Ndalet Prishtina, afrohet Hysi
Shtatë xhiro pa përfunduar sezoni në Superligë, lufta për titull dhe mbijetesë gjithnjë e më shumë po bëhet interesant. Pas fitores në Gjakovë, Hysi i është afruar në vetëm një pikë Prishtinës, e cila u ndal nga Ballkani. Kurse gjasat për të siguruar mbijetesën i janë shtuar edhe Ferizajt, pas fitores ndaj Besës.
Ballkani – Prishtina 1:0
Prishtina është ndalur sërish. Pas humbjes nga Drenica, dy xhiro më parë, bardhekaltrit janë dorëzuar edhe përballë Ballkanit.
Ekipi Portokalli ka kaluar në avantazh qysh në minutën e gjashtë të ndeshjes, kur nga penalltia i pagabueshëm ishte Fillim Guraziu. Më parë, mbrojtësi udhëtues, Ilir Berisha luajti me dorë, pas një harkimi të Mziut.
Prishtinasit në vazhdim kanë tentuar t’i barazojnë shifrat, por më kot.
Ata kanë luajtur me një lojtar më pak në 30 minutat e fundit, pasi Besnik Krasniqi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Kjo humbje ua rrezikon shumë pozitën e parë prishtinasve, të cilët tash kanë vetëm një pikë më shumë se ndjekësi kryesor, Hysi.
Vëllaznimi – Hysi 1:2
Hysi ka shënuar fitore të madhe në Gjakovë, pasi e mposhti Vëllaznimin.
Gjakovarët kanë qenë më të mirë në pjesën e parë, kurse llapjanët janë zgjuar nga gjumi në atë të dytën.
Kuqezinjtë kanë kaluar në avantazh në minutën e 19-të, kur nga pika e bardhë i pagabueshëm ishte Robert Gjeraj. Më parë, në zonën e rreptësisë e preku topin me dorë një mbrojtës vendës, pas një goditjeje të Bushajt.
Në këtë periudhë, udhëtuesit e patën një mundësi të mirë kur Zhdrella nga gjuajtja e lirë e goditi shtyllën.
Kastriot Rexha ka qenë hero i mysafirëve pasi ka shënuar dy gola në pjesën e dytë, në minutën e 55-të e të 64-t.
Flamurtari – Drenica 2:1
Flamurtari e ka shënuar njërën prej fitoreve më të rëndësishme të sezonit, kundër Drenicës. Kuqezinjtë prishtinas kishin nevojë për këto tri pikë dhe me mund dhe sakrificë, i arritën.
Ata e gjetën golin e parë në minutën e katërt, përmes Liridon Latifit.
Vendësit e shtuan epërsinë përmes Pren Marnikut, në minutën e 56-të.
Kurse, në fund të ndeshjes, drenicasit e ngushtuan rezultatin me anë të Tahirit.
Ferizaj – Besa 4:1
Ferizaj e ka bërë një hap të madh drejt mbijetesës duke triumfuar ndaj Besës.
Vendësit e kanë parë veten në disavantazh në minutën e 13-të, kur Egzon Gashi i udhëtuesve e plasoi topin në rrjetë, 0:1.
Por, ferizajasit reaguan vrullshëm, duke i barazuar shifrat së pari në minutën e 16-të, për t’i shënuar më pas tri gola në pjesën e dytë me Burim Çerkinin (58), Sherif Topallit (64’) e Egzon Shabanit (90’).
Këto tri pikë e afrojnë ekipin e Agron Selmanit në vetëm 2 pikë me ‘zonën e shpëtimit’, falë humbjes së Vëllaznimit nga Hysi.
Trepça - Trepça ’89 0:1
Trepça ’89 të ka shënuar fitore shumë të rëndësishme duke e mposhtur rivalin e qyteti, Trepçën, me rezultat 1:2, në derbin e xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Skuadra e Gani Sejdiut ka kaluar e para në avantazh prej 0:1 në minutën e 22-të, me golin që e ka shënuar Bajram Zuqaku. Por, kampioni në fuqi ia ka dalë t’i barazojë shifrat në 1:1 në minutën e 37-të, nëpërmjet Egzon Eminit.
Mirëpo, fitoren Trepçës ’89 ia ka dhuruar goli i Emin Baliqit, të cilin e realizoi në minutën e 74-t për rezultat përfundimtar, 1:2.
KEK-u – Liria 2:2
Sfida ndërmjet KEK-ut dhe Lirisë ka përfunduar pa fitues, pasi kjo ndeshje ka përfunduar me rezultat 2:2, ndonëse 90 minuta lojë janë karakterizuar me raste të shumta shënimi që i krijuan të dyja ekipet.
Vendasit kanë kaluar të parët në avantazh prej 1:0 në minutën e 39-të me golin që e ka shënuar Argjend Malaj.
Por, Liria ia doli që ta barazojë rezultatin në 1:1 në minutën e 49-të me golin që e ka realizuar Fatih Karahoda. Por, KEK-u në minutën e 63-të kaloi sërish në epërsi ndaj prizrenasve prej 2:1, me golin e Florim Bërbatovcit.
Mirëpo, Lirisë humbjen ia shmangu sulmuesi i disponuar për lojë, Karahoda, i cili në minutën e 77-të e shënoi golin e dytë të tij në këtë takim për rezultat përfundimtar, 2:2.
Tabela
1. Prishtina-55
2. Hysi-54
3. Besa-39
4. Trepça-38
5. Liria-37
6. KEK-u-37
7. Trepça ’89-35
8. Ballkani-32
9. Drenica-31
10. Vëllaznimi-26
11. Flamurtari-26
12. Ferizaj-24