Nano: Pakti i Ramës, truk politik, liderët të heqin dorë nga interesat personale
Ish-kreu i PS jep mesazhe për të dy kampet e mëdha politike. Nuk komenton të ardhmen e tij politike dhe ambicien e vjetër për postin e kreut të shtetit
Jo vetëm mazhoranca shprehet kundër paktit të propozuar nga lideri i opozitës Edi Rama, por edhe paraardhësi i tij në krye të Partisë Socialiste, ish-kryeministri Fatos Nano, nuk e sheh atë si një variant të besueshëm dhe me të cilin duhet të merret politika shqiptare. I pyetur nga mediat lidhur me situatën politike në vend dhe mundësitë që ekzistojnë që pakti i propozuar nga Rama të mund të sjellë zhvillime pozitive, ish-kreu socialist jo vetëm që nuk sheh asnjë shpresë në këtë drejtim, por e injoron atë plotësisht duke e konsideruar si truk politik të lidershipit socialist. “Po flasim për gjëra serioze, jo për truke”, - u shpreh Fatos Nano lidhur me pyetjen që iu drejtua për paktin dhjetëpikësh të propozuar nga kreu socialist Edi Rama dhe mundësitë që ekzistojnë që ai të kthehet në një mjet për të zgjidhur krizën.
Apeli
Ndërkohë, duke parë dhe shpresat e pakta që ka vendi ynë për të marrë një përgjigje pozitive nesër për sa i përket statusit të vendit kandidat, ish-kryeministri Fatos Nano duke u nisur edhe nga eksperienca e tij e gjatë politike, u ka përcjellë një mesazh të qartë liderëve politikë aktualë, duke u sugjeruar që t’i kthehen debatit të vërtetë politik. Madje në këtë pikë, Nano pa përmendur emra konkretë, por duke lënë të kuptohet se i drejtohet pasardhësit të tij në drejtimin e PS-së, theksoi se ka ardhur koha që liderë të veçantë duhet të heqin dorë nga interesat e tyre të ngushta që dëmtojnë interesat e vendit. “Por pavarësisht kësaj, unë do nxisja vëmendjen e munguar për të arsyetuar me qetësi dhe me përgjegjshmëri europiane për vendin, nevojën e kthimit në debatin e vërtetë politik duke u larguar nga interesat e dëmshme që karakterizojnë një pjesë të liderëve në vend”, - u shpreh Nano. Duke iu përmbajtur kësaj nevoje, ish-kryesocialisti bën të ditur se edhe faktori ndërkombëtar i ka bërë të ditur detyrimet që ka klasa politike shqiptare për sa i përket procesit të integrimit. “Mesazhet e duhura i ka marrë tashmë klasa politike për mënyrën sesi duhet të veprojë”, - tha Nano.
Rishfaqja
Komentet, Nano i bëri gjatë ceremonisë së homazheve për ish-Presidentin Ramiz Alia. Nano ishte nga të paktët politikanë që theu heshtjen dhe jo vetëm që komentoi lidhur me figurën e Alisë, por edhe mori pjesë në procesin e homazheve që vetë shteti organizoi në Shtëpinë e Ushtrisë. Megjithatë, këtë rikthim në publik ai nuk ka dashur ta konsiderojë edhe si një moment për t’u rikthyer sërish jetës aktive politike, qoftë kjo edhe nëpërmjet një lëvizjeje të re politike, siç edhe është folur shpesh kohët e fundit. Pyetjes lidhur me këtë pikë, Nano i ‘ka bërë bisht’ duke mos komentuar nëse do të kthehej apo jo në politikë, dhe as nëse kishte sërish ambicie për garën e ardhshme presidenciale që do të zhvillohet vitin tjetër, megjithëse asnjëherë nuk e ka mohuar një gjë të tillë.