E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano: Rama zhbëri partinë. Socialistët të reflektojnë

02/07/2010 Ish-kryetari i PS-së analizon situatën politike në vend. Shigjeton pasardhësin

Lidershipi socialist merr një tjetër goditje nga ish-kryetari i PS-së, Fatros Nano, e kjo për shkak të mënyrës së funksionimit të kësaj partie, nën kryesimin e kreut Edi Rama. Në këtë mënyrë, ndalur pikërisht në situatën konfliktuale politike, në gjykimin e ish-liderit Nano nuk mund të flitet për një debat politik mes opozitës dhe pozitës, por vetëm për një përplasje mes pushtetit qendror dhe atij lokal. Në këtë kontekst, sipas tij, pas ardhjes së Ramës në PS, kjo parti nuk luan me rolin e saj. “Pushteti vendor bën opozitë me pushtetin qendror”, vuri në dukje ish-kryetari i PS-së, Nano, gjatë dorëzimit të titullit “Nderi i Lunxhërisë”, që iu akordua babait të tij, Thanas Nano, pas vdekjes, nga komuna me të njëjtin emër, me motivacion “Për kontribut të shquar në fushën e edukimit dhe medias”. Ndërkohë që fokusuar në zhvillimet politike, ish-kryetari socialist duke mbajtur pozicionin e tij të preferuar, e pikërisht të të qenit mbi palët, zgjedh të piketojë tri palë në skenën politike. “Flas për palë jo për parti. Pra, mazhoranca qendrore, opozita që vende-vende është mazhorancë, si këtu në Gjirokastër, dhe ndërkombëtarët që të gjithë thonë mezi i kemi”, u shpreh Nano, gjatë analizës së tij mbi situatën politike në vend. Por nga ana tjetër, ish-kryesocialisti nuk harron ti mëshojë me forcë faktit se të tri këto palë duhet të nxiten vazhdimisht, me qëllim që secila të bëjë punën që i takon. Njëkohësisht, përmes fjalëve të zgjedhura, por dhe duke mos hequr dorë nga linjat krahasuese, Nano zgjodhi të përshtatë debatin politik me artin skenik. “Për ta zhdramatizuar situatën, atë që duket si tension politik, i stisur, le të përdorim kategoritë e artit skenik, për të kuptuar qartë dramën, komedinë dhe tragjedinë”, u shpreh Nano, gjatë bisedës me miqtë dhe të ftuar në një event të tillë. Gjithashtu, duke shtuar më tej, ish-kryetari Nano sqaroi se “njëra është në pozita komike dhe kjo është Qeveria, sepse ka me se, ka se ku, por ska me kë. Në pozita dramatike qëndrojnë ndërkombëtarët, sepse kanë me se, kanë me kë, por skanë se ku: në Strasburg, Tiranë apo në Gjirokastër. Ka edhe një palë në pozita tragjike, që është opozita, që kanë se ku, kanë me kë, por skanë me se”. Madje, duke qëndruar në këtë palë të tretë, Nano nuk harroi dhe apelin për ta. “Po pres që ata (PS) që kanë me se të bëhen partnerë me ata që kërkojnë me kë dhe ta bëjnë këtë vend, më në fund jo vetëm anëtar të NATO-s, por edhe të BE, që janë këtu në kufijtë tuaj”, vlerësoi Nano, gjatë fjalës së tij.

Titulli

“Im atë lindi 94 vjet më parë, më 23 mars në Nokovë, zonë e Lunxhërisë. Ndoqi studimet në Elbasan dhe pas Luftës së Dytë Botërore u martua dhe bëri katër fëmijë, tri vajza dhe një djalë. Ky titull është një vlerësim për kontributin e vyer të Thanas Nanos.”

Qëndrimi

Duke marrë shkak nga ndërprerja e energjisë elektrike, gjë që ndikoi në transferimin e ambientit nga kinemaja e re drejt hotel “Çajupit”, ish-kryetari Nano u shpreh se “këto vogëlsira nuk do të më detyrojnë mua të kthehem në politikë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›