E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti Politeknik, 2 mijë kuota pranimi

Viti i ri akademik

Krahas Maturës Shtetërore për përzgjedhjen e kandidatëve fitues, edhe universitetet kanë filluar përgatitjet e tyre për vitin e ri akademik. Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgaq Kaçani, tha se këtë vit numri i pranimeve është rritur me 10 për qind, krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, rektori theksoi se për këtë vit është parashikuar edhe hapja e degëve të reja të studimit. "Sivjet parashikojmë që në UPT numri i studentëve që do të futen për herë të parë në auditor do të jetë rreth 2 mijë vetë. Ndërkohë, rikujtoj që vitin e kaluar numri i tyre arrinte në 1800 studentë, duke shënuar kështu një rritje me 10 për qind. Për herë të parë në këtë universitet është hapur dega e inxhinierisë ekonomike me një kuotë prej 80 vendesh”, tha Kaçani. Sipas tij, kjo është një degë e re, që integron njohuritë inxhinierike me njohuritë ekonomike. Rektori i Universitetit Politeknik pohoi se po merren masa edhe për sigurimin e kapaciteteve, ndërkohë që do të emërohen dhe pedagogë të rinj, për të përballuar fluksin e studentëve. "Këtë vit ne do të kërkojmë edhe pedagogë të rinj, numër që mund ta arrijë deri në 35-40”, sqaroi Kaçani. Universitetet tashmë po shpallin propozimet e tyre për kuotat e vitit akademik 2010-2011, por vendimi final do t’i takojë Këshillit të Ministrave, i cili do të japë miratimin për numrin përfundimtar të kuotave që kanë propozuar universitetet profesionale në vend.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›