E Shtunë, 31 Tetor 2026

Navalny prokuroret Liri ne pritje te apelit

Prokurorët kanë kërkuar që lideri rus i protestave anti-Putin, Alexei Navalny, të lirohet në pritje të apelit, vetëm pak orë pasi ai u shpall fajtor për përvetësim.

Kjo lëvizje e papritur erdhi teksa mijëra persona dolën në rrugë, duke protestuar për dënimin e tij gjatë së enjtes. Navalny, një kritik i zëshëm i presidentit rus Vladimir Putin, ka mohuar akuzat, duke thënë se gjyqi ishte i motivuar politikisht. Së fundi, ai kishte regjistruar kandidaturën e tij për zgjedhjet lokale në Moskë. Kreu i stafit të fushatës së tij, Leonid Volkov, tha se Navalny i kishte rrëfyer që do të tërhiqej nga gara për kryebashkiak, nëse do të dënohej. Gjithsesi, nuk është ende e qartë se çfarë mund të ndodhë, nëse ai lirohet në pritje të vendimit të apelit. Navalny-t iu vunë prangat në duar në gjykatën e Kirov-it, pasi u shpall fajtor për përvetësim nga një firmë e lëndëve drusore, e u dënua me 5 vjet burgim. Mijëra njerëz dolën në protestë në rrugët e Moskës, Shën Petërsburgut dhe qyteteve të tjera, të cilat vazhduan edhe gjatë orëve të vona të natës. Raportimet e fundit bëjnë të ditur se me dhjetra prej tyre janë arrestuar nga policia. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›