Nikolas Sarkozi, një president i dashuruar pas samiteve
PARIS - Shumë presidentë mund të mos i kenë qejf samitet, por ka një që i adhuron ato! Lideri francez, Nikolas Sarkozi, një udhëheqës jashtë staturës së zakonshme, ka propozuar disa të tillë gjatë muajve të fundit, duke e kthyer Francën në një vend zëri i së cilës po dëgjohet qartë jo vetëm në Europë, por edhe në Uashington. Ndërsa dikur, kur ishte ministër i Brendshëm i vendit të tij, i urrente takimet e tilla ku diskutohej gjatë për detaje por nuk merrej asnjë vendim, tashmë ai ka zbuluar se nëpërmjet protagonizmit në mbledhje të tilla liderësh, ai mund t'i sigurojë vetes dhe vendit një vend nderi në diplomacinë botërore. Për ta bërë këtë, ai shmang madje edhe liderët e tjerë të botës si dhe zyrtarët e lartë apo politikanët që kanë role drejtuese në organizmat ndërkombëtare, siç bëri në samitin e G4, një javë më parë me shefin e qeverisë japoneze, Taro Aso, që mban presidencën e grupit. Ndërkohë, për të rritur prestigjin e Francës dhe influencën në skenën ndërkombëtare, pak ditë më parë Sarkozi propozoi që Parisi të mbante presidencën e radhës së eurozonës edhe një vit tjetër, për të mos ua lënë atë vendeve të reja anëtare të Bashkimit Europian në kohë krize. Nëpërmjet propozimeve të fundit, ai e ka kthyer vendin e tij në hartën diplomatike të botës dhe po bën që Parisi të ketë gjithnjë e më shumë ndikimet në vendimet që merren ndërkombëtarisht. Analistët thonë tani se sidoqoftë, dy muajt e fundit të presidencës franceze të BE-së do të përcaktojnë se sa afatgjata do të jenë propozimet e idetë e Sarkozisë, si dhe aftësitë e tij në pushtet.
(d.b/BalkanWeb)