Berisha: lejet e ndertimeve neper qytete u dhane nga te korruptuar. Te hetohen te gjitha
Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot një shqyrtim i përgjithshëm të situatës së rrezikut që ekziston nga ndërtimet në gjithë Shqipërinë dhe në veçanti në Gjirokastër. Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha informoi mbi situatën e krijuar një ditë më parë në Gjirokastër, nga shembja e pjesëshme e një pallati 5 katësh në lagjen "11 Janari", si dhe mbi masat e ndërmarra hap pas hapi për t'i ardhur në ndihmë banorëve. Kreu i Qeverisë, i cili shkoi në Gjirokastër menjëherë pas ngjarjes së rëndë, kërkoi nga Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi dhe Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, njëkohësisht deputet i Gjirokastrës, që "të krijojnë me urgjencë një grup pune me gjeologë dhe ekspertë të fushave, për të vlerësuar gjendjen e kodrës ku ndodhej pallati në Gjirokastër dhe pranë të cilit po ndërtohej një godinë e re". "Në atë kodër ka edhe banorë të tjerë dhe ne duhet të ndërhyjmë me urgjencë. Ndërkohë qytetarët e Gjirokastrës propozuan krijimin e një komisioni për verifikimin e kësaj situate", tha Kryeministri i cili siguroi se ky komision do të ngrihet menjëherë. Në përfundim, Kryeministri garantoi se "do të bëhet çdo përpjekje që pasojat e kësaj ngjarjeje shumë të rëndë të kapërcehen, sikundër drejtësia me vendosmëri do të nxjerrë para ligjit të gjithë përgjegjësit"
...