Zonja terminator, kundër robotëve të bursës
Mary Schapiro, “sherifja” e re bionde e “Wall Street”-it, është nga ato që nuk bën shaka: në vitin 1980 ruante spekuluesit dhe punën e parë të rëndësishme në Uashington e pranoi kur ishte 9-muajshe shtatzënë. Kështu nuk ka asgjë për t’u habitur që prej pak kohësh është zgjedhur presidente e SEC-it, agjencia amerikane që mbikëqyr tregun e bursës dhe ka kërkuar të ketë përkrah një njeri të nderuar si Robert Khuzamit, një ndër magjistratët që ka çuar në burg Omar Abdel Rahman, sheiku i verbër, i cili nxiti sulmin e parë kundër “World Trade Center” në vitin 1993. Sapo u caktua shef i divizionit investigues i SEC, Khuzami ngriti dhjetë komisione për të reformuar agjencinë, gjë e cila bëri që të gjithë vartësit e tij të kontrolloheshin përmes e-mail-ve të brendshme. Por duket se as zonja bionde dhe as ndihmësi i saj nuk mund të bëjnë gjë kundër mjeshtërve të elektronikës, të cilët kanë mbushur “Wall Street”-in. “Bota e financës ka ndryshuar, ndërsa SEC ka mbetur e njëjta”, është shprehur Schapiro, e cila për ta shpjeguar më qartë ndryshimin rrënjësor është përpjekur ta thotë me termat tradicionalë të luhatjeve të bursës: “Gjatë ditës së ngërçit të madh në bursën e vitit 1987, transaksionet arritën në 600 milionë, ndërkohë që para tre muajsh shkuan në 10.3 miliardë”. Schapiro shton gjithashtu se pjesa më e madhe e këtyre punëve kryhen nga “robotë”, qëllimi i të cilëve është të mbajnë këtë titull vetëm për disa milisekonda dhe se paaftësia për të analizuar këtë oqean të dhënash, është një nga arsyet që pas dy javësh SEC nuk e kishte ende idenë se çfarë e kishte bllokuar bursën më të rëndësishme në botë. “E vërteta është se teknologjitë që përdoren për të përgjuar tregun kanë mbetur prapa në krahasim me ato të operatorëve”, ka thënë Schapiro, së cilës me të ardhur në krye të SEC-it i është dashur të merret me punonjësit që në mes të recensionit të madh botëror kalonin orë të tëra duke parë porno në kompjuterët e tyre. Ndërkohë, institucionet financiare shpenzojnë rreth 30 miliardë dollarë në vit për kompjuterët e këtyre dallkaukëve.
E ndërsa telekamerat e “Cnbc”-së vazhdojnë të fokusojnë tregjet e “Wall Street”-it, nga ku vetëm para shtatë vjetësh zhvillohej 80 për qind e operacioneve të bursës, sot tregun e dominojnë urdhrat që kalojnë nga Kansas City, apo qendrat e vogla të Nju Xhersit, të cilat merren me agjenci të specializuara në tregun e bursës, si “Tradebot” dhe “Wolverine”. Bëhet fjalë për 400 shoqëri në total. Specialiteti i tyre është përmbushja e detyrave në fraksionet e sekondës, duke shitur ose blerë aksione të ndryshme. Softueri kërkon tituj, çmimi i të cilave është më i lartë ose më i ulët se sa vlera e tij në atë moment dhe ndonjëherë shiten për përfitime të papërfillshme. Kjo gjë përsëritet miliarda herë në ditë. Për të qenë edhe më të shpejtë serverat e shoqërive me frekuencë të lartë vendosen në dyshemetë e tregjeve më të mëdha kundrejt një pagese të caktuar. Kjo gjë u bën të mundur atyre të shohin ndryshimet që ndodhin disa sekonda para se ato të bëhen publike.
“është njësoj sikur këta operatorë të shihnin ‘Wall Street’-in me pesë milisekonda para kohe”, thotë një analist i “Tabb group”, agjencia e specializuar në analizën e punës së tregjeve me frekuencë të lartë.
Vitin e kaluar “operatorët e frekuencës së lartë” çuan në shtëpi fitime të madha që arrinin në 21 miliardë dollarë. Ajo që i ndërlikon edhe më shumë gjërat për hetuesit e gjorë të SEC, është fakti se 30 për qind e të gjitha aktiviteteve të bursës kryhen nga të ashtuquajturat “dark pool”, ose tregjet private, që janë shumë të afta të punojnë si qenie të padukshme me operatorët e tjerë.
Ditët e zeza të “Wall Street”-it kanë treguar se tregu i kontrolluar nga “robotët” nuk mund t’i frenojë aktivitetet e tij as përballë një katastrofe që pritet të ndodhë: “Sistemet automatike do të ndjekin logjikën e algoritmeve, pavarësisht rezultatit përfundimtar, ndërkohë që vetëm përfshirja e qenieve njerëzore mund ta bllokojë ekzekutimin e këtyre urdhrave me çmime absurde”, thotë Mary Schapiro.
Përgjegjësja e re e SEC e di se këto fjalë nuk tingëllojnë dhe aq mirë në një komunitet financiar që i konsideron të ashtuquajturit “quant” (siç quhen ekspertët e matematikës ose fizikës që janë të aftë të ideojnë algoritme të reja), më të rëndësishëm se të diplomuarit në ekonomi. Sergey Aleynikov, një “quant” i arrestuar në korrik të vitit të kaluar, pas dy vjetësh punë në “Goldman Sachs”, rrezikon të dënohet me 25 vjet heqje lirie, sepse vodhi 32 megabajt nga softueri i përdorur prej aparaturave për tregjet me frekuencë të lartë dhe u përpoq ta përdorte në një kompani financiare konkurruese. Mary Schapiro i di mirë këto probleme dhe se çfarë duhet bërë për të zvogëluar rreziqet e një tregu që i ngjan gjithnjë e më shumë një kazinoje. Ajo është e vetëdijshme se nuk do të jetë e lehtë të ndryshojë kulturën që mbizotëron në “Wall Street”. Për këtë arsye ka varur në derën e zyrës së saj një tabelë që as “quant”-ët më ekspertë nuk mund ta deshifrojnë: “Në ç’mënyrë ajo që bëj ndihmon investuesit?”.