E Shtunë, 31 Tetor 2026

Namik Dokle: Poezia për Saliun e hajnat në qeverinë e tij

TIRANE- Nënkryetari socialist i Kuvendit, Namik Dokle, i ka kthyer dje përgjigje përmes një poezie, kryeministrit Sali Berisha. Pas debatit të fundit që ata kanë zhvilluar në seancën e Kuvendit, Dokle shkruan në rrjetin social ‘Facebook’: “Para pak ditësh, në Kuvend, ndër të tjera i thashë edhe katër vargje për hajnitë e qeverisë, së cilës ai i rri në krye. Mrekullisht ato që thashë unë, i plotësuan shumë më bukur disa nga friends-at e mi. Po zgjedh një prej tyre për ta ndarë me të gjithë ju...”. Në një nga seancat e fundit të Kuvendit, kryeministri, gjatë debatit me deputetët e opozitës, i ka sjellë në vëmendje Dokles dramën e tij, “Shën Mëria e Beratit”. “Namik, ka një problem ajo vepër. Ajo ishte një atavizëm i së shkuarës. Propagandë antifetare e Enver Hoxhës. Unë nuk doja të politizoja debatin, por ajo nuk mund të shkruhej. Ata të cilët protestuan, përjetuan kalvarin më të egër se çdo klerik në Evropë. Ishte frymëzim i propagandës ateiste. Pse e quan veten iluminist, ti je rilindës”, - i tha kryeministri Berisha, gjatë asaj seance Dokles. Por i menjëhershëm qe reagimi i vetë nënkryetarit socialist të Kuvendit. Ai i tha kryeministrit Berisha, se drama më e madhe është se parlamenti ka kryeministër Berishën. “Kulmi i mediokritetit është të flasësh për diçka që nuk e ke parë dhe nuk e ke lexuar. Problemi i këtij parlamenti nuk është një dramë. Drama më e madhe është se ka kryeministër Berishën, ka varfëri dhe korrupsion”. E në atë seancë, Dokle ka lexuar një nga vjershat që tha se e ka bërë për kryetaren e Kuvendit, e cila gjithashtu u përfshi në debatin Berisha-Dokle. “Po bën ligje e po mashtron/ zhytur thellë në korrupsion/ dhe tashmë gjithkush e di/ bën hajni kjo qeveri”, ishin disa nga këto vargje. Ndërsa dje, Dokle ka publikuar në “Facebook” edhe disa rreshta më shumë, të cilët i ka shkruar edhe në bashkëpunim me miqtë e tij të “Facebook”-ut, shoqëruar edhe me një koment, me titull “Pas një replike me Saliun”.

POEZIA E POSTUAR NË ‘FACEBOOK’ NGA DEPUTETI I PS, NAMIK DOKLE PËR KRYEMINISTRIN, SALI BERISHA
Bën buxhet e vjedh para
Varfanjaku ha dhe s’ha
Dhe tashmë gjithkush e di
Është bandë kjo qeveri
Bën buxhet dhe na vë lakun
Tremb të riun, streson plakun
Dhe tashmë gjithkush e di
Është bandë kjo qeveri
Bën buxhet e grabit prona
Tallet ndyrë me jetët tona
Dhe tashmë gjithkush e di
Është bandë kjo qeveri
Bën buxhet edhe mashtron
Por dhe bufi e kupton
Se tashmë gjithkush e di
Është bandë kjo qeveri
Bën buxhet e vret shqiptarë
Siç na ndodhi në Janar
Dhe tashmë gjithkush e di
Është bandë kjo qeveri

(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›