Nano, katër qëndrime në një ditë: Një lutje, një dyshim, një sulm dhe një urim
(E PERDITESUAR)- Disa thonë se tani Fatos Nano do marrë valixhet dhe do udhëtojë drejt Vienës. Në një njoftim për shtyp thuhet se Nano e ka mbyllur kapitullin e çështjes së presidentit, por do ketë njoftim nëse do vijohet me lëvizje të tjera.
Dita e hënë për Nanon ka qenë shumë e ngarkuar dhe me një luhatje të qartë humori. Brenda ditës kemi pasur një lutje, një dyshim, një sulm dhe një urim.
LUTJA
Nano e nisi duke i bërë një thirrje PS që ta kandidojë, menjëherë pasi u mor vesh lajmi se Artan Hoxha ishte tërhequr.
Ky është momenti, kjo është dita që përtej dështimit të derisotëm, Kryetarët e Partive, gjithsesi të ngrihen përmbi honet e llogarive të ngushta politike partiake që fundosin Shqipërinë, dhe të lartësohen me përgjegjshmëri të lartë kombëtare në nivelin e parimeve të atdhedashurisë për ta ngritur Shqipërinë në meritën e vlerën që i takon si një vend Europian.
Fatos Nano ka deklaruar e ripërsërit se mbetet i vetëofruar për klasën politike shqiptare dhe publikun shqiptar për të patur mundësinë për të synuar konsensusin, ose për të garuar e për ta fituar këtë garë. Fatos Nano i bën thirrje Partisë Socialiste që të ngrihet në lartësinë që kërkon momenti, e të mos i shmanget e as druhet garës. Fatos Nano i bën thirrje Partisë Socialiste që së bashku me Fatos Nanon duke bashkuar traditën, historinë, vlerat më të mira të Partisë Socialiste në këto 22 vite, ta fitojmë këtë garë bashkë, bashkë, bashkë. Fitorja e përbashkët e sotme le të jetë parathënie e hyrjes në historinë fituese të mëtutejme për Partinë Socialiste, për të gjithë shqiptarët, për Shqipërinë. Së bashku të bëjmë fituese Shqipërinë, thuhet në deklaratën e Nanos, thuhej në njoftimin e Nanos.
DYSHIMI
Lëvizja Nano ishte e para që hodhi dyshime nëse Nishani është kandidat i ligjshëm, për shkak se nuk ka dhënë dorëheqje nga posti.
Një Ministër i kabinetit qeverisës nuk mund të kandidojë për President në rast se ai nuk ka dhënë më parë dorëheqjen. Dhe dorëheqja e tij ka vlerë ligjore vetëm pasi është pranuar me dekret nga Presidenti i Republikës, për t’u votuar nga Kuvendi. Gjithashtu Ministri kandidat për President e ka të pamundur sipas Kushtetutës që të votojë për veten në Kuvend në cilësinë e tij si deputet, thuhej në njoftimin e Nanos.
SULMI
Kur e pa që shanset e tij për president po zeroheshin, Nano nisi një sulm ndaj Berishës.
Sali Berisha dëshmoi se dashuria e tij për pushtetin e tejkalon dashurinë e tij për shtetin, dashuria e tij për partinë e tejkalon dashurinë e tij për kombin, dashuria e tij për koalicionin e tejkalon dashurinë e tij për integrimin europian dhe partnerët tanë euroatlantikë.
Sali Berisha dëshmoi e po dëshmon papërgjegjshmëri totale ndërsa ka rënë në nivelet meskine të lojërave të pushtetit dhe si partiak i devotshëm çmontoi e po çmonton, vendosi dhe po vendos në rrezik tejet serioz të gjitha shanset e Shqipërisë për zhvillim të qëndrueshëm, e të shëndetshëm, për integrimin europian dhe për partneritet dinjitoz euroatlantik.
Sali Berisha u dëshmua i paaftë të sillet si shtetar, e si i tillë u dëshmua i paaftë për të vazhduar për ti udhëhequr shqiptarët në proceset e mëtejme integruese dhe zhvilluese.
Sot Sali Berisha u tregua i aftë vetëm të dështojë për herë të dytë me pamundësinë e tij për të zgjedhur një President të denjë me staturë e sprovim shtetari për të mirën e Shqipërisë, Kombit dhe Integrimit Europian. Sali Berisha po pluskon e po mbytet në qëllime e axhenda të ngushta partiake për ti dhënë Shqipërisë një President partiak.
Sali Berisha në të gjitha qëndrimet e tij dhe në sjelljen e tij të këtyre ditëve dëshmoi se ai është tashmë i paaftë që të bëjë marrëveshje shtetarësh për të mirën e shtetit dhe kombit, porse ai është i aftë vetëm për marrëveshje partiake në dëm të kombit dhe interesit publik.
Fatos Nano gjykon se Sali Berisha është përgjegjës i padiskutueshëm në këtë krizë fatale ku ka hyrë Shqipëria me procesin e zgjedhjes së Presidentit, ku numrat mund të bëhen për ta zgjedhur një President sipas Ligjit e Kushtetutës, por morali e vlerat janë zhbërë për të pasur një President sipas kërkesave, parimeve e vlerave Euroatlantike, thuhej në deklaratën e Nanos.
URIMI
Nano e mbylli ditën duke dërguar ndër të parët një njoftim urimi për Nishanin.
Fatos Nano i shpreh urimet më të sinqerta Presidentit të sapozgjedhur të Republikës Bujar Nishani. Sot Shqipëria ka Presidentin e saj më të ri, i cili ka dalë nga një votim transparent në Kuvend. Sot më shumë se kurrë shqiptarët kanë nevojë të bashkohen, e Presidenti i ri Bujar Nishani më tepër se kurrë duhet të simbolizojë unitetin kombëtar. Të gjitha energjitë tona të përbashkëta, të të gjithë klasës politike, qeveri dhe opozitë, të qytetarëve dhe në bashkëpunim me partnerët euroatlantikë duhet të fokusohen tek reformat e integrimit europian dhe manifestimet sa më dinjitoze të atdhetarisë në këtë 100 vjetor të shtetit shqiptar, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Nano për President.
