E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano: E gabueshme kategorizimi për President

 Lëvizja për Nanon President, thekson se “Fatos Nano inkurajon të gjithë liderët politikë në vend që të bëhen së bashku në një Aleancë të Madhe Mirëbesimi, për të ndërtuar proçese të mirëbesuara e mirëkuptuara në mënyrë që të sigurohen produkte demokratike, të lira, properëndimore, proeuroatlantike”.

Më tej thuhet se Nano inkurajon Kryetarët e Partive politike të përfaqësuara në Kuvend, që të dalin nga ngërçi dinjitetrrënues dhe mundësizhbërës i kategorizimit të kandidaturave në politike, jopolitike, shoqëri civile, etj, etj, dhe të përqendrohen me përkushtim dhe mirëkuptim që të kërkojnë kandidatët më të mirë për të zgjedhur Presidentin më të mirë.

“Kategorizimi i kandidaturave është shprehja më e qarte e kulturës së gabuar jodemokratike, joperëndimore që nuk prodhon dot kurrsesi fryte pozitive për shqiptarët dhe Shqipërinë. Kategorizimi i kandidaturave dhe hulumtimi nëpër secilën kategori nga Kryetarët, duke përjashtuar arbitrarisht kategori të caktuara, apo emra të ndryshëm, është vetëm shprehi e paaftësisë dhe mendësisë së gabuar të kësaj klase politike që po rrezikon ta shndërrojë çdo ditë e më tepër Shqipërinë në një vend Kryetarokratik”, thuhet në reagim.

Fatos Nano shprehet se kategorizimi i kandidaturave u mohon shqiptarëve mundësinë për të patur në Krye të Shtetit të tyre, Presidentin më të mirë për ta. “Nëse Fatos Nano do të jetë Presidenti i ri, ai përkushtohet që të bëhet garant i plotësimit dhe përmbushjes së reformës zgjedhore, reformës parlamentare si edhe i të gjitha reformave të nevojshme bazuar në kriteret per anetaresim ne BE. Nëse Fatos Nano do të jetë Presidenti i ri ai do të garantojë e përkushtohet që të gjithë së bashku në mirëbesim e bashkërendim me njëri-tjetrin me mendësi e kulturë demokratike dhe perëndimore, të organizojnë në vitin 2013 zgjedhjet e para të lira, të ndershme e të pakontestuara sipas vullnetit, kulturës dhe standarteve më të mira evropiane”, thuhet gjithashtu. 

Sipas deklaratës, Presidenti i ardhshëm e ka për detyrë kushtetuese që të jetë negociator, paqebërës, institucional, sipërmarrës politik, unifikues, zgjidhës konfliktesh si edhe garant i një zgjedhjeje të drejtë dhe me maturi demokratike në respekt të instrumenteve demokratike brenda vendit dhe kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë euroatlantikë, për Kryetarin e SHISH, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Përfaqësuesit e Gjyqësorit. /Start/

                                                                                             2012-06-05 16:53
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›