Nata e Bardhë, festë në Tiranë
Në Tiranë u festua dje Nata e Bardhë për të pestë vit radhazi. Në program ishin parashikuar këngë partizane, filma me temë patriotike dhe shumë koncerte muzikore nga Bashkia e Tiranës. Të gjitha dritat ishin të ndezura dhe Bashkia e Tiranës për këtë mbrëmje organizoi një sërë aktivitetesh maratonë për grupmosha të ndryshme. Ky aktivitet masiv përveç argëtimit ka për qëllim nxitjen e jetës social-kulturore në vend, sipas Bashkisë së Tiranës. Siparin e kësaj festë gjigante e hapi banda e qytetit, e cila luajti muzikë karakteristike gjatë gjithë rrugës, duke nisur nga bulevardi "Zogu I”, në sheshin "Skënderbej", përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit" e deri në sheshin "Nënë Tereza". Më pas banda e qytetit u la stafetën koncerteve dhe aktiviteteve të tjera, në të cilat u mblodhën në sheshet dhe lulishtet më kryesore të kryeqytetit grupmosha nga më të ndryshmet, duke nisur nga fëmijët e vegjël deri te moshat e treta.