E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në një proporcional të pastër

Për nga mënyra se si u zhvillua fushata elektorale, koalicionet mes partive politike kanë funksionuar vetëm teknikisht. Nuk u pa asnjë aksion i përbashkët politik, asnjë artikulim publik, mes aleatësh. Sistemi i adaptuar imponoi konkurrencë të ashpër edhe mes vetë partive të koalicionit.


Megjithëse kjo konkurrencë nuk përjashtonte mesazhe të përbashkëta, dalje të përbashkëta publike, pse jo dhe mbështetje taktike për njëri-tjetrin. Përkundër asaj që pritej, partitë e mëdha dhanë mesazhe të forta për të mos votuar për partitë e vogla aleate të tyre. Ky votim tregoi se kur është fjala për interesa brenda një partie, aleatët kthehen në kundërshtarë.


Tani që kemi në dorë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, mund të bëjmë analiza për efektet e sistemit të përdorur më 28 qershor dhe nevojat për korrigjime në të ardhmen. Efekti më pozitiv që ka prodhuar ky sistem në arën e politikës shqiptare, është largimi i "insekteve" të dëmshme, të cilat janë mbajtur gjithherë, përkatësisht, me dhjamin e socialistëve e demokratëve.


Zgjedhjet e 28 qershorit kanë skanuar forcën proporcionale të çdo partie politike në Shqipëri. Por sistemi ka favorizuar të djathtët, edhe pse kanë marrë më pak vota. Koalicioni rreth PD-së ka marrë 70 deputetë, përkundër 66 të koalicionit rreth PS-së, edhe pse diferenca prej 24 mijë votash, proporcionalisht përkthehet në vetëm 2 deputetë.


Në një sistem proporcional kombëtar, me prag të njëjtë, me rezultatin e arritur, ndarja e mandateve - nëse votat do të llogariteshin sipas koalicioneve, do të ishte: koalicioni rreth PD-së 67 mandate, koalicioni rreth PS-së 65 mandate. Nëse votat do të llogariteshin sipas partive politike, do të kishim këtë shpërndarje e mandatesh: PD-ja 65 mandate, PS-ja 67 mandate.


Asnjë parti tjetër veç LSI-së, që mund të arrinte 8 mandate, në të dyja rastet nuk do të ishte futur në Parlament. Sistemi proporcional kombëtar me prag 3 % (por qoftë edhe 2 %), do të ishte më pak favorizues për partitë e vogla.


Nëse do të bënin një grupim mekanik të 1.519.156 votave të vlefshme të hedhura në kutitë e votimit, të ndara në e majtë-e djathtë, rezulton se e majta ka marrë gjithsej 773.156 vota, ndërsa e djathta 745.265 vota (ndërsa 756 vota janë të pavarura). Diferenca është 27.890 vota.


Po të llogaritej proporcionalisht numri i mandateve, bazuar në këtë rezultat, e majta do të merrte 71 deputetë, ndërsa e djathta 69 deputetë. Që tregon realitetin politik shqiptar të ndarë në dy kampe, shumë afër njëri-tjetrit në rezultat.


A është e nevojshme, siç po flitet prapë, të korrigjohet sistemi ekzistues? Për kushtet e Shqipërisë, sistemi më perfekt do të ishte një proporcional, i cili do duhej të plotësonte dy kushte: së pari, të ishte sa më i drejtë, që do të thotë një proporcional kombëtar preferencial, ku të gjitha votat e marra në rang kombëtar përkthehen në deputetë, ndërsa radhën në listën e fituesve e përcakton votuesi e jo partia; dhe së dyti, të ishte përfaqësues, që do të thotë të vendosej një prag të paktën 3 %, në mënyrë që politika të mos parcelizohej, bazuar në interesa individësh dhe familjesh, por të kishim një pjesëmarrje përfaqësuese shtresash në Parlament.


Natyrisht që edhe këtu do të kishte kundërshti. Të vegjlit do të ankoheshin se sistemi nuk është i drejtë, pasi votat e partisë që, fjala vjen, do të merrte 2.9 %, do të shkonin diku tjetër dhe kështu prapë do devijohej vullneti!


Dikush mund të propozonte një prag 2 %, dikush 1 % e dikush tjetër heqjen fare të pragut (në një rast të tillë do futeshin në Parlament të paktën 30 parti!).
Sistem zgjedhor plotësisht i drejtë e i pastër nuk mund të gjendet.


Sepse politika nuk është shprehje e së drejtës, por shprehje e interesave të koncentruara të një shoqërie të lirë. Po të kërkohej e drejta tejpërtej, do duhej ndërtuar një Parlament fantastik, me një numër deputetësh të barabartë me numrin e votuesve! Gjë që s'mund të ndodhë. Nuk do të kishim të bënim me politikë pastaj.


Që këtu fillon "padrejtësia", e domosdoshme, e cila bazohet në sisteme zgjedhore. Modeli "më i padrejtë", paradoksalisht është ai më i drejtpërdrejti, sistemi mazhoritar, ku mund të ndodhë që, p.sh., një parti të marrë rreth 49 % të votave dhe asnjë deputet në Parlament! Më pas, "padrejtësia" fillon e zbutet në sistemin mix, ku proporcionali respektohet në një përqindje të madhe të Parlamentit, varësisht nga aplikimi i modelit.


Akoma më tej "padrejtësia" vjen e reduktohet në sistemet proporcionale, ku partitë që kanë relevancë i përkthejnë pothuajse të gjitha votat e marra në deputetë.

Për partitë e vogla nuk kishte sistem më favorizues se sa ky, në kushtet e të drejtës së një vote. Formula "Saint Legue", që llogariste mandatet brenda koalicioneve, ishte super proporcionale, më proporcionale se sa proporcionali i pastër.


P.sh., nëse në Qarkun e Tiranës do të aplikohej proporcionali i pastër, PR-ja nuk do të kishte marrë asnjë deputet. Po të pjesëtosh numrin e votave të marra nga koalicioni rreth PD-së, me numrin e mandateve (177.869 : 16) të del shifra 11.116, që është numri i nevojshëm i votave për të plotësuar një deputet të plotë, ndërkohë që PR-ja ka marrë vetëm 6131 vota.


E njëjta gjë ndodh në Qarkun e Vlorës, ku për të marrë një deputet të plotë në koalicionin rreth PD-së, me formulë proporcionale të pastër do duheshin 7.948 vota, ndërkohë që PDI-ja ka marrë vetëm 4.932 vota, të përkthyera në 1 deputet.


Po ashtu për rastin e PBDNJ-së në Qarkun e Vlorës, ku për të marrë një deputet, me formulë të pastër proporcionale, duheshin 8.313, ndërsa PBDNJ-ja ka marrë 6.068 vota, gjithashtu të përkthyera në 1 deputet me sistemin ekzistues.


Deri tani në Shqipëri janë aplikuar të tre modelet kryesore të sistemeve: mazhoritari (në zgjedhjet e para të vitit 1991); sistemi mix, që nga zgjedhjet e vitit 1992 e deri në vitin 2005; dhe së fundi proporcionali. E keqja është se në Shqipëri, kërkohet që t'u përshtatet sistemi partive dhe jo partitë sistemit. Ndërkohë që parti mund të ketë sa të duash, ndërsa sistem s'mund të ketë më shumë se një.


A mund të ketë tjetër reformë zgjedhore? Për ta bërë atë duhen kapërcyer dy barriera shumë të rëndësishme: e para, për të ndryshuar sistemin nga rajonal në kombëtar, duhet ndryshuar Kushtetuta me 94 vota dhe, e dyta, për të bërë qoftë korrigjimin e sistemit ekzistues, duhet ndryshuar Kodi Zgjedhor me 84 vota.


E vetmja parti që do të kishte interes për ta bërë këtë është LSI-ja. Por, nga ana tjetër, këto ndryshime janë në dorë të PS-së, e cila ka rastin të kalkulojë sërish interesat e saj, varësisht nga zhvillimet politike në vijim. Loja politike është e hapur.


Sistemi për të cilin mund të binin dakord të gjithë faktorët politikë, është ky i tashmi me një korrektim kombëtar, d.m.th. me një formulë tjetër të shpërndarjes së vendeve në Parlament. Pjesët e paplota që mbeten në rajone, shkojnë për llogari të listës kombëtare.


Që do të thotë se rezultati përfundimtar është pothuajse proporcional kombëtar në teknikën e ndarjes së vendeve, votat nuk deformohen për arsye formule dhe respektohen relevancat e rajoneve në rend të parë. Ky do të ishte kompromisi më i mirë për të gjitha palët.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›