E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eugen Isai: Projektet tona, para përfundimit të rrugës Tiranë-Elbasan

Kryetari i Qarkut Elbasan, Eugen Isai, tregon në një intervistë për MAPO-n impaktin e rrugës së re dhe projektet me të cilat po punohet, që kjo rrugë të sjellë impaktin e duhur. Ai komenton problemet sociale, përpjekjet për zhvillimin e qëndrueshëm dhe procesin e regjistrimit të popullsisë në Elbasan

Intervistoi: Fatos Salliu

Elbasani po bëhet gati për rrugën e re, duke implementuar projekte për zhvillimet e pritshme. Kryetari i Këshillit të Qarkut, Eugen Isai, pohon në një intervistë për MAPO-n se po punohet në infrastrukturë dhe kapacitete njerëzore, në mënyrë që përfundimi i rrugës Tiranë-Elbasan të japë impaktin e duhur për këtë qytet. Isai komenton edhe prioritetet e punës së tij, që lidhen me hartimin e planeve rregulluese për të gjitha qytetet që mbulon qarku i Elbasanit, gjetja e një zgjidhjeje për vend-depozitimin e plehrave dhe fokusimin te çështjet sociale në qytet.

Z. Isai, cila do të jetë filozofia e drejtimit të Këshillit të Qarkut gjatë mandatit të ardhshëm 4-vjeçar, kur shumë shpejt pritet të përfundojë rruga Elbasan-Tiranë?

Për të përmbushur misionin e tij, Këshilli i Qarkut Elbasan, në ndërtimin e zbatimin e politikave rajonale dhe harmonizimin me politikën shtetërore, ka përcaktuar filozofinë e drejtimit për katër vitet që vijnë. Hedhja e bazave për zhvillim të qëndrueshëm rajonal është përcaktuar si rruga e duhur e qeverisjes. Rruga Elbasan-Tiranë çel perspektiva të mëdha për Elbasanin dhe njësitë vendore të tij. Ndaj, ky investim gjigant i qeverisë shqiptare po paraprihet me projekte për qytetin dhe gjithë zonën e Shqipërisë së Mesme, në mënyrë që përfundimi i rrugës të sjellë impaktin e dëshiruar. Zhvillim të paparë pritet të marrë ekonomia, industria, turizmi, bujqësia, ndërtimi, komunikacioni, punësimi etj. Ne po përgatisim të gjitha potencialet infrastrukturore e kapacitetet njerëzore për të qenë në koherencë të plotë me zhvillimet e pritshme. Për të arritur këtë objektiv, është parë e rëndësishme të punohet duke rritur bashkëpunimin me njësitë vendore të nivelit të parë, nxitjen dhe zhvillimin e projekteve të ndryshme të tyre.

Ndërtimi i politikave rajonale dhe bazat për një zhvillim të qëndrueshëm shoqërohen me projekte. Cilat janë disa nga projektet aktuale dhe në perspektivë të qarkut Elbasan?

Një nga projektet e rëndësishme ku është i përfshirë aktualisht Këshilli i Qarkut Elbasan është hartimi i Strategjisë së Zhvillimit. Për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm rajonal, domosdoshmëri ishte ndërtimi i një Strategjie Zhvillimi, që do të harmonizonte në vetvete planet zhvillimore të njësive vendore të veçanta me planet e programet Kombëtare të zhvillimeve. Për të realizuar këtë, ne u përfshimë në projektin e PNUD-it “Mbështetje e integruar për decentralizim”, i cili do të finalizohet me hartimin e një Strategjie Zhvillimi të Qarkut të Elbasanit, duke qenë një nga 4 qarqet pilot të këtij projekti. Janë zhvilluar shumë takime me përfaqësues të PNUD-it dhe ekspertë të huaj, procesi është duke vijuar për hartimin e Strategjisë së Zhvillimit. Në këtë kuadër është bërë edhe përzgjedhja e projekteve të investimit për t’u financuar në bazë të prioriteteve të përcaktuara, të cilat kapin shifrën e 700 mijë eurove. Projekte të rëndësishme në të cilat është fokusuar puna e institucionit tonë prej kohësh është hartimi i planeve të Përgjithshme Rregulluese të 6 bashkive: Librazhd, Përrenjas, Peqin, Belsh, Gramsh e Cërrik. Synohet që ky proces të mbyllet gjatë këtij viti me miratimin përfundimtar të Planeve të Përgjithshme Rregulluese të 6 bashkive (duke e bërë qarkun e Elbasanit të vetmin qark ku bashkitë janë të pajisura me Planet Rregulluese) si dhe Studimet Urbanistike për Fushë-Studën dhe Krastën e Madhe. Në proces janë gjithashtu edhe Studimet Urbanistike për Treganin (Llixhat e Hidrait) si edhe Zona e liqeneve në Komunën Tregan, bashkëpunim ky me Fondacionin ALCDF, që mbështet projekte zhvillimi për zonat rurale. Prej kohësh kemi hartuar Planin e Veprimit të Turizmit për Qarkun Elbasan, me qëllim promovimin e rajonit të Elbasanit si destinacion turistik dhe ndodhemi në fazën e përmbushjes së objektivave afatmesme dhe afatgjata. Përmendim këtu botimin e Guidës turistike për qarkun Elbasan, produkt i angazhimit të institucionit tonë dhe kontribut i drejtpërdrejtë në promovimin e aseteve më të mira historike, të trashëgimisë kulturore etj.

Në aspektin social çfarë pritet të përmirësohet?

Në fokus të veçantë kemi patur problemet sociale e në mënyrë të veçantë mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. U hartua plani social i zonës, i cili shumë shpejt do të botohet. Pranë Këshillit të Qarku është ngritur Njësia e Mbrojtjes së të Drejtave të Fëmijëve, në bashkëpunim me UNICEF-in, një bashkëpunim i suksesshëm që do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Jemi përfshirë në hartimin e strategjisë rome për qarkun, duke synuar sjelljen e çështjeve të këtij komuniteti në vëmendje të axhendës sociale. Duke vlerësuar punën me projekte të nisura nga drejtuesit e mëparshëm të këtij institucioni: zoti Ardjan Turku dhe zoti Blendi Himçi, si bazën e suksesit, besoj se edhe në të ardhmen angazhimi ynë në këtë drejtim do të mundësojë afrimin dhe zbatimin e shumë projekteve me rëndësi për zhvillimin e integruar rajonal.

Gjatë prezantimit tuaj theksuat faktin që do të jeni kryetar i të gjithëve, se Këshilli i qarkut do të qëndrojë mbi partitë në filozofinë e tij të drejtimit. Si e keni konceptuar bashkëpunimin me njësitë vendore?

Punën tonë e kemi parë të lidhur ngushtë me njësitë vendore, duke synuar krijimin e sinergjisë në kapacitete njerëzore e financiare, për të mundësuar hapësira bashkëpunimi dhe realizimi iniciativash të përbashkëta zhvillimi. Për të mundësuar zbërthimin dhe zbatimin e politikave rajonale të zhvillimit dhe harmonizimin me politikën shtetërore, kemi bashkëpunuar ngushtësisht me të gjitha njësitë vendore. Fillimisht janë përcaktuar prioritetet e zhvillimit, të cilat shërbejnë si busull për investimet e realizuara. Në mënyrë të veçantë kemi bashkëpunuar në ngritjen e kapaciteteve, duke organizuar vazhdimisht takime, trajnime e shkëmbime përvoje me punonjës të këtyre njësive vendore. Një drejtim i rëndësishëm i bashkëpunimit ka qenë hartimi i projekteve në ndihmë të njësive vendore. Për këtë qëllim, Drejtoria e Hartimit të Projekteve Teknike dhe Hartografisë ka realizuar matje në terren si dhe projekte për dhjetëra kilometra rrugë rurale të qarkut tonë. Këto projekte kanë gjetur financim nga buxheti i shtetit apo nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Puna në këtë drejtim vazhdon me impenjim të plotë dhe punonjësit tanë vazhdojnë paralelisht punën në terren si dhe në hartimin e projekteve teknike për mjaft rrugë, të cilat u vijnë në ndihmë një numri tepër të madh banorësh të qarkut tonë dhe më gjerë. Së shpejti do të fillojnë takimet me njësitë vendore për të parë më nga afër mundësitë e bashkëpunimit. Gjatë këtij mandati do të synohet të forcohet ky bashkëpunim, duke mundësuar realizimin e projekteve konkrete dhe duke siguruar mundësi për investime, që do t’i shërbejnë zhvillimit të qëndrueshëm rajonal.

Fusha e plehrave e qytetit të Elbasanit është cilësuar si “bombë mjedisore”, por probleme me vend-depozitimet e mbeturinave kanë pothuaj të gjithë qytetet dhe komunat e prefekturës. Si do të zgjidhet kjo problematikë e mprehtë?

Një nga problemet më të mëdha në qarkun tonë mbetet ai i vend-depozitimit të mbetjeve të ngurta urbane. Është një problem që pothuaj të gjithë banorët e qarkut tonë e përjetojnë në një mënyrë apo tjetër. Gjatë kësaj kohe, vëmendja mediatike ka qenë e fokusuar në fushën ekzistuese të grumbullimit të mbetjeve të ngurta urbane të qytetit të Elbasanit, në afërsi të lumit Shkumbin, që është kthyer në një “bombë mjedisore”, por situata nuk paraqitet më e mirë edhe për shumë njësi të tjera vendore të qarkut tonë. Ka patur përpjekje ndër vite për të gjetur një zgjidhje për këtë problem madhor, por që ende nuk janë konkretizuar. Nga ana jonë është ofruar gjithnjë angazhimi i nevojshëm dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë me të gjithë aktorët dhe faktorët që mund të ndikojnë në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme. Vizioni ynë është që ky problem të zgjidhet duke u parë në këndvështrim rajonal, pra vend-depozitimi i ri të shërbejë për një numër të madh të njësive vendore. Shembujt pozitivë na vijnë nga disa qarqe si: Korça, Shkodra, Gjirokastra etj. Do të këmbëngulim në këtë drejtim për të gjetur sa më parë një zgjidhje, që qytetarët e presin me padurim. Ka angazhim të dukshëm nga qeveria qendrore, e cila synon të bëjë më të mirën për Elbasanin. Nga projekti për ndërtimin e landfilleve për 12 prefekturat e vendit, Elbasani do të fitojë ndër të parët. Jemi totalisht të angazhuar e do të gjejmë zgjidhjen më të mirë për banorët e qarkut tonë.

Edhe në Qarkun e Elbasanit ka nisur procesi i regjistrimit të popullsisë dhe ju si kryetar qarku jeni edhe në cilësinë e kryetarit të Komisionit Qendror të CENSUS-it. Si po vijon ky aksion i madh demografik?

Censusi i popullsisë dhe banesave është një proces i rëndësishëm, sepse përmes tij politikëbërësit do t’i përdorin të dhënat e mbledhura për të planifikuar një gamë të gjerë shërbimesh në përputhje me nevojat e qytetarëve. Prej datës 1 tetor, ky proces ka nisur të realizohet në terren. Por puna ka nisur mjaft më herët. Procesi drejtohet nga INSTAT, ndërkohë që në çdo qark dhe njësi vendore të nivelit të parë janë ngritur Komisionet e Censusit. Në cilësinë e kryetarit të Komisionit Qendror të Censusit për Qarkun Elbasan, kam dhënë gjithë mbështetjen time për të mundësuar zhvillim sa më normal të procesit. Janë zhvilluar dy mbledhje të këtij Komisioni, ashtu siç e parashikon rregullorja e funksionimit të tij, një në muajin gusht dhe tjetra në muajin shtator, për t’i paraprirë çdo problemi të mundshëm. Nga ana e përgjegjësit të INSTAT-it në qark janë bërë evidente problemet e hasura, të cilat janë vlerësuar maksimalisht nga ana jonë dhe në komunikim me drejtuesit e njësive vendore është gjetur zgjidhje rast pas rasti. Kështu ka patur probleme në disa njësi vendore për mosplotësim të numrit të nevojshëm të anketuesve, përzgjedhjen e anketuesve, mbulimin e disa zonave të caktuara, shpërndarjen e materialeve sensibilizuese për Censusin etj. Probleme që kanë gjetur zgjidhje në saje të angazhimit të përbashkët dhe deklaroj me kënaqësi që procesi i rëndësishëm i Censusit në qarkun tonë po ecën mirë.

Plehrat në Elbasan,

“bombë” mjedisore

Një nga problemet më të mëdha në qarkun tonë mbetet ai i vend-depozitimit të mbetjeve të ngurta urbane. Është një problem që pothuaj të gjithë banorët e qarkut tonë e përjetojnë në një mënyrë apo tjetër. Vëmendja ka qenë e fokusuar në fushën ekzistuese të grumbullimit të mbetjeve të ngurta, në afërsi të lumit Shkumbin, por situata nuk paraqitet më e mirë edhe për shumë njësi të tjera vendore të qarkut tonë.

“Censusi në Elbasan

po ecën mirë”

Nga ana e përgjegjësit të INSTAT-it në qark janë bërë evidente problemet e hasura, të cilat janë vlerësuar maksimalisht nga ana jonë. Kështu, ka patur probleme në disa njësi vendore për mosplotësim të numrit të nevojshëm të anketuesve, përzgjedhjen e anketuesve, mbulimin e disa zonave të caktuara, shpërndarjen e materialeve sensibilizuese. Deklaroj me kënaqësi që procesi i rëndësishëm i Censusit në qarkun tonë po ecën mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›