E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalohen 2 inxhinierë të KESH për vjedhje

Ndalohen 3 qytetarë të shpallur në kërkim, inxinierët Gertan Bilero dhe Roland Saliu, ish- punonjës te KESH-it dhe Pajtim Halili, elektricist, punonjës në KESH. Ata akuzohen për abuzime në investimet që janë kryer në zonën energjitike të Fierit. 

FIER- Arrestime në radhët e KESH për abuzime me detyrën. Policia e Fierit ndaloi mbrëmë dy inxinierë, ish-punonjës të Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) dhe një elektricist, punonjës në KESH, të cilët akuzohen për abuzime në investimet që janë kryer në zonën energjitike të Fierit.
Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur sot se rreth orës 20.00 të ditës së premte u bë ekzekutimi i urdhërit të prokurorisë për ndalimin e tre qytetarëve të shpallur në kërkim, inxinierëve Gertan Bilero dhe Roland Saliu, ish- punonjës të KESH-it dhe Pajtim Halili, elektricist, punonjës në KESH.
Sipas të njëjtit burim, Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Fier kishte dhënë për të tre këta masën e sigurisë "arrest me burg", ndërsa Prokuroria e Rrethit ka filluar procedimin penal në bazë të denoncimit të kontrollit të Ministrisë së Energjetikës për shkelje gjatë zbatimit të investimeve në zonën energjetike të Fierit.
Abuzimet janë kryer gjatë punës për instalimin e matsave të rinj të energjisë, me numrin e matsave dhe kanë shkaktuar një dëm prej 400.000 lekësh. Sipas burimeve policore, 33-vjeçari Bilero ka ushtruar funksionin e drejtuesit të punimeve, 35- vjeçari Saliu, nga Vlora, ka qenë supervizor, ndërsa 56-vjeçari Halili, nga qyteti i Fierit, ishte marrësi në dorëzim i punës. Të tre të akuzuarit kanë abuzuar duke raportuar më shumë matësa të instaluar se sa numri i vërtetë dhe kanë ndarë mes tyre shumën e përfituar.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›