Nano blen 2 shtëpi në Durrës, Xhoana investon në Shkodër
Xhoana Nano blen 266 mijë euro tokë në Shkodër ndërsa Fatosi merr dëmshpërblimin nga gazeta italiane L'unita
TIRANË- Çifti Fatos dhe Xhoana Nano edhe këtë vit janë më xhepshpuarit e politikës shqiptare. Edhe pse Fatos Nano është paraqitur vetëm gjashtë herë në kuvend dhe rreth 90 për qind të kohës e ka kaluar jashtë vendit, ai ka gjetur kohën të bëjë "biznes" në Shqipëri. Në deklarimin e tij zyrtar shënohen transaksionet e tija nga 176 mijë euro deri në 266 mijë euro të bashkëshortes Xhoana. Në total ata kanë xhiruar këtë vit rreth gjysmë milioni euro.
Fatos Nano
"Llogaria ime bankare është shtuar me 64.886 lekë dhe në të ndodhen gjithsej 180.607 lekë. Kam hapur një llogari të re ku kam depozituar 24.884 euro",- ka shënuar Fatos Nano në deklarimin e pasurisë së tij. Këtë vit Nano ka vendosur që të investojë në pasurinë e paluajtshme. Ai ka tërhequr 59.958 euro që kishte në bankë dhe pasi ka shtuar rreth 115 mijë euro të tjera ka vendosur që të blejë dy apartamente banimi në Durrës për 176.720 euro. Apartamenti i parë është 210 metra katrorë ndërsa i dyti 166 metra katrorë.
Të ardhurat e Fatos Nanos për vitin e kaluar janë përbërë nga paga në Kuvend si Deputet dhe pagesa kalimtare si ish-kryeministër 2.2 milionë lekë. Ndërkohë ai ka përfituar edhe 4266 euro në formën e interesave bankare. Ky vit duket se ka qenë me fat për ish-kryeministrin Nano pasi ai ka marrë një shumë të majme parash si dëmshpërblim nga një gazetë italiane. Vite më parë, gazeta "L'unita" e ka akuzuar Nanon për lidhje mafioze por ai ka fituar gjyqin duke marrë 134.000 euro.
Xhoana Nano
Biznesi i Xhoana Nanos, kompania "Joy Travel" duket sikur nuk ka ecur mirë këtë vit pasi në deklarimin e pasurisë së saj nuk shënohet asnjë lëvizje. Vitet e kaluara ajo shënonte shuma të mëdha parash të fituara nga kjo kompani.
Këtë herë Xhoana Nano duket se e ka shtrirë aktivitetin e saj drejt veriut të Shqipërisë. Në deklarimin zyrtar të pasurisë shënohet se ka nënshkruar një kontratë sipërmarrjeje për blerjen e një sipërfaqeje prej 313 metrash katrorë në Shkodër. Kjo do të kushtojë 266 mijë euro. Xhoana Nano nuk ka shënuar se për çfarë do të shërbejë kjo tokë.
Ndërkohë të ardhurat e saj duket se nuk kanë pasur lëvizje të mëdha këtë vit. Llogaria e saj në njërën prej bankave është rritur vetëm me 3351 euro ndërsa ka përfituar një shumë tjetër prej dhjetë mijë eurosh në formë interesi nga një llogari tjetër.