Rama: Berisha të thotë a e pranon paktin apo jo
“Saliu duhet ta thotë publikisht, do apo nuk do që deri në maj të kemi mbyllur një proces që zvarritet pa asnjë justifikim të mëtejshëm.”
Partia Socialiste jo vetëm që nuk heq dorë nga pakti i saj “Për Shqipërinë si gjithë Europa”, por ka shkuar edhe më tej duke i përcaktuar mazhorancës edhe afatet se kur ajo mendon se duhet të realizohen. Duke folur para deputetëve gjatë mbledhjes së radhës të grupit parlamentar, kryesocialisti Edi Rama i është rikthyer sërish paktit, duke këmbëngulur në marrjen e një përgjigjeje zyrtare nga kryeministri Sali Berisha, nëse do apo jo që të ulet dhe të diskutojë për pikat që përfshihen në këtë pakt. Ndërkohë që gjatë komunikimit të djeshëm, kreu socialist ka bërë një sërë premtimesh, ku më kryesoret kanë qenë ato që prekin fushën ekonomike dhe taksat, duke premtuar uljen e tyre.
Gjykata Administrative
Pas një hyrjeje të gjatë që ka bërë në lidhje me nismat e socialistëve për të ulur taksat e ushqimeve bazë dhe ilaçeve dhe si të një nisme tjetër të pritshme për energjinë elektrike, Rama u ndal te pakti i propozuar prej tij duke i kërkuar kundërshtarit të tij politik që të shprehet qartë dhe zyrtarisht lidhur me të. “Duam vetëm të ndërtojmë një proces politik europian, në Kuvendin e Shqipërisë, për të adresuar çdo reformë që Kushtetuta e parasheh me konsensus. Për ne, votimet me 3/5 quhen reforma të shtet-ndërtimit të një vendi kandidat për Bashkimit Europian. Jo qoka, as arna, për t’i hedhur hi syve Bashkimit Europian. Kemi propozuar një pakt për këto reforma. I ribëj apel Saliut të mos vazhdojë të shikojë gishtin, kur gishti tregon hënën”, - tha Rama. Më tej duke marrë në analizë secilin prej pikave kyçe që përmban ky pakt, ai është ndalur pikërisht te ligji për Gjykatën Administrative, por për të gjitha ato ligje të tjera që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë. Përsa i përket Gjykatës Administrative, Rama ka bërë të qartë se socialistët nuk janë kundër saj, por janë kundër një gjykate tjetër që do t’i shtohej sistemit aktual të drejtësisë, që sipas tij është i korruptuar. “Shumë ndër ju kanë kërkuar dhe kërkojnë një Gjykatë Administrative. Keni dëgjuar qëndrimin tonë. Ashtu siç keni dëgjuar edhe spekulimet e shpifjet e panumërta për qëndrimin tonë. Ne nuk jemi kundër Gjykatës Administrative. Ne jemi kundër një gjykate tjetër që shtohet në hallkën e gjykatave të korruptuara e të kontrolluara nga Saliu për hesapet e tij. Nuk duam ta mbajmë peng ligjin për Gjykatën Administrative. Duam vetëm ta bëjmë pjesë të një reforme tërësore të sistemit të drejtësisë. Të mandatojmë nga Kuvendi komisionin e Ligjeve, për të hapur tryezën e përbashkët të reformave të shtetndërtimit të një vendi kandidat. Dhe të biem në një mendje që, deri në maj, të kemi miratuar reformat bazë”, - tha Rama. Ndaj, lidhur me këtë çështje kreu socialist duke u shprehur i gatshëm që ligjin për Gjykatën Administrative ta vendosë në krye të këtij pakti, është shprehur: “Saliu duhet ta thotë publikisht, do apo nuk do që deri në maj të kemi mbyllur një proces që zvarritet pa asnjë justifikim të mëtejshëm”.
Reforma Zgjedhore
Rama është ndalur gjatë edhe te një temë tjetër e nxehtë e këtij pakti, reforma zgjedhore, për të cilën ai i ka kërkuar Berishës që të mbajë premtimin e dhënë publikisht dhe të pranojë të votojë çdo propozim të socialistëve që do të merrte më parë dritën jeshile nga Komisioni i Venecias dhe ODIHR. “S’mjafton të përsërisë si në jerm hajde të fillojmë, por duhet të shprehet publikisht për dy pika: E para, a është dakord që komisioni t’i adresohet ODHIR-it dhe/ose Venecias për propozimet e opozitës që atij nuk i duken të arsyeshme? E dyta, a është dakord që të angazhohet, publikisht, para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar, që reforma të mbyllet në mars? Unë them Saliu s’do, as njërën as tjetrën”, - tha Rama. Ndërkohë që përsa i përket pikës tjetër, reformës parlamentare, Rama është shprehur dakord me qëndrimin e demokratëve dhe ka pranuar logjikën e tyre që Rregullorja e Kuvendit të përshtatet me normat dhe standardet e rregullores së Parlamentit Europian. Lidhur me këtë ai ka theksuar se ka mandatuar Ditmir Bushatin që të studiojë këtë rast dhe të bëjë propozimet konkrete. Edhe për këtë reformë ai ka dhënë si afat maksimal të realizimit muajin dhjetor. Kryesocialisti ka shprehur gjithashtu nevojën edhe për trajtimin e pikave të tjera, si zgjedhja e kreut të KLSH, Avokatit të Popullit, apo bordit të Bankës së Shqipërisë, duke evidentuar se pavarësia e këtyre institucioneve është një domosdoshmëri për rikthimin e shtetit ligjor.