E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nazimja, fukarallëk, maskarallëk

Kjo është një shprehje e urtë e popullit, shprehje, e cila ruhet dhe nuk harrohet kurrë, pavarësisht evolucionit. Fukarallëku sjell maskarallëk.

Kjo është historia e Nazime Vishës, 18- vjeçares që pranon se ka vrarë me 29 plumba Fiqiri Muçën, njeriun që e akuzon si përdhunuesin e saj. Kjo është historia e Nazimes, e cila në regjistrin e gjendjes civile shënohet se ka mbushur 18 vjeç në 6 mars, ndërsa ajo na thotë se të 18-at i mbush më 3 marsin e ardhshëm. Kjo është historia dhe e Lutfies, motrës së saj, e cila martuar me vëllain e viktimës, bën lanet të motrën duke pohuar se Nazimes duhet t'i kishin hedhur helm në kafe, historia e Mjetes, nënës së Nazimes që piu helm kur vajza iu zhduk më 23 maj... është historia e atyre që, fukarallëku i përndjek me maskarallëk. Sa e trishtë është e gjithë kjo histori. Sa e trishtë është kur sheh një vajzë 18-vjeçare të pohojë me buzë në gaz se ka vrarë dikë, e të ndjehet e lumtur dhe e lirë në burg. Është e frikshme ajo që thotë Nazimja, se, si mund të jesh e lirë në burg... por edhe më e frikshme duhet të ketë qenë jeta e saj para vrasjes, ku pa u bërë ende grua, pa i ardhur menstruacionet është përdhunuar nga një njeri 27 vite më i madh. Marrim në vëmendje edhe një variant të thënë nga njerëz që besojnë se ajo, Nazimja, ka qenë qejflie që 14 vjeç. E kjo minorene paska shfrytëzuar Fiqiriun atëherë 41 vjeç, për të nxjerrë epshet e saj, madje e ka shfrytëzuar sipas mendimit të po këtij grupimi, duke i marrë para për bravo ose "me i ble gjana". Atij Fiqiriu që kishte lënë gruan dhe 5 fëmijët, me dy dhoma e në fukarallëk total, e vetë punonte me dru në pyje, për të mbajtur shtëpinë me bukë. E ky grupim, nuk vë në kandar faktin se Fiqiriu para 4 vjetësh kur ka nisur kjo histori ishte 41 vjeç, babai i pesë fëmijëve, vajza e së cilit kishte të njëjtën moshë me "Nazime qejflien". Ne shqiptarët në botë, na ka bërë të famshëm një virtyt, BESA, madje grekët kanë huazuar këtë fjalë tonën, sepse nuk e kanë në fjalor, një të tyren. E kur tjetrit i hap derën e i shtron bukën, ky nuk duhet të të "shtrojë" gocën qoftë edhe me qejfin e saj.

Sa e trishtë është kur sheh Lutfien të flasë kundra Nazimes... Hall i madh e ka gjet. Vëllain e burrit ia vrau motra e saj e vogël. Shtatzënë në muajin e 7-të, ajo jeton në majë të malit, në Ketë të Burrelit, në shtëpinë e vjehrrëve, me djalin e vogël dhe burrin. Ky i fundit deklaroi se pasi Fiqiriu i rrëmbeu të kunatën, Nazimen, nuk i foli më të vëllait. Këtë e pohoi dhe Nazimja, por sot vjen një tjetër variant... Fiqiriu e Nazimja morën atë që kërkuan... Ku të shkojë Lutfia, e cila s'mund të dalë ballazi për të mbrojtur motrën. Të kthehet në Malvilëz ku jeton familja e saj e zhytur në varfëri? E për më keq, të kthehet te baba me një fëmijë e me barkun plot? Edhe sikur Nazimja ta kishte vrarë pa pasur asnjë shkak kunatin e saj, mund të vihet në kandar motra me vëllain e burrit? Mjerimi ta ul kokën... Të tillë gjykime dhanë edhe prindërit e Fiqiriut që duke shmangur imoralitetin e gjithë kësaj ngjarjeje kërcënuan me larje gjaku, familjen Visha. Akoma më i trishtë është fakti se policia duke pasur një deklaratë të tillë, nuk shkoi të merrej me kërcënuesit, por e konsideroi deklaratë në gjaknxehtësi e sipër, njësoj si ajo që Nazimja 18 vjeç, bëri tre muaj më parë, kur denoncoi Fiqiriun për rrëmbimin e saj. Polica nuk heton pas shkresave. I mjafton vetëm që dikush të tërheqë denoncimin dhe çështjen ta konsiderojë të mbyllur. Kjo është një ndër ato dhjetëra histori dhune dhe maskarallëku, që kanë ndodhur e ndodhin çdo ditë, e ndërsa kujtojmë buzëqeshjen në fytyrën e Nazimes na kujtohet ai, Migjeni i madh, me ato vargje drithëruese që sot e shumë vjet kanë sërish të njëjtën forcë.
Mjerimi pjek fëmin para se të
burrnohet;
don ta msojë t'i iki grushtit q'i kërcnohet,
atij grusht që në gjumë e shtërngon për fytit
kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit
dhe fetyrën e fëmis e mblon hij' e vdekjes,
një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes.
Një fryt kurse piqet dihet se ku shkon
qashtu edhe fëmia në bark të dheut mbaron.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›