E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta Arbën Xhaferri, personaliteti i shquar dhe mjeshtri i diplomacisë shqiptare

16-08-2012 / Gazeta 55

Drejtues shtetëror në Tiranë e Prishtinë, si dhe faktori politik shqiptar, i përcjell ngushëllimet familjes dhe drejtuesve të PDSH-së në Maqedoni

Pas një beteje një javore mes jetës dhe vdekjes, Arbën Xhaferri nuk i reziston dot goditjes cerebrale, duke ndërruar jetë pasditen e djeshme. Ish kryetari i PDSH-së ishte një nga personalitetet më të njohura të faktorit politik shqiptar në Maqedoni, veprimtar i shquar për liri dhe të drejtat e shqiptarëve në fqinjin tonë lindor që kulmoi me marrëveshjen e Ohrit 11 vjet më parë. Homazhet në nderim të Xhaferrit zhvillohen sot në ora 12.00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë, nga ku i ndjeri do të përcillet për në banesën e fundit

U nda nga jeta dje pasdite, në moshën 64 vjeçare, themeluesi i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni dhe kryetar nderi i kësaj partie, Arbën Xhaferri. Rreth orës 16.00 të ditës së djeshme, në spitalin klinik të Shkupit pushoi zemra e politikanit dhe intelektualit të njohur, pas përpjekjes 7 ditore të ekipit të mjekëve, për ta mbajtur në jetë. Arbën Xhaferri u shtrua në klinikën e Shkupit pas një goditje cerebrale që pësoi të mërkurën e kaluar në banesën e tij në Tetovë, prej ku u transferua ne Klinikën e Shkupit në gjendje kome.
Mjekët kishin paralajmëruar se gjendja ishte e rëndë dhe nëse i ndjeri do të kishte kaluar 7 deri në 10 ditë në këtë gjendje mundësitë për përmirësim të shëndetit do të ishin më të mëdha. Arbën Xhaferri prej 7 ditësh ishte në gjendje kome. Edhe përkundër ndërhyrjeve mjekësore, gjendja e tij nuk u përmirësua.
Nga Klinika për Neurologji në Shkup, ishte mjeku Vladimir Mirçevski, ai që dha lajmin se pacienti nuk i rezistoi dot goditjes cerebrale. Ai theksoi se ekipi i mjekëve u përkushtua maksimalisht për t’i shpëtuar jetën Arbën Xhaferri, por pa ia dalë dot.
“I ndërmorëm të gjitha masat e nevojshme për shërim, por për fat të keq ndodhi më e keqja. Si rezultat i përkeqësimit sekondar një ditë më parë edhe përkundër të gjitha përpjekjeve të ekipit të mjekëve dhe ekipit profesionist, zotëri Arbën Xhaferi ndërroi jetë sot në ora 15.50 minuta”, tha dje Mirçevski.
Ish-kryetari i PDSH-së, Arbën Xhaferri, vuante nga sëmundja e Parkinsonit, që ishte edhe shkak për tërheqjen e tij nga aktivitetet partiake. Arbën Xhaferri ishte deputet i PDSH-së në Kuvendin e Maqedonisë. Për 12 vite me radhë, Xhaferri ka qenë në krye të PDSH-së deri në vitin 2007 kur në krye të partisë erdhi zëvendësi i tij, Menduh Thaçi. Arbën Xhaferi njihet si veprimtar i shquar për liri dhe të drejtat shqiptarëve në Maqedoni. Ndarja nga jeta është pritur me pikëllim të thellë nga hapësira mbarë shqiptare, teksa reagime të shumta nga Tirana, Prishtina dhe diaspora flasin për një rol të pazëvendësueshëm të Arbën Xhaferrit në përpjekjet e tij për dimensionin e lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, duke kulmuar me Marrëveshjen e Ohrit, e njohur ndryshe si garancia e të drejtave themelore që i dha fund konfliktit të armatosur 6 mujor në fqinjin tonë lindor. Gjithashtu, përmes veprës së tij letrare dhe asaj politike, Arbën Xhaferri ka qenë një zë i fuqishëm në forcimin e pozitës së shqiptarëve në rajonin e Ballkanit, pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë.
Më tepër se si politikan, Xhaferri gjithmonë është çmuar si një nga intelektualët më të mëdhenj shqiptarë, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Analizat dhe pikëpamjet e tij për zhvillimet në shoqërinë shqiptare në Ballkan, të shprehura në intervista dhe tekste autoriale, gjithmonë kanë ngjallur debate në qarqet intelektuale. Xhaferri është një mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë dhe është i njohur për thirrje për ndryshim në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Arben Xhaferri është autori i 2 librave që fokusohen mbi minoritetin shqiptar në Maqedoni “The DPA Non-Paper”, dhe “Sfidat e demokracisë në shtetet multietnike”.
Në cilësinë e kryetarit të PDSH-së, Xhaferi në vitin 2001 ishte në mesin e nënshkruesve të marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje të cilën më vonë shpeshherë e ka kundërshtuar, për shkak të implementimit në ngadalshëm të saj. Arbën Xhaferri ishte jo vetëm një zë i fuqishëm i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe më gjerë, por njëherazi edhe një vizionar perëndimor në mbështetje të proceseve integruese të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.
PDSH: Pushoi së rrahuri zemra e Arbën Xhaferit/Në një deklaratë për mediat, Partia Demokratike Shqiptare në Maqedoni njoftoi ndarjen nga jeta të presidentit të nderit, Arbën Xhaferi. “Sot më 15 Gusht 2012 pushoi së rrahuri zemra e Kryetarit të kuvendit qendror të PDSH-së Arbën Xhaferi, thuhet në reagimin zyrtar të PDSH, ndërsa informon gjithashtu se, sot (16 Gusht 2012), në ora 12.00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë do të zhvillohen homazhe, kurse kortezhi për përcjelljen e të ndjerit do të niset nga qendra e Tetovës në ora 13.30 për në varrezat e qytetit të Tetovës”.

Ali Ahmeti: Humbje për politikën dhe mendimin intelektual

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta ish kryetarit të PDSH-së, Arbën Xhaferri. Ahmeti e cilëson largimin e Xhaferrit nga kjo jetë si humbje për politikën dhe mendimin intelektual shqiptar jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë. “Me keqardhje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim të respektuar, Arbër Xhaferrit. Gjatë tërë këtyre viteve ka pasur situata jo të lehta me të cilat jemi përballur duke filluar që në ditët e luftës së popullit tonë për liri që rezultoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit e deri në këto ditë të implementimit të saj. Ka pasur gjëra për të cilat jemi pajtuar por edhe shumë gjëra për të cilat kemi pasur qëndrime të ndryshme, por ajo të cilës i jemi përmbajtur gjithnjë, ka qenë niveli njerëzor i komunikimit tonë personal dhe politik. Duke u bazuar në këto vlera konsideroj se largimi nga kjo jetë e Arbër Xhaferrit, është një humbje për politikën dhe mendimin intelektual shqiptar jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë. Prandaj me lejoni që në emrin tim personal por edhe në emër të subjektit që unë përfaqësoj të Ju shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta”, thuhet në telegram ngushëllimin e kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›