E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, neglizhentë për trajtimin e lëkurës

Veshje të lehta, kapele dhe përdorim i kremrave me SPF 50, domosdoshmëri për t’u ruajtur nga djegia në diell

Entela Shkodrani, mjeke dermatologe në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” sqaron rreziqet që shkakton ekspozimi i zgjatur në diell. Ajo pohon se lëkurat e çelura, kryesisht biondët digjen lehtësisht në diell dhe rrezikohen nga krijimi i njollave në fytyrë. “Personalisht, nuk do këshilloja aspak përdorimin e produkteve shtëpiake, qoftë edhe për efekt lehtësues deri në kontaktin me mjekun për shkak të sterilitetit të lëkurës së prekur”, tha dermatologia. Sipas saj, evitimi i problemeve të tilla mund të realizohet vetëm nëpërmjet përdorimit të kremrave me SPF 50.

çfarë shkakton dielli në lëkurë?

Ekspozimi i tepërt në rrezet ultravioletë mund të shkaktojë efekte të padëshirueshme në lëkurë. Disa nga pasojat që mund të shkaktojë ky fenomen janë: tharja e tepërt e lëkurës apo dehidrimi, i cili manifestohet me thellimin e tepërt të rrudhave ekzistuese, si edhe hollimi i lëkurës në vende të caktuara, e cila shkakton shfaqjen e rrudhave të reja e të holla. Një manifestim tjetër i efekteve të padëshiruara të diellit është teleangioektazia apo zgjerimi i vazave të vogla të gjakut (kapilarëve), kryesisht në fytyrë. Por, dëmtimi më i dukshëm që mund të shkaktojë dielli në lëkurën tonë është sidomos shtimi i pigmentit dhe formimi i njollave në zona të caktuara, duke specifikuar këtu sidomos pjesën e fytyrës, të cilat i quajmë lentigo solare. Këto njolla në përgjithësi nuk kanë lidhje me moshën, por me ekspozimin e zgjatur ndër vite në diell pa përdorur kremrat mbrojtës. Te këta persona vërehet prania e fototipit I dhe II të lëkurës. Kjo konstatohet sidomos tek ata persona që kanë lëkurë të çelët, si për shembull biondët, të cilët digjen lehtësisht në diell. Rrezet ultravioletë mund të shkaktojnë edhe njolla të bardha të vogla kryesisht të lokalizuara në ekstremitete.

çfarë masash duhet të marrim për të mos u djegur nga dielli?

Mënyra më e mirë për të mos u djegur nga dielli është përdorimi i kremrave mbrojtës, të cilat njihen me emrin kremra SPF (Sun protecting factor), ose siç i quajmë në shqip faktorë mbrojtës nga dielli. Përbërësit e këtyre kremrave ndahen në përbërës, që bllokojnë fizikisht rrezatimin, dhe në ato që absorbojnë rrezatimin. Bllokuesit e rrezatimit janë mjaft të efektshëm në reduktimin e ekspozimit të lëkurës, si nga rrezet UVA dhe nga rrezet UVB. Përbërësit e vjetër të këtyre formulave si oksidi i zinkut kanë qenë opake dhe aspak të pëlqyeshme nga ana estetike, por kohët e fundit janë përpunuar disa formula të reja, që përmbajnë dioksid titaniumi të oksiduar, të cilat nuk janë opake dhe kanë efekt mbrojtjeje dhe estetik të shkëlqyer. Përbërësit absorbues ndaj rrezatimit ndahen në absorbues të rrezeve UVA dhe të rrezeve UVB. Efekti i tyre specifik është thithja e rrezeve ultraviolet duke bërë të mundur eliminimin e kontaktit të rrezeve ultravioletë me lëkurën.

Po në rast se jemi djegur, çfarë do të na këshillonit?

Pavarësisht nga shkalla e djegies që mund të ketë një person, është e këshillueshme që të kontaktohet me mjekun më të afërt që mund të të japë ndihmën e duhur në momentin e parë. Pas kësaj këshillohet kontakti i menjëhershëm me një mjek dermatolog, i cili do të rekomandojë trajtimin që i nevojitet në një rast të tillë. Personalisht, nuk do të këshilloja aspak përdorimin e produkteve shtëpiake, qoftë edhe për efekt lehtësues deri në kontaktin me mjekun për shkak të sterilitetit të lëkurës së prekur.

Cila është arsyeja e krijimit të njollave në fytyrë?

Njollat që krijohen në fytyrë si pasojë e ekspozimit të tepërt në diell quhen lentigo solare dhe kanë një frekuencë të njëjtë shfaqje si te burrat, ashtu edhe te gratë. Këto njolla janë më të shumta tek individët me lëkurë të bardhë, te të cilët lëkura e tyre ka aftësi më të madhe për të formuar pigment, i cili nuk mund të shpërndahet në mënyrë uniforme pavarësisht fotoproteksionit. Për të parandaluar shfaqjen e njollave të diellit duhet evituar ekspozimi në diell në oraret e rrezikshme si nga ora 10.00-15.00. Duhen veshur rroba të lehta me ngjyrë të hapur, kapele dhe duhen përdorur kremrat fotombrojtës me SPF 30 UVA dhe bllokuese UVB.

Pse femrat preken më shumë nga njollat në raport me meshkujt? Ka ndonjë arsye të veçantë për këtë?

është më se e ditur që te femrat ka një arsye tjetër, e cila stimulon shfaqjen e lentigove solare është marrja për një kohë të gjatë e kontraceptivëve dhe terapive hormonale për arsye mjekësore. Kohët e fundit edhe në Shqipëri është më se e modës përdorimi i rrezeve ultravioletë artificiale (apo kabinave solare) të cilat janë një faktor tjetër i shtimit të njollave te femrat.

çfarë sëmundjesh mund të shkaktojë ekspozimi i tepërt në diell?

Që dielli mund të shkaktojë kancerin e lëkurës është një fakt i njohur tanimë nga të gjithë. Sëmundjet kanceroze kryesore që shfaqen në lëkurë janë melanoma, kanceri bazoqelizor dhe kanceri spinoqelizor. Melanoma është kanceri i nishaneve, që e ka origjinën e tij nga melanocitet e lëkurës. Nga të tre llojet e kancerit, ky është më i rrezikshmi, pasi është mjaft metastatik dhe përhapet në mënyrë të shpejtë në të gjithë trupin. Kanceri bazoqelizor është forma më e shpeshtë e kancerit të lëkurës, i cili nuk metastaton, por invadon gjithnjë e më tepër indin në të cilin është vendosur. Ky lloj kanceri vendoset kryesisht në vendet e ekspozuara dhe te njerëzit që qëndrojnë për një kohë të gjatë në diell. Në këtë rast personat më shumë të prekur do ishin fermerët dhe punëtorët e ndërtimit.

Ndërsa kanceri spinoqelizor është forma e dytë më e shpeshtë e kancerit dhe në ndryshim nga kanceri bazoqelizor është metastatik, por jo aq sa melanoma. Vendoset në pjesët e ekspozuara, por më tepër prek veshin dhe buzën.

çfarë janë rrezet ultraviolet?

Rrezet ultraviolet ndahen në disa kategori në varësi të gjatësisë së valës. Rrezet UVC absorbohen në atmosferë dhe nuk shkaktojnë dëmtim të lëkurës. Ndërsa rrezet UVB në përgjithësi shkaktojnë dëmtime vetëm në shtresën sipërfaqësore të lëkurës, me epidermë dhe janë shkaktare për djegiet në diell. Rrezet UVB nuk depërtojnë përtej xhamit dhe intensiteti i tyre ndryshon në varësi të orarit ditor dhe sezonit. Ndërsa rrezet UVA penetrojnë më thellë në lëkurë dhe efekti i tyre është më intensiv. Intensiteti i rrezeve UVA është më konstant se rrezet UVB pa variacione nga stina apo orari ditor. Gjithashtu, rrezet UVA kalojnë nëpërmjet xhamit.

Pse nxihet lëkura nga dielli?

Lëkura nxihet në diell, sepse në shtresën sipërfaqësore të saj pra në epidermë janë disa qeliza të quajtura melanocite, të cilat përmbajnë një pigment në brendësi të tyre të quajtur melaninë. Prodhimi i melaninës stimulohet nga rrezet ultravioletë. Sa më shumë melaninë të përmbajë një person në lëkurën e tij, aq më shumë do të nxihet.

çfarë përfaqëson SPF-ja?

Faktori mbrojtës ndaj dielli tregon pikërisht sasinë e rrezeve UVB të absorbuara nga kremi, por nuk ka asnjë metodë për të treguar sasinë e rrezeve UVA të absorbuara. E vetmja mënyrë për të parë nëse një krem është absorbues si UVA apo UVB, është përmbajtja e tij. Kremi duhet të ketë disa ingredientë të domosdoshëm si avobenzoni, dioksid titaniumi dhe oksidi i zinkut. Një rëndësi të veçantë ka edhe mënyra e aplikimit të kremit mbrojtës, pasi shumë njerëz aplikojnë pak krem, vetëm 25-50% të sasisë së rekomanduar. Kremi duhet përdorur në sasi të konsiderueshme për të formuar një film mbrojtës në të gjitha zonat e ekspozuara, prej se paku gjysmë ore përpara ekspozimit në diell. Më e këshillueshme është përdorimi i përditshëm i kremrave me një filtër të vogël, SPF 15, gjatë gjithë vitit për mbrojtjen e lëkurës nga efektet e dëmshme të diellit sesa përdorimi i një kremi me SPF më të madhe se 50 për një periudhë kohore të shkurtër, periudha e verës për shembull.

Kremrat për t’u mbrojtur nga rrezet e diellit duhen përdorur vetëm gjatë stinës së verës, apo edhe në periudha të tjera?

Jo, kremrat mbrojtës nga dielli duhen përdorur edhe në periudha të tjera të vitit, në vartësi të rrezatimit diellor. Kuptohet që faktori SPF do të jetë më i vogël në varësi të efektit që ne dëshirojmë të arrijmë nga kremi. Këtu përjashtohen disa njerëz që vuajnë nga probleme kronike të lëkurës si: Lupusi discoid apo Akne rosacea, të cilët gjatë gjithë vitit përdorin një krem mbrojtës me SPF më të madhe se personat që nuk vuajnë nga probleme të tilla.

Sa vëmendje i kushtojnë shqiptarët kujdesit ndaj lëkurës?

Në përgjithësi shqiptarët janë më neglizhentë. Madje, nuk ekziston ende në masë kultura e duhur për trajtimin e problemeve të lëkurës nga dielli, pra për fotoproteksionin. Kam vënë re që shumë persona i drejtohen mjekut dermatolog, vetëm në ato raste kur konstatojnë që lëkura e tyre ka shfaqur probleme shqetësuese. Kjo do të thotë që ata i drejtohen mjekut dermatolog vetëm për t’i zgjidhur problemet e tyre, por jo për t’i parandaluar ato. Në rastin konkret për të trajtuar njollat e diellit, për të eliminuar tharjen e lëkurës dhe për të zbutur disi rrudhat e shkaktuara nga ekspozimi pa fotombrojtës. Vihet re një interesim i tepërt për të frekuentuar kabinat solare për nxirjen uniforme pa kontaktuar më parë me mjekun dermatolog për llojin e lëkurës, për fototipin e duhur dhe për SPF-në përkatëse individuale.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›