E Shtunë, 31 Tetor 2026

Napoli, gafë me Katanian, Lacio 'blindon' Champions

ITALI- Dy gola të pësuar nga dy goditje këndi, i kanë hequr Napolit një shans të mirë për të qenë një pikë larg zonës Champions, ku Lacio tashmë ndodhet e qetë. Seria A ka folur me gjuhën e barazimeve ditën e djeshme, ndërsa më e fituara ka dalë Lacio, e cila ka "blinduar" vendin e tretë, pas fitores minimale 1-0 ndaj Kaljarit. Një gol i realizuar nga Diakite me kokë në minutën e 88-të, e ka çuar në kuotën e 51 pikëve skuadrën e Edi Rejës.

Por, pasditja e bardhekaltërve u bë më e bukur pas barazimit 2-2 të Napolit ndaj Katanias. Napoletanët realizuan dy herë me anë të Xhemajlit e Kavanit në minutat 61' dhe 69', por Spoli e Lanxafame 5 minuta para fundit, barazuan gjithçka, pas një mefshtësie të mbrojtjes vendase në dy goditje këndi.

"Jam shumë i inatosur, ishte një shans i çuar dëm. Po lëmë pikë të fituara, jemi shumë naivë", deklaroi pas ndeshjes trajneri Valter Maxarri. Më tej, java e djeshme e Serisë A është mbizotëruar nga barazimet. Çezena e Parma barazuan 2- 2 mes tyre, ndërsa me të njëjtin rezultat u mbyll edhe Xhenoa-Fiorentina. Asnjë gol në ndeshjen mes Novarës dhe Leçes, ndërsa Kievo e Siena barazuan 1-1. Në mesditë, Atalanta mposhti 2- 0 Bolonjën.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›