Arsimi në Martanesh dhe ish-kryekomunari plangprishës socialist

Krasta, qyteti me resurse të mëdha natyrore, me potenciale turistike etj., u kthye nga drejtuesit rozë të kësaj njësie të pushtetit vendor, në një geto të trishtë, ku sundon dhe vazhdon të sundojë skamja, pisllëku dhe katrahura, e ku privilegjet e shpërdorimit të pushtetit vendor vileshin nga një grup nostalgjikësh të së kaluarës, ndërsa banorët e thjeshtë përjetonin varfërinë, përpjestimin e varfërisë dhe zhgënjimin. Krasta e mbetur prej kohësh nën të majtët, ngjante e ngjan me një qytet fantazmë, që duket sikur sapo ka dalë nga gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore. Fondet dhe investimet në këtë komunë nuk kanë munguar, madje ato kanë qenë më të mëdha sesa ato akorduar bashkisë Bulqizë. Por as kjo nuk ka mjaftuar, pasi po të ishin menaxhuar ashtu siç duhet, mund të kishin ndikuar për t’i ndryshuar imazhin kësaj krahine dhe mund të kishin mundësuar një jetë normale për banorët që jetojnë këtu, në këtë trevë atdhetare, aq të keqpërdorur nga pushtetarët socialistë, veçanërisht nga ish kryetari i komunës për gjashtë vjet, z.Teki Kurti.
Banori i thjeshtë i kësaj komune, pyet: Ku kanë shkuar këto fonde? Përgjigjen mund ta japë vetë z.Teki dhe stafi i tij “rozë”. Kështu, në fshatin Gjon është çelur fondi limit prej 43 milion e 750 mijë lekë të vjetra, për të ndërtuar një kthesë rruge, nga stacioni i pompimit, deri në rrugën kryesore. Se sa fond është investuar në këtë rrugë, shih e shkruaj, e dinë të gjithë banorët e Martaneshit! Në Krastë është çelur fondi për kanalizime prej 57 milion lekë të vjetra, por kanalizimet janë një fantazi ëndrre për banorët e këtushëm. Ndihma e qeveritarëve lokalë rozë në Martanesh ndaj të pamundurve e të vobektëve, ka qenë qesharake, jo më shumë se 1000-1500 lekë të reja në muaj, ndërkohë që persona e familje me banim në Tiranë, me punë në Itali, Greqi, Gjermani e gjetkë, me vila e makina luksoze, thjesht për shkak të lidhjeve nepotike e korruptive me pushtetin vendor socialist, kanë përfitur “pjesën e luanit” nga të ashtuquajturat ndihma ekonomike për “familjet në nevojë”.
Zotëri Kurti, i zgjedhur në zgjedhjet e vitit 2007 si kryetari i këshillit të komunës, është parë herë pas here në Martanesh vetëm për t’u hedhur një bojatisje “spruco” gjashtë viteve problematike e aspak efikase të qeverisjes së tij në këtë komunë. Ky zotëri, që na u shqetësoka shumë për nivelin e arsimit në Martanesh, prononcohet tutje-tëhu në disa rrjete televizive se nuk i dinë të vërtetat e punëve në këtë komunë, duke hedhur baltë mbi sistemin arsimor, shkollën dhe mësuesit e kësaj treve arsimdashëse, vetëm për faktin se shkolla tanimë e ka humbur destinacionin e ombrellës politike, ku e pati katandisur ai dhe klani i tij politik. Në radhën e mësimdhënësve ai pati futur vetëm persona me rekomandim partie, pa arsim përkatës dhe pa dëshirën për ta shkëputur mësimin dhe edukimin nga kthetrat politike majtiste.
Por, le t’u referohemi më konkretisht fakteve: Shkolla nëntëvjeçare “Jani Fullani” nuk ngjante me një institucion arsimimi, por me një magazinë rrangallë, që e kishte humbur destinacionin; pa xhama, pa dyer e dritare, pa banjo. Kështu normalizimi i kushteve dhe mësimdhënies në këtë shkollë, ku unë jam tani drejtor i saj, mua, së bashku me stafin, na kërkoi një angazhim dhe ndryshim rrënjësor, që nga infrastruktura skandaloze e deri tek rrënjosja e psikologjisë se shkolla është një vatër arsimimi dhe jo një hipotekë e kartelave politike të nostalgjikëve të së kaluarës. Unë si drejtues, së bashku me zyrën arsimore Bulqizë, punonjësit e së cilës dua që t’i falënderoj për mbështetjen që na kanë dhënë për të vënë në vijë punët e bëra lëmsh nga keqmenaxhimi dhe praktikat e rrumpallës rozë, nisëm një betejë të fortë për të kapërcyer fazën e primitivitetit dhe mediokritetit majtist dhe për të dalë në rrugë të mbarë, drejt metodave bashkëkohore, të cilat sollën një rritje efikase të treguesve mësimorë e pedagogjikë gjatë vitit shkollor 2007-2008.
Mjafton të përmendim kalueshmërinë 97 përqind dhe notën mestare 8.6, që e kanë radhitur shkollën tonë ndër më të mirat në rrethin e Bulqizës, për të kuptuar dimensionet e kësaj rritjeje dhe tejkalimin e barrierave klanore e politike të trashëguara nga mercenarët tuaj të së majtës shoku Kurti. Gjatë vitit shkollor 2008-2009, në qytetin e Krastës, me të drejtë, me vendim të Drejtorisë Arsimore Bulqizë u bë bashkimi i shkollave: i shkollës 9 vjeçare dhe asaj të mesme, në një shkollë të vetme, pasi në shkollë të mesme ka vetëm tre klasa, me këtë numër nxënësish: klasa X - 18 nxënës; klasa XI - 28 nxënës; klasa XII - 30 nxënës. Pra gjithsej 76 nxënës. Kësisoj rezulton se bashkimi ishte më se i drejtë, pasi sipas akteve normative, kur bie numri i nxënësve, bashkohen shkollat… Sikurse ka ndodhur edhe me komunën e Zerqanit dhe Shupenzës të rrethit Bulqizë.
Unë drejtori Kadri Gjoni dhe stafi im, nuk duam që të përsëritet historia e kohës kur drejtonte shoku Teki Kurti, kohë gjatë së cilës ku nuk ka kaluar thuajse asnjë maturant në sistemin e ri të provimeve të maturës shtetërore. Kjo shkollë asokohe vetëm emrin kishte shkollë, pasi i ngjante një stalle të rrënuar kooperative, pa dyer e dritare, pa xhama e pa banjë, ku hynin e dilnin sipas qejfit turlifarë personash që nuk kishin asnjë lidhje me arsimin, e ku mësimi prishej në mes të orëve, jo dhe aq për faj të mësuesve, sesa për mungesë të një infrastrukture dhe drejtimi normal. Në kohën e qeverisjes tuaj shoku Kurti, mbretëronin klanet, korrupsioni, nepotizmi, dhe vula e partisë bënte ligjin. Në ato rrethana të vështira, që në fillim të punës sime kam kërkuar bashkëpunim me kryetarin e komunës, zotin Gazmend Kenga, bashkëpunim që po rezulton shumë efikas, por akoma nuk kemi marrë ato frute që janë të nevojshme, nuk kemi realizuar ato çfarë janë më emergjente për momentin.
Përballë atij realiteti të trishtë ku ndodhej shkolla jonë, unë isha në dilemën: o të kapërceja këtë fazë primitiviteti, ku ju me drejtimin tuaj e katandisët atë; o të jepja dorëheqjen. Unë dhe stafi im iu përveshëm punës dhe me kurajë e angazhim, me atë buxhet të pakët që kishim në dispozicion, madje në mjaft raste dhe me kontribut financiar personal, të mundësonim atë që lypsej dhe duhej bërë urgjentisht në shkollë, me qëllim që asaj t’i vinte era shkollë, një institucion edukimi dhe jo ndryshe, siç e patën katandisur ata që ishin në krye para nesh, nën hyqmin tuaj. Nuk është vendi për të renditur këtu një sërë masash të thjeshta, por tepër të nevojshme, që nga riparimi i dyerve e dritareve, vënia e xhamave dhe vendosja e dezhurnit, deri tek një psikologji tjetër, që është psikologjia e një institucioni ku bëhet mësim e merren dije dhe ku për rrjedhojë gjithçka tjetër është në funksion të këtij misioni të shenjtë.
I përmenda sado shkarazi këto, sepse shoku Teki Kurti na del në një media televizive, duke hedhur baltë mbi realitetin dhe të vërtetën e arsimit në Martanesh. Puna matet me rezultate konkrete, me tregues sasiorë e cilësorë dhe jo me slogane të huazuara nga zyrat e larta të partisë. Kanë perënduar praktikat e atyre kohëve kur shoku Kurti kishte vënë në krye të shkollës njerëz me shkollim të mesëm dhe pa vizion, që nuk shqetësoheshin për asgjë, përveçse për të marrë rrogën dhe kënaqur egot e tyre e të tuat shoku Kurti, duke e kthyer shkollën në një qendër klanesh politiko-nepotike, larg një vendi ku mësohet dhe edukohet brezi i ri. Ju shoku Kurti dilni papritur në një media televizive thua se po bënit mbledhjen e radhës së celulës, pasi kështu jeni mësuar t’i bëni punët në Martanesh. Dhe kjo pasi ju nuk keni kurajën për të dalë ballëpërballë, sepse ne të djathtëve nuk mund të na përballosh, sepse ne dimë të qeverisim, ne dimë të drejtojmë, ne dimë të menaxhojmë, ne dimë të organizojmë, pasi jemi mbrujtur me këtë moral politik e qeverisës, por edhe sepse kemi arsimin e duhur për të drejtuar, shoku Teki. Më vjen keq, por gjithë Martaneshi e di mirë se kë mbaje ti pas vetes. Mbaje kastën e vjetër e të paarsimuar, me të cilët mund të luaje ping-pong si të doje, e të cilët i kishe pushkë të mbushura sa herë që ta lypnin interesat e ngushta e meskine. Ti nuk doje pas vetes të shkolluar, se ata të kritikonin, se ata të kundërshtonin, se me ata nuk mund të luaje lojën e kungulleshave e të abuzoje, sikurse bëje në drejtorinë arsimore, ku për një vend pune ju jepje letër dhjetë vetëve dhe ata detyroheshin të sorollateshin poshtë e lart. Pra, në kohën e “mbretërimit” tënd absolut, ti arsimin në Martanesh e ke parë me syrin e njerkës.
Ti shoku Kurti e di mjaft mirë që në komunën tonë kanë investuar në kohën që qeverisnit ju rreth 30 biznese të vogla e të mëdha. Ku kanë vajtur taksat e gjashtë vjetëve, kur ju ishit në krye të komunës, përderisa shkollën e morëm në atë gjendje mjerane? Ku tjetër përveçse në fushën e arsimit dhe të dijes mund të investoheshin këto para të taksapaguesve? Të ishit kaq i merakosur për shkollën, do të kishit investuar punë dhe para, me të cilat të paktën do të denjonit të bënit një banjo, sepse është turp që në vitin 2008, në shkollën e mesme nuk ka një banjo, lëre pastaj të kërkosh cilësi mësimi dhe edukimi. Mirë që nuk u bë një banjo në shkollën e mesme, po si nuk u pastrua njëherë qyteti i Krastës, kur në kohën tuaj kishte fonde për pastrim-gjelbërimin në shumën vjetore afro 1.5 milion lekë të reja. Fondet, siç duket, kanë shkuar për dokumentarët tuaj kushtuar Mustafa Xhanit, të lidhur ngushtë me bëmat ogurzeza të komunizmit dhe fanatikëve të tjerë, të cilët përndoqën, vranë, përçanë e masakruan Martaneshin. Krimi më makabër i kësaj kaste kriminale ishte zhdukja e eshtrave të bijve të Martaneshit, të atyre që pasi i vranë, ua fshehën kufomat, për të humbur gjurmët e krimit. Të afërmit e tyre, bijtë, nipërit e mbesat sot e kësaj dite, ende nuk kanë një vend ku të hedhin një tufë lule në përkujtim të tyre. Misioni juaj shoku Teki Kurti ishte: të ngrije në kulm bëmat e komunistëve, atyre figurave të krimit, të cilëve ti u thur himne e lëvdata për të rritur kultin tënd dhe autoritetin tek fanatikët ekstremistë. Edhe emrin “Jani Fullani”, ia vendose shkollës për interesat e tua dhe të klanit, pasi kishte me dhjetëra martaneshas me kontribute të spikatura atdhetarie, por dhe me kontribute për Martaneshin, që mund të kishin sot emrin mbi shkollën tonë. Ti shoku Teki ke spekuluar me traditat dhe me emrin e mirë të Martaneshit e martaneshasve, duke hedhur baltë mbi figurat e kësaj treve, duke vënë emra të huajsh që s’i përkasin kësaj krahine.
Ti asnjëherë nuk ke dashur që të dalin në dritë figurat antikomuniste e nacionaliste të Martaneshit. Nëse qënke kaq i merakosur për fatin e arsimit në Martanesh, eja këtu dhe drejtoje shkollën dhe arsimin, sepse nuk mund të drejtohet arsimi që nga Tirana, nga katedra e historisë ku ti jep leksione si pedagog i jashtëm, kur specialistë me mastera e formim të plotë intelektual e shkencor rrinë rrugëve të papunë. Në vitet 1985-1990, ti ishe teknik ndërtimi dhe punoje në Ndërmarrjen Komunale Banesa në Krastë dhe hidhje kripë rrugëve, ndaj çuditem se sa shpejt e ndërrove profesionin e “kripëhedhësit” me të pedagogut të historisë!... Sa për vërejtjet e tua ndaj drejtorit të Arsimit të Bulqizës z.Agim Tuci, ato burojnë nga kompleksi yt prej bajraktari, pasi zoti Tuci ka kërkuar bashkëpunim të sinqertë dhe parimor, gjëra të cilat ti nuk i ke në mendësitë e sjelljes dhe të qëndrimit personal, por as partiak. Pavarësisht nga cinizmi juaj televiziv shoku Kurti, ne po e fusim shkollën dhe arsimin në Martanesh në hulli të mbara, po fusim dijet dhe njohuritë e informatikës nëpërmjet dhjetë kompjuterave, ndërkohë që ti si kryetar i këshillit të komunës, ende nuk ke vendosur shtyllat për energjinë elektrike.
Kjo trevë arsimdashëse ka nevojë edhe për kompjutera, edhe për gjuhën angleze, por këto bëhen me frymë bashkëpunimi konkret, me dëshirën për t’i shërbyer komunitetit dhe jo “për ta lënë topin në rrjetën e kundërshtarit”. E ftoj shokun Kurti të ulemi këmbëkryq në Martanesh e jo këmbëkryq në media. Të ulemi në bazë, aty ku ka nevojë komuniteti, e të punojmë që arsimi të zhvillohet edhe në këtë trevë me traditë të shquar atdhetarie dhe dëshirë për kulturë e dituri. E ftoj shokun Kurti në një debat, qoftë edhe televiziv, që të flasim me gjuhën e fakteve dhe të të vërtetave, e jo me retorikë nostalgjikësh të diktaturës. E rëndësishme është që ta shkëpusim shkollën përfundimisht nga mendësia e të qenit të saj një strehë e klaneve partiake, siç e pati kthyer shoku Kurti dhe klani i tij rozë, dhe - siç po synojmë ne demokratët dhe idealistët e të gjitha ngjyrave - ta shndërrojmë në një shkollë model të frymës bashkëkohore të mësimdhënies dhe metodave që e ngrejnë shkollën dhe arsimin në lartësitë më të epërme të vetëdijes kombëtare.
Autori është drejtor i shkollës së Mesme Krastë, Martanesh
...