Retro/Histori: 14 dhjetor 1939 Lufta e Dimrit
Lufta e Dimrit ishte një konflikt i armatosur ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Finlandës. Filloi me një sulm të sovjetikëve më 30 nëntor 1939 - tre muaj pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimit sovjetik të Polonisë - dhe përfundoi më 13 mars 1940, pas nënshkrimit të Traktatit të Paqes në Moskë. Lidhja e Kombeve e quajti sulmin të paligjshëm dhe e përjashtoi Bashkimin Sovjetik më 14 dhjetor 1939. Forcat sovjetike ishin tri herë më të mëdha në numër sesa ato finlandeze, kishin 30 herë më shumë aeroplanë dhe njëqind herë më shumë tanke. Ushtria e Kuqe, sidoqoftë, ishte sakatuar nga Spastrimi i Madh i vitit 1937, ideuar nga Jozef Stalini, gjë që e reduktoi moralin dhe eficencën e ushtrisë. Në vitin 1939 Ushtria e Kuqe kishte shumë oficerë të papërvojë, si pasojë e spastrimit nga i cili 30 mijë oficerë ishin burgosur ose vrarë, përfshirë ata të rangjeve më të larta. Për shkak të këtyre faktorëve dhe përkushtimit e moralit të forcave finlandeze, rezistenca ishte më e gjatë sesa e prisnin sovjetikët. Luftimet u ndërprenë në mars të vitit 1940, kohë kur u nënshkrua edhe Traktati i Paqes. Finlanda humbi 11 për qind të territorit të saj dhe 30 për qind të aseteve ekonomike. Humbjet sovjetike në front ishin të rënda bashkë me reputacionin ndërkombëtar të vendit. Forcat sovjetike nuk e realizuan objektivin e pushtimit total të Finlandës, por fituan mjaftueshëm territor përgjatë liqenit Ladoga, duke i mundësuar Leningradit një zonë amortizator. Finlandezët e ruajtën sovranitetin e tyre dhe e rritën reputacionin ndërkombëtar. Traktati i paqes i vuri fre planit franko-britanik për të dërguar trupa në Finlandë përmes Skandinavisë. Një prej operacioneve më të mëdha të Aleatëve kishte qenë marrja nën kontroll e burimeve minerare të Suedisë, duke i prerë kështu linjat e furnizimit të Gjermanisë.