Napolitano fton Pacollin për vizitë në Itali

Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano i ka dërguar një ftesë zyrtare presidentit të Kosovës, Behxhet Pacolli për të vizituar këtë shtet, në ceremoninë zyrtare të 150 vjetorit të formimit të Italisë së bashkuar, që do të mbahet në 2 qershor në Romë.
“Prania juaj do të ishte një nder për mua e për qeverisë italiane dhe do të përbënte një dëshmi të re të lidhjeve të forta të miqësisë që bashkojnë Kosovën e Italinë. Me shpresën se shumë shpejt do t`ju takoj në Romë, kam kënaqësinë t`ju shpreh përshëndetjet e mia më të përzemërta”, shkruan ndër të tjera në ftesën e tij presidenti i Italisë.
Presidenti Pacolli ka pranuar të hënën ftesën e dorëzuar nga ambasadori i Italisë në Kosovë, Michael Giffoni. Gjatë vizitës në Romë, presidenti Pacolli do të takohet me presidentin Napolitano, ndërsa do të realizojë takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit italian, me komunitetin e biznesit dhe takime të tjera.