E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalimi i udhëtimit me tren si ndëshkim për protestuesit/ Blendi Fevziu ironizon deklaratën e zv.ministres së Infrastrukturës: Kur nisin udhëtimet? S’kuptoj asnjë fjalë nga çfarë thotë!

Pas kërcënimit të kryeministrit Edi Rama ndaj protestuesve, që do i ndëshkojë ata duke ua ndaluar udhëtimin në aeroporte, në hotele, madje edhe në trena, gazetari Blendi Fevziu ka ironizuar përgjigjen e zëvendësministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, e pyetur për vënien në funksion të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës.

fevziu mucaj tirane durres (1)

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Fevziu ka publikuar përgjigjen e Muçajt, e cila në vend të një përgjigjeje konkrete për afatin e nisjes së trenave, zv.ministrja ka folur për zhvillimin ekonomik, turizmin, aeroportin e Rinasit dhe ndërveprimin social.

“Kur do të nisin trenat Tiranë-Durrës? E pyeti gazetari i A2 CNN-i zëvendësministren e Transporteve. Dëgjojeni përgjigjen e saj të plotë siç e ka postuar A2 CNN. Të lutem, kush e kupton kur nisin trenat dhe çfarë ka thënë zëvendësministrja, të ma sqarojë me komente ose me mesazhe. Të lutem, se unë nuk e kuptoj dot. Nuk e kuptoj asnjë fjalë. Kur nisin trenat Tiranë-Durrës, ja ç’thotë zëvendësministrja”, shprehet Fevziu në postimin e tij.

Më pas ai bashkëngjit përgjigjen Muçajt, e cila nuk jep një datë apo afat konkret për nisjen e trenave, por ndalet te zhvillimi ekonomik i vendit dhe rritja e numrit të turistëve.

Pyetja që mbetet pa një përgjigje të qartë është se kur do të nisin trenat në linjën Tiranë-Durrës, një projekt i cili ishte parashikuar nga ministrja Belinda Balluku asokohe të përfundonte në verën e vitit 2023, por është shtyrë vit pas viti dhe tashmë afati final, sipas qeverisë, pritet të jetë në 2027.

“…Dhe e konfirmojmë jo vetëm për turistët, por për një numër i cili ndërkohë si një surprizë e shkëlqyer pra atë çka është në fakt zhvillimi ekonomik i Republikës së Shqipërisë.

Të gjithë elementit social, ndërveprimi social nëpër rrugë, në ambiente kulturore, sociale, dëfryese apo të themi argëtuese, është bërë tashmë e qartë se e gjithë gjeografia, ose ndërveprimi që ne kemi me të gjithë rajonin dhe me botën, ka absolutisht ndryshuar atë çka është në fakt perceptimi për Shqipërinë, dhe perceptimi ynë si shtetas dhe qytetarë që jetojmë në Shqipëri prej disa vitesh.

Dhe në fakt poli që sapo përmendët, përveç lidhjes me portin e Durrësit, ka dhe aeroportin e Rinasit, i cili ndërkohë në mënyrë të qartë ka mirë afishuar, të themi, pretendimet ose parashikimet që ne kemi patur, duke u bërë një aeroport që jo vetëm që ka trefishuar kapacitetet e veta, por po pret në mënyrë të rritur një numër turistësh për të cilët në fakt sfida kalon te ne.

Infrastruktura që ndërveprojnë, alternativa të mobilitetit të cilat funksionojnë dhe mbi të gjitha një mundësi për çfarë, shtetasit shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë që na vizitojnë, për ta jetuar në një mënyrë sa më proaktive dhe sa më të qetë dhe efikase, të themi, territorin e Republikës së Shqipërisë. Po”, thotë zv.ministrja në përgjigjen e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›