E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet nga jeta Fejzi Nexhip Abeshi

Shpesh herë ndodh që ngushëllimet e rastit shtypi t’i rezervojë vetëm për personalitetet apo njerëzit publikë të njohur për vlerat e tyre intelektuale dhe shoqërore, por unë mendoj se do të mbetej një mision i cunguar i medies nëqoftëse nuk do të shkruante për punëtorët e thjeshtë, por që gjithccka ja kanë kushtuar punës së tyre së ndershme. Një i tillë ishte edhe punëtori i minierave Fejzi Abeshi, i cili u nda nga jeta prej një sëmundjeje të rëndë më datën 5 tetor të vitit 2008, në fshatin Hudënisht. Fejzo ka lindur në fshatin Malinë, në 10 qershor 1938, në një familje shumë të varfër. Të mbetur jetimë ai bashkë me vëllain më të madh Neimin, nga nevoja ekonomike që në moshë të vogël kryenin punë të rënda fizike në zona të ndryshme të vendit. Në vitin 1958 Fejziu fillon punë në minierën e hekur-nikelit në Pishkash, e mbas tre vjetësh në minierën e Çervenakës. E kush nuk e njihte Fejzon në minierë? Mungesën e gojës natyra ia kishte kompensuar me virtytet të tjera, si zgjuarsia për të komunikuar me anë të shqisave të tjera me shumë lehtësi. Fejzo ishte shumë punëtor. Çdo ditë e javës për të ishte ditë pune, në shi apo në borë, të shtunë apo të diel, ditën apo natën ai ishte gjithmonë i gatshëm. Atë e donin dhe e respektonin jo vetëm shokët e punës, por edhe administrata e minierës. Në vitin 1988 Fejzo del në pension, e megjithatë ai për asnjë çast nuk iu nda punës. Fejzi Abeshi nuk mundi të martohej e të krijonte familjen e tij por i vëllai, Neimi e trajtoi atë si njeriun më të dashur e më të respektuar të familjes, deri në ditën e fundit të jetës së tij, në fshatin Hudënisht ku banojnë që nga viti 1994. Me vdekjen e Fejzos, ne ndajmë hidhërimin me familjen e Neim Abeshit dhe ngushëllojmë vëllain, nipërit e pjesëtarët e tjerë të familjes për humbjen e njeriut të tyre të zemrës. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›