Kisha po humb ndikimin në Poloni

Posa ta kalojnë kufirin polak, udhëtarët që udhëtojnë me tren nga Berlini për në Varshavë, mund ta shohin Jezus Krishtin, në vendin e quajtur Sviebodzin. Statuja e tij është 36 metra e lartë, e bërë nga betoni.
Në pllakën e kësaj përmendoreje gjigante religjioze qëndron mbishkrimi se Jezusi është mbreti i vërtetë i Polonisë dhe se ai do të sundojë deri në përjetësi. Prandaj jo pa arsye, së paku në sytë e Kishës, Polonia konsiderohet si shteti më i krishterë në Evropë.
Por edhe përkundër përmendores gjigante, Sviebodzin nuk është shndërruar në qendër të pelegrinazhit.
“Përmendorja nuk ka nxitur ende një bum të turizmit”, thotë Valdemar Roshuk, kryeredaktor i një gazete në qytet.
Ky fakt ka hidhëruar Atin Silvester Zavadski, i cili është përgjegjës për versionin soc-realist të Krishtit. Kështu së paku thotë Roshuk. “Pjesa më e madhe e popullatës këtu është kundër monumentit, por askush nuk e thotë këtë hapur. Njerëzit nuk dëshirojnë të prishin punët me Atin Zavadcki”, thotë ai.
Rreth 95 për qind e polakëve ende theksojnë se janë të krishterë. Megjithatë, besnikëria e tyre ndaj kishës ka filluar të zbehet. Madje edhe publicisti konservatorë i krishterë, Tomasz Terelikovski, vlerëson se numri i të krishterëve të vërtetë të devotshëm është paksa më i lartë se 20 për qind.
“Neve polakëve na pëlqen të nënvizojmë krishterimin tonë, por realiteti duket krejt ndryshe”, thotë ai.
Vetëm 44 për qind e polakëve të ri theksojnë se shkojnë të dielave në kishë, për dallim nga 62 për qind, sa ishte numri i tyre në vitin 1992. 42 për qind pranojnë se nuk i respektojnë të gjitha rregullat fetare. Pothuajse askush nuk i kushton rëndësi rregulles e cila e ndalon seksin para martesës. Numri i aborteve ilegale arrin në qindra mijëra në vit. Krahas kësaj, katër e pesta e polakëve janë të ngopur nga fakti se kisha në vazhdimësi ndërhyn në politikë.
“Me monumentet bombastike, si ai në Sviebodzin, udhëheqësit e kishave lokale po tentojnë të fshehin faktin se ndikimi i tyre po zbehet me shpejtësi”, thotë filozofi Tadeusz Barto. “Brenda 10 viteve, kisha mund të margjinalizohet në tërësi”, shton ai.
Është ky një zhvillim, i cili bie ndesh me rolin unik që ka luajtur për një kohë të gjatë kisha në Poloni-si njëlloj mbrojtëse e kombit. Kjo marrëdhënie daton që nga koha kur Polonia ishte e copëtuar. Në shekullin e 18-të, Prusia protestante, perandorie ortodokse e Rusisë dhe Austro-Hungaria ndanë mes vete Poloninë. Besimi i krishterë ishte hallka, e cila i mbante polakët të bashkuar në rajonet e ndara dhe kisha e mbajti të gjallë idenë e ribashkimit.
Ëndrra u materializua ndërmjet dy luftërave botërore. E ashtuquajtura Republikë e Dytë ishte një etnitet multi-religjioz, i cili përbëhej nga hebrenjtë, protestantët dhe të krishterët ortodoksë, ndërsa 60 për qind e popullatës ishin të krishterë. Ajo që është ironike, Polonia u bë ekskluzivisht e krishtere tek pas krijimit të Republikës Popullore Komuniste pas vitit 1945, me ndihmën e Jozef Stalinit, birit të një prifti.
Deri në vitin 1989, kisha e portretoi vetën si një mbrojtje kombëtare kundër komunizmit, ideologji kjo e cila shihej si “jo-polake”. Kisha ndihmoi në organizimin e lëvizjeve të rezistencës në mesin e punëtorëve, në vitet e 70-ta dhe të 80-ta, i ofronte strehim disidentëve dhe prodhoi martirin modern, Jerzy Popielushkon. Si prift i krishterë, i lidhur me unionin Solidariteti, Popielushko u rrëmbye dhe u rrah nga policia e fshehtë në vitin 1984. Ai u lidh dhe u hodh në një rezervuar të lumit Vistula, ku më vonë u gjet i vdekur.
Pas rënies së komunizmit, politikanët e të gjitha ngjyrave ishin të kujdesshëm që të mos hyjnë në grindje me udhëheqësit e kishës dhe religjioni u kthye, ashtu siç u kërkua, si lëndë në shkollë.
Megjithatë, kisha dështoi që të mbajë hapin me epokën moderne, thotë Barto dhe shumë polak pajtohen me këtë qëndrim.
Pas anëtarësimit në BE, Polonia u kthye kah Perëndimi dhe përqafoi stilin perëndimor të jetës pothuajse më shumë se çdo shtet tjetër. Sot, femrat polake ëndërrojnë për karrierë dhe për fëmijë. Me qindra mijëra polakë të ri bashkëjetojnë, pa qenë në martesë. Në qytetet e mëdha, si në Varshavë dhe Poznan, homoseksualët dhe lesbiket jetojnë jetët e tyre po aq hapur, sikur edhe homoseksualët dhe lesbiket në Berlin apo Madrid.
“Po thyen gjithnjë e më shumë tabu, por kisha po reagon duke ashpërsuar edhe më tepër qëndrimet e saj”, thekson Barto.
Imazhin e kishës e ka dëmtuar edhe më shumë një seri e vetëvrasjeve nga ana e priftërinjve. Gjatë gjashtë viteve të fundit, tetë priftërinj kanë pirë helm, kanë varë vetën apo kanë kërcyer nga dritaret në dioqezën tejet religjioze Tarnov, në jug të vendit. Duket se hierarkia e kishës nuk po është më në gjendje që t’i adresohet nevojave shpirtërore të priftërinjve të saj.