E Shtunë, 31 Tetor 2026

Naomi Watts

Dhjetë vjet më parë ishte një aktore pa sukses, që e ndiente veten të “plakur”. Sot nuk e ka më këtë frikë. Me dy fëmijë dhe një familje të mrekullueshme nuk trembet para asgjëje... Koha nuk më tremb më

Naomi Watts, teksa më zgjat telefonin, më thotë: “Ky është Sammy, djali im i dytë, i bukur si një vajzë”. është hera e tretë brenda pesë minutave që kjo aktore, njëra nga më të pëlqyerat në Hollivud, që sipas “Forbes” është në gjendje të garantojë të ardhura marramendëse me filmat e saj, sillet si një grua fare normale. Hera e parë ka qenë kur zgjodha për të bërë intervistën në një pub shumë normal poshtë shtëpisë së saj. E dyta kur e pashë të hynte me rroba të thjeshta, pa taka dhe e palyer, me flokët e mbledhur bisht, ku askush nuk e njohu përveç portierit që e thirri në emër. “Antidivë” është një etiketë që përdoret për shumë aktore, por Naomi Watts është me të vërtetë. Tre vjet më parë, pas lindjes së djalit të parë Alexander Sasha Pete, u arratis nga Los Angelos për të qëndruar larg paparacëve dhe tapetit të kuq. Jeton në Nju Jork me shokun saj Leiv Schreiber, edhe ai aktor. Më 13 dhjetor të 2008-s, plot 13 muaj pas Sashës lindi Samuel Sammy Kai. Pavarësisht se nga pamja duket si një vajzë e vogël, ka shprehjen tipike të një nëne të re që i ka lindur fëmijët afër të 40-ave (ajo është 41): shumë e lodhur dhe e kënaqur. Në shikimin e saj të pastër të bën të kuptosh se me një karrierë solide dhe një familje të mrekullueshme nuk i mungon asgjë. Përveçse në jetë, mëmësia është tema dominuese e filmit që shënoi rikthimin e saj pas dy vjetësh pauzë: “Mother and a child” i pasuar edhe nga “You will meeet a tall dark strannge”, një komedi ku interpreton përkrah Anthony Hopkins dhe Antonio Banderas.

Jeni e kënaqur që u rikthyet në skenë?
Shumë e lumtur. Mezi po prisja. Me dy shtatzëni kaq afër njëra-tjetrës, kam qenë larg për pothuajse dy vjet.
E kishit planifikuar fëmijën e dytë?
Gjithmonë kam dashur që të kem më shumë se një fëmijë, por nuk e prisja të vinte kaq shpejt, ndoshta sepse Sasha nuk lindi kur e kisha planifikuar.
Si u ndiet kur e morët vesh?
E terrorizuar: se kisha marrë veten nga shtatzënia e parë. Por nëse pret momentin e duhur, nuk e arrin kurrë. Sigurisht tani është e komplikuar: Sasha është në një moshë që kërkon gjithçka dhe nëse i merr gjërat e tij bëhet i egër. Sigurisht edhe vëllai i vogël nuk e lë rehat.
Jeni një nënë meraklie?
është normale, duhet të jesh pak. Kur janë kaq të vegjël e të pambrojtur të duket e pamundur që një ditë duhet të vuajnë. Por kam parë nëna shumë më meraklie se unë. Sidomos kur flitet për shkollën. Sasha është vetëm 3 vjeç dhe unë bashkë me shokun tim Liev e kemi shqetësimin më të madh çerdhen apo kopshtin ku do e çojmë.
Ju nuk keni pasur një fëmijëri të qetë: prindërit e tu janë ndarë kur ju ishit 4 vjeçe, babai vdiq kur ishit 7 dhe në moshën 14-vjeçare u transferuat nga Anglia në Australi.
Më ka ndihmuar fakti se shumë gjëra i kam ndarë me vëllain tim Ben, i cili është vetëm 19 muaj më i madh se unë. Edhe sot vazhdojmë të jemi mjaft të lidhur me njëri-tjetrin.
Ben është një fotograf i famshëm, autor i shumë fotove tuaja nëpër revista të ndryshme?
E adhuroj të fotografohem nga Ben dhe pse kjo gjë nuk ndodh shpesh. Ai nuk pëlqen pozat, dëshiron të kapë momentin, më kërkon të lëviz, më bën të ndihem e lirë, e gjallë.
Po nga karakteri ngjani?
Kemi të njëjtin sens humori, nga anët e tjera jemi ndryshe. Ziheshim shpesh, sepse ai dëshironte të komandonte, ndërsa unë e vogël, por kokëshkëmb, rebelohesha. Por kur u rritëm u lidhëm shumë me njëri-tjetrin.
çfarë kujtimesh ke nga ajo periudhë?
Mamaja ime ishte një lloj hipie, gjithmonë e rrethuar nga persona egocentrikë. Jeta që kam bërë atëherë më hapi rrugën për kreativitet dhe pozitivistet në të ardhmen.
Babai juaj, Peter Watts, ishte teknik zëri që ka punuar me Pink Floyd. çfarë ndieni kur dëgjoni albumin “The dark side of the moon”, ku ai është protagonist edhe në një pjesë të vogël?
Ndoshta ngaqë kam shumë pak kujtime dhe fotografi më bën të ndiej një peshë në zemër.
Po sot çfarë raporti ke me mamanë tënde?
Një raport, që siç ndodh shpesh, u rregulla kur unë u bëra vetë nënë.
Edhe te filmi “Mother and child” ju flisni pikërisht për këtë?
Po. Annette Bening është një 50-vjeçare që 35 vjet më parë ka dhënë për adoptim vajzën e saj. Unë jam ajo vajza, që e zbulon se është e adoptuar.
Po ju vetë çfarë mendoni për adoptimet?
është një gjë pozitive.
Ju thatë se djali juaj i parë erdhi më vonë se sa ishte parashikuar. Nëse nuk do kishit ngelur shtatzënë në mënyrë natyrale do t’u drejtoheshe teknikave të fekondimit artificial?
Nëse dikush kërkon të jetë prind me çdo kusht, bën gjithçka për ta arritur. Mendoj se të gjithë kanë të drejtën të jenë prindër.
Do ta donit një fëmijë të tretë?
Dua një vajzë. E adhuroj. Por jam shumë e “moshuar”: lodhem që tani kur i marr në krahë. Gjëja që më vjen keq më shumë ka lidhje me faktin se i kam bërë fëmijët shumë vonë dhe që do të humb shumë gjëra të jetës së tyre.
Ju e prekët suksesin relativisht vonë, në moshën 32-vjeçare me “Mulholland Drive”. Ajo e aktores nuk është një karrierë e pafundme. Nuk hezitove para se të merrje këtë pauzë kaq të gjatë?
Jo, sepse gjithmonë kam ëndërruar një familje. E ndieja se po më kalonte koha. Kur arrin një moshë dhe nuk ke fëmijë, edhe pse i dëshiron, jeta të duket e çuditshme.
Do të hiqnit dorë nga puna për fëmijët?
Jo. Më pëlqen aktrimi dhe nëse do të hiqja dorë do ndihesha një grua e parealizuar. Duhet ta shfrytëzoj akoma këtë periudhë të artë, sepse në Hollivud mosha deri në 45 vjeç konsiderohet si më e mira për të arritur majat e suksesit dhe pjekurinë.
Si je njohur me shokun tënd?
Një mik i përbashkët u përpoq shumë herë që të na bënte të takoheshim, por u desh mjaft kohë për këtë, pasi që të dy ishim singëll. Kur momenti erdhi ishte dashuri me shikim të parë.
Nuk jeni martuar? Përse?
Angazhimi ynë reciprok, për shkak të fëmijëve është përgjithmonë. Ndoshta një ditë edhe mund ta bëjmë, por nuk e kemi në program për momentin.

Vite më parë keni qenë e fejuar me Heath Ledger. Kishit akoma kontakte kur humbi jetën në fillim të 2008-s?
Po sapo kisha lindur Sashën dhe ai erdhi të na takojë.
Ishte depresiv?
Jo. Heath ishte një person mjaft pozitiv. Vdekja e tij për mua vazhdon të ngelet një tragjedi. Akoma më del në ëndërr. Mbaj kontakte me familjen dhe vajzën e tij.
Mendoni se çdo njeri ka fatin e tij në jetë?
Le ta mendojmë kështu, Heath jetoi një jetë të shkurtër, por të mbushur me gjëra të bukura.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›