E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembjet, përleshen me policinë banorët e Hamallaj

02/07/2010 Përplasja, dëmtohen lehtë 2 policë dhe disa shtetas. Policia arrestoi 7 persona

DURRES- Ka degjeneruar në dhunë fizike dhe përdorim të lëndëve tymuese artizanale mes banorëve dhe policisë shembja e disa objekteve pa leje në Hamallaj të Durrësit.

Bilanci ka qenë shqetësues ngase krahas dhjetëra personave civil të shoqëruar në polici dhe 7 të arrestuar ka pasur edhe 2 efektivë të policisë të dëmtuar në përplasje me banorët e zonës.

Neritan Nezha dhe kolegu i tij Besnik Vatoksi të moshës rreth 35 vjeç kanë marrë dëmtime të lehta në kohën që efektivat e policisë po zbatonin detyrën. Të lënduarit janë jashtë rrezikut madje Vatoksi është rikthyer në shtëpinë e tij, kurse Nezha është dërguar në Tiranë për trajtim mjekësor. Burime nga vendi i ngjarjes thonë se mbi policinë është qëlluar me pagure të mbushura me sprait, të cilat pengojnë kundërshtarin të afrohet, ndërsa ka pasur edhe përdorim dhune nga të dy palët, si nga policia edhe nga qytetarët.

Ngjarja

Inspektorati Ndërtimor i Tiranës ka nisur shembjen e kioskave, gardheve, garazheve, por edhe të objekteve të ndryshme, të cilat janë ndërtuar në brezin e rërës. Ky aksion është shtrirë në veri e në jug të vendit për gjatë gjithë vijës bregdetare. Në krye të Inspektoratit të Policisë Ndërtimore është vënë vet kryeinspektori Gjergj Bojaxhiu, i cili është mbështetur edhe nga efektiva special të policisë. Një javë më parë këto forca policie së bashku me mjete kanë shkuar në Gjirin e Lalësit, por nga rreth 50 objekte të planifikuara për t’u shembur u shemb vetëm njëri prej tyre. Në mëngjesin e së enjtes Bojaxhiu ka udhëtuar përsëri drejt plazheve të Durrësit, këtë herë drejt Hamallaj që është diku rreth 25 km nga qendra e Durrësit. Rreth 150 objekte janë përfshirë në planin e kësaj force për t’u shembur ngase janë klasifikuar si të ndërtuara pa leje dhe që dëmtojnë zhvillimin e turizmit. Për çdo objekt banorët kanë treguar se kanë plotësuar dokumentacionin për legalizim në procesin e nisur disa vite më parë, ndërsa përgjithësisht ndërtimet kanë shërbyer si banesë familjare. Godinat janë një e dykatëshe edhe të ndërtuara me tulla e blloqe. Përfaqësuesit e Inspektoratit të Ndërtimit, të mbështetur nga policia kanë udhëtuar pa u gdhirë dita e enjte nga Tirana për në Hamalle dhe rreth orës 4.30 kanë nisur aksionin. Por edhe banorët kanë qenë të vënë në dijeni për këtë aksion të klasifikuar të befasishëm dhe policia edhe pse ka shkuar shumë herët është përballur me banorë sapo ka hyrë në fshat. Që aty kanë nisur edhe shkëmbimi i replikave dhe tensioni mes palëve ka ardhur duke u rritur deri sa në brezin e rërës ka nisur edhe konfrontimi fizik. Policia ka mbështetur fadromat që kanë synuar shembjen e objekteve pranë rërës dhe sapo banorët kanë dalë para mjetit ata kanë nisur të përdorin forcën. Gra, burra, të rinj e fëmijë janë mbledhur në pak kohë në vendin e ngjarjes duke marrë me vete edhe gurë, shkopinj e bidonë të vegjël. Rreth orës 7.50 situata ka dalë jashtë kontrolli dhe për pasojë dhjetëra banorë janë lënduar nga goditjet e policisë, ndërsa dy efektiva të policisë janë dëmtuar nga përleshja me civilët. Polici Neritan Nezha ka marrë ndihmë në spital pasi është lënduar nga spraiti në sy, kurse efektivi tjetër Besnik Vatoksi është goditur me sende të forta në trup. Kryeinspektori Gjergj Bojaxhi është larguar rreth orës 09:00 nga Hamallaj duke pranuar dështimin e aksionit. Grupi hetimor në vendngjarje ka nisur të hetojë në dy anët, si tejkalimin e dhunës policore, edhe qëndrimin e banorëve. Një situatë e tillë pritej pasi policia dhe vet Bojaxhi i kishte që më parë informacionet për ndeshjen në një rezistencë të tillë.

Arrestimet

Në orët e pasdites Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit ka bërë të ditur zyrtarisht se janë arrestuar shtatë banorë të Hamallaj, të cilët janë përleshur me policinë. Policia ka shoqëruar dhjetëra banorë, ndërsa ka mbajtur në qeli shtetasit Alfred K. 25 vjeç, Pjetër K. 65 vjeç i lindur në Rrëshen, Avni R. 55 vjeç, Edmir O. 32 vjeç, Mentor Ç. 22 vjeç, Abedin R. 38 vjeç nga Tropoja dhe Agim R. 52 vjeç. Të shtatë këta shtetas të arrestuar nën disa akuza janë banorë në hidrovor Hamalle të Bashkisë së Sukthit. Këta persona dyshohet se kanë qenë personat e vendosur në vijën e parë të përplasjes me policinë, e cila ka shkuar në këtë fshat bregdetar për të prishur ndërtimet pa leje. Mbi ta rëndojnë katër akuza si: organizim e pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, pengim i mjeteve të transportit, prishje e rendit dhe qetësisë, goditje për shkak të detyrës në bashkëpunim. Në deklarimet e saj të djeshme policia ka pohuar se janë dhjetë policë, të cilët janë bërë objekt dhune nga këta persona, por vetëm tre prej tyre kanë marrë goditje.

Jetonte e vetme, ishte depresive

E moshuara pi helm, vdes në Spitalin Ushtarak

Nuk ka mundur të rezistojë më shumë se 30 minuta nga koha e mbërritjes në Spitalin Ushtarak një grua e moshës së thyer, e cila ka vdekur në duart e mjekëve. Shtetasja 75 vjeçe Erveha B, banuese në lagjen numër 13 të Durrësit, ka pirë helm dhe për shkak të dozës së fortë nuk i ka shpëtuar vdekjes. Paraprakisht mendohet se ka qenë rast vetëhelmimi, megjithatë ekspertët e antikrimit nuk janë shprehur. Komisioni mjeko-ligjor ka lëshuar një raport në të cilin thuhet se vdekja është shkaktuar nga fostoksina. Gruaja e moshës 75 vjeç banonte e vetme në një apartament në Plazhin e Durrësit. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore dhe pamundësisë për të përballuar shërbimet shtetasja Erveha B ka kaluar në gjendje depresive. Komshinjtë kanë thënë se e moshuara merrte vazhdimisht medikamente për të kuruar këtë sëmundje, e cila ka të mundur ta ketë shtyrë drejt krimit.

Xh. G

I riu në gjendje të rëndë

E qëllon me armë, arrestohet 5 ditë më pas

DURRES- Është arrestuar nga policia shtetasi Armando M. 20 vjeç nga Vlora, pasi ai dyshohet se është autori kryesor i plagosjes së rëndë me dashje të një të riu, gjendja e të cilit është e rënduar. Plagosja e shtetasit Osman A. në lagjen numër 8 të qytetit ka shtyrë shtetasin 20-vjeçar të vrasë me armë zjarri viktimën e tij. Ngjarja ka qenë banale, kurse pasojat vazhdojnë të jenë të rënda, pasi mjekët nuk kanë dhënë shpresë për të plagosurin. I riu nga Durrësi ka marrë dëmtime serioze për jetën dhe pas operimit ka kaluar në sallën e reanimacionit. Autori i dyshuar për ngjarjen është shpallur në kërkim që ditën e krimit i akuzuar për veprën penale të vrasjes me dashje mbetur në tentative dhe prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake. Po dje dy vëllezër kanë qëlluar me mjete të forta një shtetas në Durrës. Por grindja ka shkuar deri në përdorimin e armëve të zjarrit. I plagosuri me inicialet I. M. i moshës 18 vjeç ka pësuar lëndime nga ngjarja, e cila ka detyruar policinë të ndjekë autorin e krimit. Xh. G.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›