Nato-ja dhe ankthi Afgan
Prej 1 gushtit, danezi Anders Fog Rasmusen, pa ndërprerje Kryeministër i vendit të tij në periudhën nëntor 2001-prill 2009, është sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s.
U emërua në këtë detyrë nga krerët e vendeve të aleancës në prill, kur me ndërmjetësinë e Obamës e Kryeministrit italian, Berluskoni, u arrit t'i "shqitej" po-ja Kryeministrit turk Erdogan, gjatë samitit të Strasburgut. Zëdhënësi i NATO-s, Xhejms Apaturai, deklaron se Rasmusen është "i vendosur ta bëjë aleancën sa më transparente e përfshirëse të mundshme".
Ndër dosjet që do të përballojë sekretariati Rasmusen, është edhe zgjerimi i aleancës drejt Maqedonisë, Ukrainës e Gjeorgjisë. Por, aktualisht, dosja më e nxehte ka të bëjë me gjendjen në Afganistan, ku prej 11 nëntorit 2003, në zbatim të rezolutës 1510 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (13 tetor 2003), NATO-ja ka kreun e misionit ushtarak ISAF (Forca Ndërkombëtare e Sigurisë dhe Asistencës), me mision për t'i dhënë sigurinë këtij vendi të martirizuar.
Në prag të zgjedhjeve presidenciale e lokale afgane, të parashikuara për t'u mbajtur më 20 gusht, ky mision po has vështirësi tekniko-ushtarake tejet serioze, ndërsa armiqtë e paqes në Kabul, Herat (dy zona ku vepron kontingjenti shqiptar), Helmand e rrethina, forcojnë praninë e agresivitetin e tyre.
Afganistani përbën lajm kryesor ndërkombëtar prej agresionit sovjetik të 1979-ës, që solli në pushtet Babrak Karmalin, kukull e Moskës. Duke bashkëpunuar me Pakistanin, SHBA-të ndihmuan guerrilen "muxhahedine" me armatime teknologjike të sofistikuara në luftën me rusët.
Gorbaçovi tërhoqi forcat sovjetike në 1989-ën e në 1992-shin u ndërprenë lidhjet e Kabulit me Moskën, në kuadrin e shpërbërjes së BRSS-së e "tërheqjes në vetvete" gjeopolitike të një Rusie të dobësuar. Edhe Uashingtoni u tërhoq prej frontit afgan, duke mos pranuar të financonte rindërtimin e këtij vendi të rrënuar prej luftës e pushtimit rus.
Një luftë e egër civile përfshiu vendin dhe "stabilizimi" u arrit vetëm më 27 shtator 1996, kur talebanët, një fraksion militant islamik, krijuar prej shërbimeve sekrete pakistaneze, morën Kabulin. Në 1998-ën, talebanët kontrollonin rreth 90% të territorit të këtij vendi tejet-tejet të varfër ekonomikisht, ku të ardhurat kryesore vijnë prej kultivimit e trafikut të opiumit.
SHBA-ja e Britania e Madhe sulmuan Afganistanin më 7 tetor 2001, një muaj pas atentateve të 11 shtatorit, pasi talebanët refuzuan të dorëzonin në duart amerikane Bin Ladenin, akuzuar si planifikuesi i masakrës së Manhatanit e Pentagonit.
Arritën të fitonin ushtarakisht në sajë të aleancës strategjike me Aleancën e Veriut, një grup guerriljer antitaleban, por nuk arritën të kapnin dot as Bin Ladenin e as kreun taleban Omar. Një "njeri i Perëndimit", Hamid Karzai, është Presidenti në detyrë i Afganistanit prej atëherë, rikonfirmuar në zgjedhjet presidenciale të vjeshtës 2004. Por, prej 2006-ës, talebanët, të rigrupuar pas humbjes së 2001-shit, kanë rritur ndjeshëm sulmet e tyre dhe normaliteti mbetet ende një mirazh për vendin.
NATO-ja ka rreth 60.000 ushtarë në Afganistan, pothuajse gjysma e të cilëve, amerikanë. Forcat afgane të sigurisë numërojnë rreth 160.000 vetë, ndërsa numri i talebanëve është rreth 10-15.000 luftëtarë. Gjendja e sigurisë është shumë e rëndë dhe problematike, veçanërisht në qendër e në jug të vendit.
Strategjia luftarake e NATO-s është e kufizuar prej "rregullash angazhimi" të ngurtë ("Është si të luftosh Apashet indianë të Amerikës në shekullin XIX",-ironizon Frensis Uest, ish-zv/sekretar amerikan i Mbrojtjes për Çështjet Ndërkombëtare të Sigurisë gjatë viteve '80-të), që nuk lejojnë veprime ofensive në shkallë të gjerë kundër një armiku të motivuar e njohës të territorit. Numri i të vdekurve - civilë e ushtarakë - veçse rritet.
Për 6-mujorin e parë të 2009-ës, burime të OKB-së në Gjenevë, të cituara nga agjencia "Associated Press" (AP), flasin për 24% të vdekur më tepër sesa periudha analoge e 2008-ës e 48% humbje jete më tepër sesa e njëjta periudhë e 2007-ës. Vetëm në korrik 2009, 70 ushtarë të ISAF-it, kryesisht amerikanë (40) e britanikë, kanë humbur jetën. Një sondazh i fundit i së përditshmes britanike "The Indipendent", tregon se 52% e nënshtetasve të Madhërisë së Saj janë pro tërheqjes së kontingjentit britanik prej Afganistanit.
Planet e administratës Obama, e cila drejton "de facto" ISAF-in, janë të tjera. Në fjalimin e Kajros (4 qershor), pasi rikujtoi "shokun" e 11 shtatorit, Presidenti amerikan tha (duke e kufizuar interpretimin në prizmin amerikan): "Ne nuk duam të mbajmë trupat tonë në Afganistan. Ne nuk kërkojmë të vendosim baza ushtarake atje. Është hidhëruese për Amerikën të humbasë atje të rinj e të reja. Ky konflikt është i kushtueshëm dhe politikisht i vështirë për t'u vazhduar.
Me gjithë qejf ne do të rikthenim në shtëpi gjithkënd prej trupave tanë, sikur të ishim të sigurt se nuk ka më ekstremistë në Afganistan e Pakistan të vrasin sa më shumë amerikanë të munden. Por ende nuk ndodhemi në pikën e kësaj sigurie. Për këtë arsye ne jemi partnerë në një koalicion prej 46 vendesh.
Me gjithë kostot e përfshirjes, angazhimi i Amerikës nuk do të dobësohet". "Faktikisht, një asistence financiare prej të paktën disa dhjetëra miliardë dollarësh - pjesërisht e ndarë me aleatët e tjerë perëndimorë - përgjatë afërsisht një dekade, është "faktori shtesë" i këtij angazhimi afatgjatë.
Fakti që rezultatet po vonojnë të vijnë, krijon kriticizëm në disa vende të angazhuara. Në Itali, Liga e Veriut, aleatja kryesore e Berluskonit, ka kërkuar hapur (megjithëse jo zyrtarisht) tërheqje të trupave italianë. Është e sigurt se një përkeqësim në vazhdim i sigurisë do të bëjë që edhe zëra të tjerë të rëndësishëm, të kërkojnë të njëjtën "zgjidhje" edhe në vende të tjerë të përfshirë në ISAF.
Ndërsa më 27 shkurt 2009, në Kamp Lezhen të Karolinës së Veriut (SHBA), në një fjalim para marinsëve, Obama ka fiksuar 31 gushtin 2010 si datën e fundit të angazhimit ushtarak amerikan në Irak, një datë e tillë, për Afganistanin nuk duket në horizont dhe natyrisht që aleatët (mbase përveç Londrës), janë pak në gjendje të ndikojnë në vendimmarrjen e Uashingtonit.
Nuk është gabim të supozohet se, ndërsa hyn në detyrën e re te sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fog Rasmusen ripërpunon mendërisht një strategji suksesi në luginat e Afganistanit, atje ku luhet besueshmëria e kësaj aleance 60-vjeçare.