E Shtunë, 31 Tetor 2026

Naomi pranoi sa ka marrë diamante nga i akuzuari për krime lufte

Hagë, 5 gusht - Supermodelja britanike, Naomi Campbell tha se asaj i janë dhënë disa “gurë të papastruar”, nga ish-presidenti i Liberisë, Charles Taylor, gjatë një darke të organizuar nga vetë ai. Taylor është duke u gjykuar në Tribunalin për krime të luftës në Hagë. Campbell ka thënë në gjykimin e tij se asaj i është thënë më vonë se gurët ishin diamante dhe dhuratë nga vetë Taylori.

Modelja u mor në pyetje për shkak të pohimeve se Taylor i ka dhënë asaj diamante të papërpunuara, pas një darke në Afrikën e Jugut, më 1997. Nëse vërtetohen këto pohime, prokurorët thonë se me këtë do të dëshmohet se Taylor ka përpunuar diamante, për të cilat supozohet se janë shfrytëzuar për blerjen e armatimit për rebelët në Sierra Leonen fqinje.

Ish-presidenti Taylor po përballet me 11 akuza për krime lufte gjatë konfliktit në Liberi dhe Sierra Leone, me ç’rast qenë vrarë më shumë se 250 mijë njerëz.

Campbell e filloi dëshminë e saj duke u betuar mbi Biblën.

Sipas saj, ditën e nesërme pas darkës, dikush i kishte thënë asaj se gurët mbase ishin diamante të përgjakura dhe kjo është arsyeja pse gurët Campbell më pastaj ia ka dhënë një miku për t’i dhuruar për bamirësi.

Zonja Campbell gjithashtu pranoi se deri në kohën e asaj darke, nuk e ka njohur zotin Taylor dhe as që kishte dëgjuar më parë për shtetin me emrin Liberi.

Avokatët mbrojtës të ish-presidentit hodhën poshtë dëshminë e supermodeles, duke argumentuar se pohimet e saj “janë tërësisht të bazuara në supozime”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›