E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano-Berisha, Dashuri në kohën e zgjedhjeve!?!

Ujrat janë turbulluar sërish në të mëngjër të politikës së Tiranës, ndërsa ai që herë është parë si peshkaqen e herë thjesht kandil deti, bëri të dytën deklaratë që nga dorëheqja e madhe. Fatos Nano, njëri nga dy burrat që kanë vendosur vulën në historinë e 16 viteve të fundit në Shqipëri, shfaqet sërish në horizontin rozë, pas një pritje të ethshme, që i kanë rezervuar sidomos shtypi dhe analistët, për më tepër edhe ata që thonë se Nano duhet të humbë vulën njëherë e përgjithmonë politikisht. Ish kryetari socialist, ka bërë kthimin e radhës, që prej deklaratës me telefon në një nga televizionet e Tiranës, një natë para kongresit ku për herë të parë kjo parti do të zgjidhje si me mëdyshje kryetarin e ri Edi Rama. Kthimi pritej, ndonëse askush nuk e dinte se cila nga hipotezat mediatike të hedhura nga analistët do qëndronte. Megjithatë, Nano është kthyer bash në një kohë, kur PS e Ramës ka bërë marrëveshjen e parë me demokratët në pushtet, dhe kur zgjedhjet vendore (testimi vendimtar për Ramën) po afrojnë me shpejtësi. Duket se nuk është e rastit që pak ditë më parë edhe një ish-deputet i PS u hodh nga anija rozë, për tu bashkuar me skafin e demokristianëve, ashtu siç nuk ëhstë e rastit dhe kjo dalje e Nanos pikërisht para zgjedhjeve. Nëse gjithçka do luhej sipas rregullave i binte që Nano të dilte në skenë pas zgjedhjeve. Kur mund të përjetohej një humbje e mundshme për të majtën me Ramën në krye. Megjithatë ai ka dalë më shpejt se koha e duhur, duke shkaktuar një dëm të pandreqshëm në PS, në një kohë kur kjo parti duhet të jetë e unifikuar dhe në sinkron me aleatët për atë se çfarë do bëjnë në këto zgjedhje. Nano ka nisur “pastrimin” në parti, ndonëse duket se do të përballet me një qendrësë të fortë nga pronari i ri i fortesës socialiste, që në njëfarë mënyre ka krijuar edhe grupin e mbështetësve të tij në parti. Në një kohë që Nano ka zbritur në bazë për të takuar fillimisht krerët e bashkive të PS-së që janë mbështetës të tij, Rama po përpiqet të mbajë shtërnguar radhët e deputëtëve, mes të cilëve të shumtë janë ata që ruajnë lidhjet me ish-kryetarin. Fatos Nano duket se po luan lojën vendimtare në skenën politike shqiptare, dhe sigurisht më të rëndësishmen. Shpesh Nano është përngjahësuar me liderë të tjerë të rajonit tonë siç janë (ishte) Andreas Papandreu në Athinë apo Sulejman Demireli në Ankara. Nano i ngjan Demirelit, pasi ky lider turk provoi gjithçka gjatë karrierës së tij politike mëse 45 vjeçare, që nga nëpunësi i thjeshtë, funksionari i lartë, ministri, burgu, kryeministri dhe më në fund karrigia e presidentit. Ishte e famshmja shprehja, se “Demireli ka ikur 6 dhe është kthyer 7 herë...”. Po ashtu edhe Andreas Papandreu, me lojrat e tij politike dhe më në fund me martesën sensacionale, duket se është pararendës i Nanos në botën politike të kësaj cope të Europës. Fatos Nano po luan kartat për karrigen e presidentin dhe këtë ka nisur ta bëjë haptazi. Nëse nuk e arrin, sigurisht që ai do të mjaftohet sërish me karrigen e tij të vjetër. Përveç pengesave që dihen, një tjetër qëndrim që do të pengojë Nanon në këtë rrugë drejt “presidentllëkut” është edhe mentaliteti se “a mund të jetë Berisha kryeministër dhe Nano president në të njëtën kohë”? Duke ju referuar zhvillimeve të vendeve që janë disa hapa para nesh në rajon, do kthehesha sërish në Ankara. Dy kundërshtarët politikë më të mëdhënj që nga vitet 60 të shekullit të klauar dhe deri në fillimet e mijëvjecarit të ri, (deri në vitin 2002) ishin Sulejman Demireli dhe Bulent Eceviti. Për mëse 4 dekada, ata përdorën të gjitha rrugët për të ulur poshtë njëri tjetrin, njëri në të djathtë e tjetri në të majtë. Por përfundimisht në vitin 1999, Sulejman Demirel, në atë kohë president dekretoi me dorën e tij emrin e Bulent Ecevitit në krye të qeverisë. Kjo ka qenë edhe periudha e “mjalttë” e dy dinozaurve të politikës turke. Shumëkush u çudit në atë kohë sesi ata mund të hanin nën një çati, nën çatinë e pushtetit, por ja që politika ka treguar se nuk ka rregulla strikte dhe të njëta për të gjithë, por ajo mbetet relative dhe e ndryshueshme sipas interesave të momentit dhe atyre afatgjata. Sali Berisha jo vetëm do të fitojë zgjedhjet vendore të radhës, (që duket se i ka në xhep po të shikojmë stuhinë në PS), por ai po mundohet të përgatitë edhe fitoren në vitin 2009 të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Të dy burrat “e fortë” Nano dhe Berisha, janë më afër se kurrë ëndërrës së tyre për të bashkëqeverisur, kësaj here jo në kahe të kundërta, por në të njëtën platformë, e cila do tu zgjatte jetën edhe të paktën një dekadë në politikën shqiptare. Të gjithë ata që mendojnë se ka ardhur koha e të rinjve, gabojnë. Nëse do merrnim sërish Demirelin shembull, në kohën kur ai mbylli mandatin si presidentin dhe nisën diskutimet për një rizgjedhje të tij të dytë, ndodhi një skandal. Demirel, të cilët nuk i pëlqenin qëndrimet kundër tij, lëshoi një batutë (ose më mirë një sharje) në një kohë kur po largohej nga një konferencë shtypi, duke kujtuar se kamerat ishin fikur. Të gjithë televizionet transmetuan në darkë gafën e madhe! Demirel, ndonëse 77 vjeç në atë kohë kërkonte me insistim të zgjidhej edhe për një 7 vjeçar tjetër në krye të shtetit turk. E pra, edhe Berisha (62) edhe Nano (53) e konsiderojnë veten edhe shumë të rinj si nga mosha por edhe nga kontributet politike për të ikur, dhe për të ulur në kolltukët e tyre, djemtë që i përzgjodhën, mbështetën dhe përgatitën vetë si në të majtë ashtu edhe në të djathtë. Nano i hapi kartat, tani është radha e Berishës për të vepruar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›