Ndahen çmimet për fituesit e Olimpiadave Kombëtare 2020-2021

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj kanë marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit në fazën e tretë të Olimpiadave Kombëtare 2020-2021, për arsimin e mesëm të ulët dhe arsimin e mesëm të lartë parauniversitar.
Gjatë fjalës së saj ministrja Kushi tha se në punën e përditshme misioni kryesor është garantimi i arsimit gjithëpërfshirës, cilësor dhe të barabartë për të gjithë nxënësit.
“Për këtë arsye ne punojmë që edhe shkollat e reja që ndërtojmë të jenë me të njëjtat standarde, si në qendër të Tiranës, si në periferi apo zona të thella rurale. Edhe mësuesit punësohen me transparencë dhe meritokraci, sipas portalit ‘Mësues për Shqipërinë’ dhe shkojnë si në shkollat e qytetit, ashtu edhe në vende periferike, pikërisht për të garantuar që mësimdhënia të jetë e barabartë në të gjithë Shqipërisë. Edhe tekstet falas për 280 mijë nxënës të arsimit parauniversitar në ciklin bazë dhe në kategorinë në nevojë në ciklin e arsimit të mesëm të lartë përfitojnë njësoj tekste falas”, shprehet ministrja.
Sipas ministres, të gjitha këto elemente mundësojnë që nxënësit të kenë mundësi të barabarta për të marrë dije dhe aftësi, që nesër të jenë profesionistë të aftë dhe të denjë, por ndodh që disa shkëlqejnë më shumë rrugës, edhe pse janë të talentuar, por edhe pse punojnë dhe sakrifikojnë më shumë.
Ajo theksoi se olimpiadat përcjellin mesazhe të rëndësishme, tregojnë se kush punon dhe përpiqet më shumë patjetër që shpërblehet.
Veliaj vlerësoi faktin se investimet në arsim, si salla “Tonin Harapi” në shkollën “Jordan Misja”, janë kyçe sa i përket zhvillimit të sistemit arsimor në vendin tonë, i cili po reflektohet tek të rinjtë fitues të garave të tilla kombëtare, por edhe ndërkombëtare, ashtu sikurse iu ka shprehur mirënjohjen e veçantë edhe mësuesve për përkushtimin e tyre.
“Kur mendoj sa shumë punë kemi bërë në Tiranë, si kjo foleja e bukur këtu salla “Tonin Harapi”, jam shpresëplotë se kemi bërë një investim që u shërben të gjithëve ju. Fakti se sot kemi çuna dhe goca që fituan olimpiada dhe dolën me sukses, do të thotë se kur ne shqiptarët i vëmë syrin diçkaje, kur kemi një bashkëpunim mes një nxënësi të zellshëm dhe një mësuesi të përkushtuar, nuk ka asgjë që na ndalon. Sot jam shumë krenar, jo vetëm për ata që marrin medalje, por edhe për mësuesit që kanë kontribuar me përkushtimin e tyre”, u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë ftoi të rinjtë fitues të olimpiadave të aplikojnë në thirrjen e Bashkisë së Tiranës për projekte për vitin ku Tirana do jetë Kryeqyteti Evropian i Rinisë.
“Mezi pres vitin tjetër kur do të jemi Kryeqyteti Evropian i Rinisë. E shoh si një mundësi të shkëlqyer thirrjen për projekte apo aktivitete, e cila do të jetë e hapur deri në datën 28 janar! Mund të aplikoni si shkollë apo për një koncert, ansambël apo olimpiadë, por gjithmonë duam që të ftoni edhe miq nga rajoni, ose nga e gjithë Evropa, për ta treguar realisht fytyrën evropiane të qytetit të Tiranës. Ky do të jetë viti ku ne do të kemi buxhetin më të madh ndonjëherë në Republikën e Shqipërisë në qytetin tonë për rininë, edhe për investimet për çunat dhe gocat e rinj, dhe qielli është limiti se çfarë mund të bëjmë bashkë,” deklaroi ai.
Për vitin 2020-2021 numri i fituesve të vendeve të para ishin 103, ndërsa fitues të vendeve të para janë 32 nxënës. Olimpiada u përqendrua në lëndët: Matematikë, Fizikë, Kimi, Biologji, Informatikë, Gjuhë shqipe dhe letërsi, Histori dhe Gjeografi.