E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nata e dytë n'Teatrin Ndryshe

Natën e dytë të festivalit Teatri Ndryshe, me ligjëratën e tij mbi teatrin u paraqit profesori universitar nga SHBA, Dr. David McTier. Ai foli për rrjedhën e dramaturgjisë amerikane në rrethanat kontemporane karshi teatrit evropian, por edhe për rrjedhat ballkanike në këtë fushë. Në pjesën e dytë të programit u paraqit Teatri i Pejës, me shfaqjen “Variacione Enigmatike”.

Tematikat e tij profesori McTier kishin të bënin me komunikimin skenik, por edhe me rëndësinë, ngjarjet, rolet, misterin dhe fshehtësinë, djallëzinë, zbulimet, kundërthëniet, humorin, konfliktin dhe marrëdhënien, përderisa në fund edhe vetë performoi diçka drejtpërdrejt, bashkë me të rinjtë e shumtë që shfaqën interesimin që të ndiqnin këtë punëtori.

Ndërkohë që, në pjesën e dytë të mbrëmjes, para publikut llapjan u shfaq trupa e Teatrit të Pejës - Istref Begolli, me shfaqjen e Eric Emmanuel Schmitt “Variacione Enigmatike”, në regji të Behar Zenelajt dhe me aktrim të doajenit të teatrit shqiptar, Sylejman Lokaj. Veç tij, në shfaqje luajti edhe aktori dhe drejtori i Teatrit të Pejës, Nimon Muçaj, dhe aktorja, Rudina Zhara.

Ndjenjat e publikut karshi asaj që po zhvillohej në skenë ngelën momentet më pikante të rrjedhës së repertorit. Shfaqja po trajtonte një shkrimtar nobelist, i cili dikë nga rrjedha urbane dhe ngujohet brenda një ishulli, me idenë e shijimit të aromës së Helenës së bukur, e cila ekzistonte vetëm si metaforë dhe aromë shpirtërore, por jo dhe si personazh fizik. Nobelisti (Sylejman Lokaj), pra, po reflektonte mesazhin se e bukura ekziston e ndërthurur në libra, ose se ka kuptim përmbajtjesor vetëm në vargje poetike, përderisa në konceptin fizik ajo do të mund të imagjinohej si aromë, si pemë, si dashuri letrash, si mundësi për të jetësuar gënjeshtrën në rrugëtimin jetësor - por jo dhe si prekje apo përjetim seksual.

Shfaqja u shtrua në një ambient ishullor, mes tri pemësh, dhe janë cungat e atyre tri pemëve që rezonojnë se dashuria është prerë nga dora e njeriut.

Edhe në këtë natë audienca entuziaste mbushi sallën e teatrit të qytetit, e etshme për gjithçka që do të ndodh në skenë.

Ndryshe, rrjedha e festivalit po dinamizohet dita-ditës, ndërkohë që juria, mysafirët e shumtë – të ardhur nga Shqipëria, Maqedonia, Prishtina, por edhe nga qendrat tjera të Kosovës, dhe nga rajoni e bota - po gjejnë komoditet e ngrohtësi artistike dhe njerëzore gjatë asaj që po ndodhë në Podujevë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›