Ndahet nga jeta violinisti i shquar, Bogdo
Ndahet nga jeta violinisti dhe pedagogu i shquar shqiptar, Genc Bogdo. Ai ishte diplomuar në Akademinë e Pragës. Që nga vitet 1950 e deri vonë ka zhvilluar një veprimtari intensive koncertesh. Si një ndër solistët më të dalluar të violinës, ka interpretuar mbi 300 koncerte me një repertor nga kompozitorë të shquar, si shqiptarë, ashtu edhe të huaj, me cilësi ekzekutive, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në fushën e muzikës, në veçanti në degën e violinës. Ai ka përfaqësuar vendin edhe në konkurse ndërkombëtare shumë të rëndësishme. Me pjesëmarrjen në konkursin Çajkovski në vitin 1958 në Moskë kulmon edhe karriera e tij violinistike. Ky është nga konkurset profesionale më të vështira, ku ekzekutohen repertorët më brilantë violinistikë, Bach, Çajkovski, Paganini, Smetana. Ka dhënë kontributin e tij edhe në fushën e pedagogjisë. Meqenëse ishte një eveniment, që një vend i vogël si Shqipëria të merrte pjesë në një konkurs ndërkombëtar të përmasave të tilla botërore, si konkursi Çajkovski, ku vinin violinistë edhe nga Amerika e deri nga Australia, Genc Bogdo u vu në qendër të medias së asaj kohe në Moskë. Për figurën e tij u shkrua nga gazetat ruse me superlativa. Edhe nga media shqiptare përmendej si një figurë që premtonte një karrierë të shkëlqyer. Genc Bogdo ka dhënë kontributin e tij edhe në fushën e pedagogjisë. Si pedagog i shquar i violinës ka pasur rezultate të shkëlqyera, duke krijuar një brez violinistësh, të cilët vazhduan traditën e violinës në Shqipëri. Në dobi të mësimdhënies ka hartuar dhe publikuar materiale teknike e metodike për shkollën e muzikës shqiptare. Ka botuar disa kompozime për violinë dhe piano, Metodë për violinë dhe piano, disa vëllime me Materiale pedagogjike. Ka regjistruar në radio dhe televizion mjaft interpretime të veprave të Bethovenit, Paganinit, Çajkovskit, Chopin-it, Dvorzhakut, Smetanes, Zoraqit, Gacit etj. Është dekoruar me urdhrin Naim Frashëri. Jeta dhe vepra e tij tashmë është e fiksuar edhe në enciklopedi të njohura muzikore, ku emri i tij qëndron denjësisht krahas figurave të shquara botërore muzikore. Si personalitet muzikor, ai mësohet dhe studiohet nga brezi i ri nëpër librat muzikorë të Akademisë së Arteve të Bukura.