Ndahet nga jeta poeti Ndoc Gjetja
Pak ditë para se Bashkia e Lezhës ta nderonte me titullin qytetar nderi, Ndoc Gjetja poeti shkodran me fytyrën e Krishtit siç e krahasonin miqtë e letrave, largohet nga jeta në moshën 66 vjeçare në qytetin ku jetoi dhe krijoi. I vlerësuar si poet social dhe i dashuruar me jetën Ndoc Gjetja është një prej poetëve më pranë shpirtrave njerëzore në poezinë shqipe bashkëkohore, apo siç e ka cilësuar një studiues, poeti që di me çdo varg t'i bjerë bukur tastierës së humanizmit. Besnik i patundur i bindjeve e prirjeve të veta, si një orakull, shkruajti me atë sinqeritet siç u shfaq aq i befasishëm kur ishte veç se një gjimnazist në Lezhë. Ardhja e tij në letërsi shënoi disi rënien morale të shkëlqimit të improvizuar të poetëve që përbënin triumviratin monist të letërsisë, të cilët, vërtetë dinin të thurnin vargje, por u mungonte sinqeriteti poetik. I lindur 9 marsin e 1944ës në fshatin Bërdicë të Shkodrës, kur ishte shtatë vjec, prindërit e tij u vendosën me banim në Lezhë, nga ku jetoi deri sot. Në vitin 1970,Gjetja filloi të botojë poezitë e para dhe u mor gjatë jetës vetëm me poezi teksa njihet si autor i disa vëllimeve poetike nga ku më i njohuri është vepra poetike "Dhjata Ime" dhe kujtojmë si amanet të tijin poezinë "Lutja".
O Zot qe fatet tona ne dore i mbane
na ruaj nga orekset e Sanco Pances
na ruaj nga hija e rende e fames
na ruaj nga faqeputhjet helmuese te Judes.