Letër e hapur Ambasadorit Attilio Masimo Iannuci!
I nderuar Zoti Ambasador!
Ajo e kishte emrin Bora. Tashmë emri i saj dhe kujtimi i bardhë do të mbetet vetëm në memoriet e atyre që e njohën. Ishte vetëm 9 muajshe, dhe shumicën e jetës së saj të paktë e kaloi në një vend tjetër ku bora kishte një tjetër emërtim. Dje ndërroi jetë... trupi i saj nuk i mbijetoi dot sëmundjes dhe komplikacioneve...Zoti i madh e mori atje... në Parajsën e Tij. Bora ndërroi jetë në një spital të Italisë ku po kurohej prej muajsh. Impenjimi maksimal i mjekëve të spitalit të Pizës, të cilët meritojnë një falënderim njerëzor, nuk mjaftoi që ta mbante Borën e vogël në jetë. Pranë saj, zoti Ambasador, qëndronte vetëm e ëma, Klaida një ekonomiste që punon në një nga bankat më të mëdha të Shqipërisë. Fatkeqsisht, babai i Borës, ishte larg...shumë larg...dhe këtë familje në dhimbje e ndante “kufiri” i Bashkimit Europian!!! Gentian Çekrezi, nuk arriti të merrte një vizë zoti Ambasador në institucionin që ju drejtoni, ndonëse trokiti mëse dy herë në portën tuaj. Ju kërkuat letra e letra, garanci e garanci pa fund për këtë njeri, që thjesht donte të ishte pranë dritës së syve të tij. Gentiani është jurist, diplomuar në Ankara të Turqisë dhe punon në një nga kompanitë më të mëdha të naftës në vendin tonë, ndërsa bashkëshortja e tij Klaida është diplomuar në London School of Economics në Britaninë e Madhe, besoj e dini që është një nga 3 shkollat më të mira të kësaj fushe në kontinetin tonë. Ata u ndanë, zoti Ambasador nga burokracia, dhe Genti nuk mundi ta shihte për 5 muaj me radhë vogëlushen. Të paktën njeriu ngushëllohet edhe kur të dashurit e zemrës i vdesin në duar, dhe nuk i mbetet peng në zemër gjithë jetën. Jo vetëm kaq zoti Ambasador. Jo vetëm kaq. Familja e Gentit dhe Klaidës, do të vuajë edhe për shumë kohë pasojat, pasi ajo grua e ka përballuar e vetme, tërësisht e vetme tërë dhimbjen e vdekjes së bijës, një pjese të trupit dhe shpirtit të saj. Në dyert e ambasadës suaj në rrugën Ismail Qemali në Tiranë, ndoshta vijnë shumë mashtrues, trafikantë, ordinerë... jam i sigurt që vijnë shumë. Megjithatë, ata punonjës që miliona italianë i paguajnë me taksat e tyre, duhet të dinë të zgjedhin dhe të ndajnë shapin nga sheqeri, duhet të dinë të ndajnë matrapazin nga hallexhiu. Genti dhe Klaida nuk ishin dy matrapazë, dhe as që mendonin të qëndronin në Itali. Po të donin do ta kishin bërë disa vite me parë, dhe do qëndronin në Angli ku iu dha edhe rasti. Por ata mbi të gjitha janë shqiptarë të mirë, që e duan këtë vend, megjithë problemet që ka. Nëse do kishin qëndruar andej, ndoshta edhe Bora e vogël nuk do të lindtte me probleme siç ndodhi në Tiranë, dhe nuk do të vuante kalvarin e dhimbjes. A e dini ç`më thanë njerzit e urtë të familjes së Gentit dhe Klaidës në rrethinat e Elbasanit, zoti Ambasador? Ata thanë : Shyqyr që ambasada i dha vizën edhe nënës që të çonte të bijën në Itali! Pra ata megjithë vuajtjen, jua dinë për falemnderit, Juve dhe popullit që përfaqësoni për atë mundësi kurimi. Megjithatë, kjo është shumë pak. Ka me mijëra njerëz, që kërkojnë mbështetje të kësaj natyre, janë njerëz hallexhinj të cilët bukën e tyre e konvertojnë në shkresurina të qelbura, e konvertojnë në kohë të harxhuar radhëve nën shi dhe diell, e konvertojnë në bileta dhe shpenzime mjekësore... Ka shumë zoti Ambasador. Ca ja arrijnë e ca jo. Megjithatë në fund, ata dinë të falënderojnë, në të dy rastet, sepse shqiptari i mirë di të mendojë për tjetrin edhe kur vetë është keq! Më kujtohen historitë e gjyshes sime zoti Ambasador, e cila më tregonte sesi gjyshi, në vitin 1943 ndihmoi katër italianë të fshiheshin nga forcat naziste në shpellat e Labërisë. I veshi me shajaket, gunat dhe fustanellat labe zoti Ambasador, sepse ata italianë, para së gjithash ishin njerëz. Pastaj i hipi në mushka dhe i kaloi nëpër male derisa i nxorri në zonën e Himarës. Aty i ndihmoi sa mundi të hipnin në anije dhe ata u kthyen te familjet e tyre, që i prisnin...dhe që as e dinin nëse jetonin apo jo! Ne dimë të ndajmë edhe pushtuesin nga nevojtari, dimë të ndajmë armikun nga njeriu! E kemi të shkruar në Kanun z Ambasador, “edhe nëse hasmi troket në portën tënde dhe kërkon ndihmë, bukë e mbështetje, do ja sigurosh”! Ne jemi të varfër dhe nevojtarë zoti Ambasador, por kurrsesi të këqinj, meskinë dhe mashtrues. Përgjithësimet dhe paragjykimet, gjithmonë kanë sjellë gabime të pariparieshme në perceptime dhe në marrdhëniet mes njerzve dhe popujve. Në këtë kohë kur ju shkruaj këto rreshta, ndiej rrënqethje në trup, pasi edhe unë kam fëmijë zoti Ambasador ashtu si edhe ju, ashtu si edhe punonjësit tuaj. Pa dashur të ngatërrojmë politikën në këtë çështje, do tju kujtoja se qeveria shqiptare ka hedhur hapa të rëndësishëm, sidomos duke luftuar trafikimin e qënieve njerëzore, sidomos duke pastruar Adriatikun. Sigurisht që e dini se kjo qeveri, mori edhe masa që mund t`i kushtojnë politikisht, jua ndaloi daljen me lundim në det qytetarëve të saj, por këtë e bëri që ata të kënë më shumë mundësi dhe garanci kur vijnë në derën tuaj, në derën e ambasadës greke, gjermane, britanike, amerikane etj. Kjo meriton të vlerësohet zoti Ambasador, nga vendi juaj, dhe nga anëtarë të tjerë të BE-së. Kjo meriton të vlerësohet duke u konvertuar në një trajtim më të mirë të qytetarëve që e kanë zgjedhur këtë qeveri, duke u konvertuar në më shumë viza dhe mundësi lëvizjeje i nderuar zoti Iannuci.
Mbetem me shpresën, se nuk do të ketë më “mbretër të shkurorëzuar” nga dhimbja, Gentë të tjerë shpresëthyer në dyert e ambasadës suaj, dhe në asnjë derë të Bashkimit Europian, ku ne duam të aderojmë një orë e më parë...
Pranoni konsideratën time të thellë,
Aulon Mehdiu
Gazeta START