Mariana Leka - Për tre muaj isha Anna Bolena
Alma Mile
Përjetimet që provon nën lëkurën e dikut tjetër, ajo i merr me vete. E vështirë të ndahet prej tyre për muaj të tërë. Këtë jetë “dyfishe”, ndoshta askush nuk do ta kishte “duruar”, por Mariana Leka është një grua me fat. Njerëzit e saj më të afërt ia kanë krijuar të gjitha kushtet, që ajo të jetë, artiste me kohë të plotë. Prej tre muajsh, sopranoja Mariana Leka jeton me ethet e “Anna Bolenës”. është një vepër e re, një rol i ri, të cilin ajo e luan për herë të parë. Aq më tepër përpara shfaqjes, emocioni është i dyfishtë. Duhet të jetë e qetë, por edhe të ruajë zërin. Sot në mbrëmje, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ngjitet një nga veprat më të vështira të belkantos botërore, vepra e Gaitano Donixetit, “Anna Bolena”. Jo vetëm e vështirë vokalisht, por edhe për temën delikate që ajo trajton, fatin e Mbretëreshës së Anglisë, gruan e Enrikut të VIII, Annës, e cila dënohet me vdekje për tradhti bashkëshortore, incest dhe magji. Dhe Marianës, së butë, me atë buzëqeshjen e ngrohtë, i duhet të luajë pikërisht rolin e saj. “është një vepër shumë e bukur, por njëkohësisht edhe shumë e vështirë, si për nga stili, nga shtrirja vokale, emocioni që përshkon personazhin.. Kam studiuar fillimisht notat, pasi ky rol kërkon një shtrirje shumë të gjerë vokale, si në notat e poshtme, ashtu edhe në ato akute. Mendoj se i përshtatet më së miri vokalit tim”, thotë Mariana. Por asaj nuk i është dashur vetëm të studiojë notat. Me orë të tëra, solistja e TKOB-it ka shfletuar informacion, për të njohur nga afër personazhin që duhet të interpretojë, të mund ta kuptojë atë grua dhe shkaqet që çuan në fundin tragjik. “Për Anna Bolenën është shkruar shumë, janë bërë edhe filma. Ajo dënohet për magji, për inçest, tradhti bashkëshortore, akuza këto që nuk u vërtetuan asnjëherë. Megjithatë, nga sa kam lexuar mbi personazhin real, ajo s’ishte veçse viktimë e intrigave të të shoqit, i cili për të akuzuar atë për tradhti bashkëshortore thërret në pallat ish-të dashurin e Annës, me të cilin ajo kishte konsumuar vetëm një natë shumë vite më parë, por që në atë kohë, kjo mund të quhej edhe si një martesë”, shpjegon ajo. Por ngjarjet në opera fokusohen vetëm tek tradhtia bashkëshortore, duke lënë mënjanë akuzat e tjera. E teksa vë përballë njëra-tjetrës Marianën dhe Annën, pyet veten, se çfarë pikëtakimi mund të kenë këto dy gra. “Ana Bolena është një grua me një karakter shumë të fortë, e cila mbeti e tillë deri në fund. Pavarësisht fundit të saj, ajo arrin të fal. Fal bashkëshortin, por edhe rivalen e saj, Xhovanën, e cila në të vërtetë nuk ishte veçse shërbëtorja e saj. Dhe them se në këto dy pika, i ngjaj Ana Bolenës”. Mariana Leka është pa dyshim një nga sopranot më të mira që janë ngjitur në skenën e TKOB-it dhe jo rrallë heë ka ndodhur që partneri të mos jetë në nivelin e saj. Ajo thotë se në këto raste lodhja është e dyfishtë, pasi duhet të mbulosh edhe mangësitë e partnerit, por kësaj here duket se kasti i këngëtarëve me të cilët ajo këndon e plotëson më së miri. Që nga Armando Likaj në rolin e Enrikut të VIII, tek Vikena Kamenica, që luan një rol kyç, atë të Xhovanës. “Komunikojmë shumë mirë, thua se “jemi bërë për njëra-tjetrën””, thotë sopranoja, e cila prej tre muajsh punon për rolin e Annës dhe duke qeshur ajo pranon se gjatë kësaj kohe i ka mbetur ca borxhe familjes, bashkëshortit, Bujarit, djalit, Fabios, por pse jo edhe prindërve të bashkëshortit, që krenohen për të. “Më ka kushtuar lodhje, sakrifica, mungesa me orë të tëra në shtëpi. Por ndihem shumë me fat, pasi kam pasur gjithnjë mbështetjen e familjes sime, pa të cilën do ta kisha të pamundur. Bashkëshorti im dhe njerëzit e tjerë të familjes më kanë ofruar një komoditet të atillë, që unë të mos shqetësohem për asgjë tjetër veç rolit, në kohën kur jam duke punuar. Të them të drejtën, asnjëherë nuk më ka munguar qetësia shpirtërore”. Pas Annës, asaj i duhet të ndërtojë rolin e Desdemonës, një tjetër rol i ri, në një vepër po aq të fuqishme si “Otello”. I duhet të luajë sërish një rol me një fund tragjik, viktimë xhelozie. Por ky nuk është roli i parë me një fund të tillë. Ajo ka luajtur edhe Miminë, Violetën, Liunë, ço-ço Sanin... Përgjithësisht heroinat operistike janë krijuar për të vdekur. E kur e pyet nëse i ndodh të lodhet nga notat e forta tragjike, ajo thotë se të tilla role “kërkojnë një energji shumë të madhe. Janë role të lodhshme, por edhe kënaqësia që merr prej tyre është shumë e madhe, pasi ke mundësi të shijosh dhe të përjetosh tjetërsimin që ndodh brenda teje, nga njëri rol në tjetrin”.