Aguilera e dhunuar nga i ati: Im bir s’mund të ketë fatin tim
Në 8 qershor, i paraprirë nga kënga “Not Myself Tonight”, do të dalë albumi i saj i ri “Bionic”. Për “Vanity Fair” Cristina Aguilera ka rrëfyer si lindi disku i saj i fundit dhe dashurinë për djalin e saj, Max, lindur në janar të vitit 2008 dhe për bashkëshortin e saj Jordan Bratman, me të cilin është martuar në vitin 2005. Ajo gjithashtu tregon edhe për babain e dhunshëm, që kur ishte vetëm 4 vjeç e ka rrahur për vdekje, sepse kishte bërë zhurmë ndërsa ai flinte.
Vazhdoni ende të jeni e angazhuar pranë organizatave që ndihmojnë gra dhe fëmijë, viktima të abuzimeve?
Sigurisht. është një problem që e ndiej shumë afër, pasi bën pjesë në fëmijërinë time. Për shkak të tim eti, jam rritur mes britmave, zënkave dhe dhunës.
Mendoni se e kaluara mund të ndikojë në raportin që ju keni me djalin tuaj?
Nuk dua që Max të jetojë asgjë të ngjashme me atë çka më ka ndodhur mua. Le të themi që, ndoshta, jam më e ndjeshme dhe e kujdesshme kundrejt çdo forme sa do të vogël të dhunës, përfshirë edhe atë që ofron televizioni. Në shtëpi evitoj me çdo mënyrë debatet dhe çdo lloj tensioni.
E keni përkufizuar raportin me bashkëshortin tuaj, si “jo tradicional”. ç’kuptoni me këtë?
Që nuk kemi rregulla, përveç disiplinës, që me një fëmijë të vogël, nuk mund të bësh ndryshe. Ndihemi shumë të lirë kundrejt, për shembull, trupit tonë. Nuk kemi problem të rrimë lakuriq, apo të lahemi të gjithë së bashku. Unë përpiqem që të jem e ndershme dhe e hapur me tim bir. Aq më tepër, që Max po rritet në një shtëpi ku mami realizon video erotike. Ndër të tjera, im shoq dhe unë koleksionojmë art dhe shumë prej tyre janë goxha provokuese.
Pa përmendur faktin që jetoni në vilën në Beverly Hills, që i takonte Osbournëve, në stil gotik, ku është realizuar edhe një reality show...
Po dhe është qesharake, pasi nëse ka ndonjë gjë që nuk do bëja në jetën time, është një reality show. Por ka një kopsht shumë të bukur dhe pas saj kam studion time të regjistrimit. Mund të shkoj të punoj me tuta dhe pa më shqetësuar kush. është shumë komode.
Jeni e lumtur që jeni bërë nënë kaq shpejt? I keni thënë ndonjëherë vetes: Ndoshta duhet të kisha pritur dhe pak?
Ju siguroj që shtatzënia ime nuk ka qenë një incident. Isha gati dhe e dëshiroja. Pas një vit martese, dëshiroja një fëmijë, frytin e dashurisë që unë dhe im shoq, provojmë për njëri-tjetrin. Max më ka ndihmuar shumë të rritem. Kam mësuar shumë gjëra edhe mbi veten.
Nëpër intervista nuk lodheni kurrë së treguari, se sa baba i mrekullueshëm është bashkëshorti juaj. ç’e bën një burrë, një baba të mirë?
Bashkëshorti im është një njeri i ekuilibruar, i sigurt në vetvete, ambicioz dhe i paepur për të arritur objektivat e tij. Dhe këto cilësi për mua janë shumë të rëndësishme për një burrë dhe për një baba. Për një grua në pozitat e mia, nuk është e thjeshtë të gjesh një shok të fortë. Burrat tremben nga gratë e vendosura dhe të suksesshme. Ndoshta nuk e pranojnë, por është kështu. Jam shumë me fat që kam Jordan në jetën time. Ai është “shkëmbi” im.
E ju vetë, sa nënë e mirë ndiheni?
Kur i përcjell tim biri gjithë dashurinë time, kur e puth, e përqafoj dhe e bëj të ndihet i veçantë. Luajmë shumë së bashku. Së fundi i pëlqen të bëjë rolin e dinozaurit dhe të më ndjekë nëpër shtëpi. Ndërsa deri para pak kohësh ishte i apasionuar pas pastrimit. Merrte një leckë e fillonte të fshinte pluhurat.
Ka konflikt mes punës suaj dhe të qënurit mama?
E dimë të gjithë, që është e vështirë të jesh nënë dhe të bësh karrierë. Nëna ime i përkiste atij brezi grash që mendonin se duhej të linin gjithçka për t’u marrë me fëmijët. Dhe kështu, në një moment të jetës u gjend duke pyetur veten “çdo të ndodhte sikur...?” dhe të rimendonte gjithçka që do kishte dashur të bënte. Unë nuk dua pengje, dua të ndihem tërësisht e përmbushur si këngëtare dhe si nënë. Dhe mendoj se nëse je e kënaqur dhe e lumtur me jetën tënde, mund të jesh dhe një nënë më e mirë.