E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano: Edi Rama është njeriu që ndan PS-në, jam gati tju udhëheq

Ish-lideri i Partisë Socialiste, Fatos Nano

Ish-lideri i Partisë Socialiste, Fatos Nano, pas ftesës së marrë nga kreu i opozitës Edi Rama, për 21-vjetorin e themelimit të PS-së ka lëshuar akuza të rënda ndaj Ramës.

“Edi Rama është njeriu që na ndan, dhe që ka sjellë vetëm humbje, ndërsa unë jam gati tju çoj drejt fitoreve të reja”.

Nano në fjalën e tij veç akuzave për Ramën, demonstroi edhe vlerat dhe kontributet e tij që ka dhënë, kur ishte në krye të PS-së.

Ne së bashku ngritëm standarde të reja, ndërtuam modele të reja, ndërtuam vlera e histori, të cilat ende dhe sot mbeten të paarritshme dhe të pakonkurrueshme nga kundërshtarët tanë politikë. Unë ju bëj thirrje të dashur socialistë që ne të vazhdojmë të ecim bashkë, të fitojmë bashkë e ta qeverisim dhe transformojmë Shqipërinë bashkë. Unë jam tashmë para jush i gatshëm për tju udhëhequr drejt fitoreve të reja, tha Nano.

Ish-kreu i PS-së, Fatos Nano tha se, i vetmi që na ndan ne sot është vetëm ai njeri që e quan veten kryetar të Partisë Socialiste, edhe pse ai që ditën që ka vënë këmbë në krye të partisë sonë, ka shkaktuar veç humbje, humbje, dhe humbje. Edi Rama sot ju ka shkaktuar juve të dashur socialistë humbjen e radhës.

Nano në fund të deklaratës së tij iu drejtua socialistëve duke i thënë, Të ngrihemi përtej kryetarit aktual, Edi Rama, dhe ta bëjnë Partinë Socialiste dhe Shqipërinë fituese me Fatos Nanon. Sistemi humbës që ka instaluar Edi Rama duhet shembur dhe ndryshuar. Të bëhemi bashkë që të fitojmë bashkë! Gëzuar festën e themelimit, u shpreh Nano. /E.L/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›