pra, vizatonim më mirë, e më pas para tërë klasës ajo me kompetencë konfirmonte që konkursin mund ta fitonte vetëm ai shoku im i klasës. Në fakt konkursin e fitova unë e jo ai, por mësuesja duke afirmuar talentin tim të vogël në vizatim, pati meritën që më bindi, t’i hyja një rruge të mrekullueshme, të cilën e kam dashur më shumë pasi isha brenda saj!
Si është rritur kjo ndjesi, a nevojë?
Ajo çka mund të them, është se rruga ime artistike është një rrugë e shtresëzuar, reflektim i individualitetit tim artistik në të gjithë kontekstin dhe terrenin, ku është zhvilluar! Unë jam nga ata artistë, që jam shkolluar para viteve ‘90 dhe që kam krijuar dhe ekspozuar pas viteve ‘90. Kam jetuar dhe ndjerë të gjithë vlerën e lirisë, së bashku me kaosin, pyetjet dhe pikëpyetjet, që për hir të kontekstit, ku ne jetojmë e punojmë na mbajnë peng edhe sot. Kam besuar në një krijimtari burimore, të hapur dhe reflektive, karshi çdo lloj shkolle, kulture, ideje rryme apo frymëzimi. Informacioni dhe lidhjet e mija kulturore e shpirtërore me atë çka ngjet në botën e artit janë një model i mirë i pikënisjes.
Gjuha pamore, lexohet, pjesërisht nga mendimi dhe pjesërisht nga intuita figurative (në mos më së shumti). A e bën kjo më të vështirë depërtimin te shijuesi i saj krahasuar me format e tjera të artit?
Unë besoj që të shijuarit është çështje edukimi, informimi, kulture në përgjithësi. Më vjen keq të pranoj që shoqëria jonë është e pamotivuar të ketë, apo të kthejë vëmendjen tek ky fenomen. Por më vjen për të qarë, kur këtë gjë e bëjnë dhe elitat dhe kjo ndodh çdo ditë këtu tek ne. Arti, për fat të keq, ka qenë dhe vazhdon të mbetet ajo pjesë ku vëmendja nuk ekziston. Unë nuk besoj tek arti dhe artisti i cili përdor termin, apo mjetin, qoftë ky i quajtur bashkëkohor për të ngritur veprën e tij. Unë besoj te vetëdija, aftësia për të thithur e reflektuar në mënyrë individuale, besoj, provokimi dhe aftësitë për të njohur e zbërthyer fenomenin. Besoj në shumë formate të shprehjes, qofshin këto ideologjike a jo! Nuk besoj në tabu por në ndjesi.
Duke marrë shkas nga kjo, mungon promovimi i këtij arti apo shkaqet rrjedhin nga arsyet e mësipërme?
Arti nuk ndahet me lloje. Mënyra jofigurative e shprehjes është po aq e qartë për çdo artdashës apo individ i cili ka dëshirën dhe informacionin që e lejojnë të lexojë përtej figurës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›